Kostoja e vërtetë e drejtimit të dobët
Ndërsa në vendin tonë mungojnë studime mbi praktikat e lidershipit, studimet e kryera në SHBA, tregojnë se praktikat e dobëta të lidershipit i kushtojnë kompanive miliona dollarë humbje çdo vit, duke ndikuar negativisht në mbajtjen e punonjësve të mirë, kënaqësinë e klientit dhe produktivitetin e përgjithshëm të punonjësve. Sipas studimeve të kompanisë Blanchard:
- Praktikat e udhëheqjes më pak se optimale, i kushtojnë kompanive një shumë të barabartë me 7% të totalit të shitjeve të tyre vjetore.
- Të paktën 9% dhe ndoshta edhe deri në 32% e qarkullimit vullnetar të punonjësve, mund të shmangen përmes aftësive më të mira të lidershipit.
- Një lidership më i mirë mund të përmirësojë 3-4% rezultatin e kënaqësisë së klientit dhe një rritje korresponduese prej 1.5% në të ardhura.
Po ju në kompaninë tuaj, a e ndjeni cilësinë e drejtimit? A është drejtimi në lartësinë e duhur, dhe a punoni për përmirësimin e vazhdueshëm të tij? Për t’ju fokusuar pak më shumë në këtë temë, sot po ju sjellim artikullin e John Eades. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ndërsa u largova nga zyra e këtij personi, nuk mund të mos mendoja se kompania e tij ishte duke pasur sukses pavarësisht atij. Mund të kishte qenë mënyra se si ai fliste me "Unë" në vend që të fliste me "Ne". Mënyra se si foli për marrjen e të gjitha vendimeve, në vend të fuqizimit të njerëzve të tij, ose, se si shumica e njerëzve të tij punonin atje jo sepse dëshironin, por vetëm për shkak të pagës.
Është shkruar kaq shumë për drejtimin e mirë dhe suksesin e arritur, kur burrat dhe gratë ja dalin t'i udhëheqin njerëzit në një mënyrë e cila krijon versionin më të mirë të vetvetes. Por një pyetje tjetër më lindi në mendje, pasi u largova nga zyra e tij:
Çfarë na kushton vërtet, kur kemi një drejtim të dobët?
Pas shumë hulumtimeve dhe reflektimeve, e gjitha fillon me pranimin e asaj se kostoja nuk është thjesht monetare. Nëse shikoni përkufizimin e kostos, ajo flet për "harxhimet ose shpenzimet". Sigurisht ka shembuj të panumërt se ku harxhimet apo shpenzimet prej drejtimit të dobët janë miliona - në mos miliarda dollarë, por më poshtë janë disa nga kostot reale të drejtimit të dobët:
Përvojat e përditshme të dobëta
Isha duke folur me një zonjë, disa muaj më parë, dhe ajo po më tregonte për përvojën e saj, në kompaninë e saj të mëparshme, dhe ishte diçka që nuk do ta harroj kurrë. "Shpesh kishte ditë, që s’kisha dëshirë të shkoja në zyrë dhe kur mbrrija në parking, shihja makinat e kolegëve me të cilët punoja, prisja 20 minuta në makinë para se të shkoja brenda, sepse e dija sa e gjatë do të ishte dita e punës me ekipin". Në fund të ditës, ne kalojmë më shumë kohë me njerëzit në punë, sesa me familjet tona, dhe është pothuajse tragjike, të dimë se një nga kostot kryesore të drejtimit të dobët është të qenit të palumtur, të papërmbushur dhe të pafrymëzuar në punë.
Largohen njerëzit e talentuar
Kur ja bëra këtë pyetje Patrik Lencionit në trajnimin "Ndiqni drejtimin tim", ai tha; "Kur drejtoni keq, punonjësit më të mirë të ekipit do fillojnë të kërkojnë të ndryshojnë mjedis diku tjetër". Ai kishte të drejtë sepse punonjësit më të mirë nuk qëndrojnë. Janë punonjësit mesatar dhe nën mesatar, ata, që rehatohen nën drejtimin e dobët. Pyesni ndonjë trajner sportiv ose drejtues shitjesh, se çfarë ndikimi ka humbja e 3 ose 4 anëtarëve më të mirë të ekipit, dhe do t’a shihni dhimbjen që ata ndjejnë, vetëm duke vëzhguar sytë e tyre.
Ndërtohet një kulturë biznesi e dëmshme
Kultura është gjithçka për një ekip, dhe ndërsa të gjithë në ekip luajnë një rol në zhvillimin e vazhdueshëm të kulturës, është përgjegjësia e drejtuesit për ta krijuar dhe zotëruar atë. Të njëjtën gjë pohoi këtë javë, në një shfaqje edhe Mike Rucher, një ish lojtar i Carolina Panthers All-Pro: "Është kultura që një drejtues vendos, e cila e tregon rrugën". Kulturat e dëmshme (ndryshe helmuese) krijojnë zakone të këqija, dhe zakonet e këqija çojnë përfundimisht në rezultate të këqija. Nga ana tjetër, kulturat e mira krijojnë zakone të mira dhe zakonet e mira përfundimisht çojnë në rezultate pozitive.
Suksesi afatgjatë
Kam shkruar më në detaje lidhur me këtë, kur përshkrova profilin e vendosësit të rregullave në një program lidershipi. Shumica e drejtuesve, që kanë një grup rregullash dhe standardesh të vështira, zakonisht shohin një fitim afatshkurtër në performancë. Për fat të keq, është e vështirë të jesh për disa vjet suksesshëm, e jo më për dekada, sepse njerëzit ndihen të lodhur, të konsumuar dhe të frustruar. Mendojeni këtë si martesa. Nëse njëri nga partnerët nuk martohet për arsyet e duhura, me kalimin e kohës martesa do të prishet përfundimisht. E njëjta gjë vlen edhe me drejtimin e dobët, njerëzit arrijnë diçka, dhe kur ja dalin gjithçka shkon drejt greminës, përfundimisht.
Shëndeti i dobët, madje dhe vdekja!
Kur ja bëra këtë pyetje David Marquet, u trondita nga përgjigjja e tij. "Ka një kosto tragjike për sa i përket shëndetit". Ai më foli në detaje, për një studim të përfunduar pas “Depresionit të Madh”, i cili analizonte njerëzit që kishin vdekur në SHBA, bazuar në kërkesat e punës dhe kontrollit që kishin patur në atë punë. Studimi rezultonte, se ata që kishin punë me kërkesa të larta, por jo kontroll në vendimarrje, e kishin mundësinë për vdekje të hershme, 25% më të lartë, se ata që kishin punë me kërkesa të larta, por kontroll mbi vendimmarrjen. Ndërsa unë e vë studimin pak në dyshim, por në fakt, po të shohësh përgjatë historisë, shëndeti i dobët dhe madje edhe vdekja, i ka ndjekur disa prej liderëve më të këqij, që kanë ecur ndonjëherë në tokë. Jo vetëm vdekja fizike por edhe vdekja emocionale - nga stresi kronik, deri tek obeziteti, deri tek alkoolizmi, përdorimi i drogës etj.
Pra, herën tjetër që do të mendoni nëse duhet të kujdeseni për të qenë një drejtues i mirë apo jo, mendoni se cila është kostoja reale e drejtimit të dobët, dhe e keni përgjigjen tuaj.