Blog

Në një bisedë të vështirë, dëgjoni më shumë se sa të flisni!

Në një bisedë të vështirë, dëgjoni më shumë se sa të flisni!

Dëgjimi është forma e komunikimit që përdorim më shumë. Duke pasur parasysh të gjitha mënyrat e komunikimit, studimet tregojnë se rreth 10% të kohës ne komunikojmë nëpërmjet shkrimit, 15% nëpërmjet leximit, 30% nëpërmjet të folurit dhe 45% nëpërmjet dëgjimit. Por megjithëse dëgjimi është mjeti që përdorim më shpesh, ka disa sfida që të gjithë i përjetojmë. Mendja mendon shumë më shpejt sesa flasim: shumica e njerëzve flasin rreth 120 fjalë në minutë, ndërkohë kemi aftësi për të kuptuar mbi 400 fjalë në minutë. Pra, mendja tenton t'a përdorë "kapacitetin e tepërt" në gjëra të tjera. E pikërisht kjo gjë, nëse e lemë të lirë, e dëmton më së shumti cilësinë e komunikimit. Por si mund t'a disiplinojmë mendjen tonë? Ne kemi sjellë edhe më herët artikuj mbi dëgjimin aktiv, por këndvështrimi i dy autoreve Emma Seppala dhe Jennifer Stevenson, në artikullin më poshtë, na u duk interesant. Shpresojmë edhe juve. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Kur Xherod hyri në takim për të diskutuar një strategji të re marketingu për një produkt, biseda nuk doli mirë. Pas pesë minutash në dialog, menaxherja e produktit, filloi t’a ndërpriste atë me pyetje, përgjigjet e të cilave ai kishte menduar t’i trajtonte më vonë gjatë rrugës. Ndërsa biseda u doli nga binarët, Xherod u përpoq të ruante qetësinë, ndërsa menaxherja bënte disa punë njëkohësisht. Xherod e vështronte i mërzitur, ndërsa ajo dërgoi të paktën pesë mesazhe në celular, gjatë grindjes së tyre. Xherod u largua nga takimi duke u ndjerë i nënvleftësuar dhe i demoralizuar. Menaxherja u largua duke u ndjerë e ndrojtur dhe e irrituar - ajo nuk kishte kohë për t'u ulur e për të dëgjuar një prezantim të dobët. Kishte shumë punë të tjera për të bërë!

Të gjithë ne kemi përjetuar situata të vështira komunikimi të ngjashme me të Xherodit. Ndoshta ju ishit Xherodi ose menaxherja në skenar. Nga koha që u larguat nga biseda, ju mund t'a kishit ndërprerë tensionin si me thikë. Dhe parashikimi juaj nuk doli në mënyrën se si ju shpresonit. Ju përfunduat duke e marrë bisedën me vete. Ajo peshonte rëndë në mendjen tuaj, duke shtuar më shumë stres në ngarkesën e punës. Për njerëzit si më sipër, mund të duhet shumë më tepër kohë dhe përpjekje për t'a rimarrë veten, nga përplasja në komunikim, se sa t'a shmangin atë që në fillim.

Nga përmbledhja jonë e punës kërkimore dhe e shembujve në disa kompani, sugjerohet se mund të bëni këto tre gjëra, që të shmangni dështimet në komunikim.

Jini të pranishëm (jo vetëm fizikisht)

Qoftë duke shkuar në një takim ku do të prezantojmë një propozim të rëndësishëm, ose jemi ulur ballë për ballë me një koleg, vëmendja jonë mund të rrëmbehet lehtësisht, sidomos kur mendimet tona enden rreth 50% të kohës, siç na sugjeron studimi. Shtoni edhe dhjetra e-maile, tekste, thirrje dhe mesazhe të shpejta, që marrim çdo orë, dhe të qëndruarit i përqendruar, thjesht bëhet shumë më i vështirë. Pasi jemi ndërprerë, duhet përpjekje dhe kohë për t'u rifokusuar. Të bërit e disa punëve njëkohësisht, veçanërisht me mediat dixhitale, mund të ketë një efekt të kundërt në kapacitetin tonë mendor dhe mund të ndikojë në produktivitetin tonë, siç tregon një studim i Stanford.

Duke pasur parasysh oraret tona të ngarkuara, dhe shumë mesazhe e emaile, nganjëherë nuk jemi të pranishëm me njerëzit përpara nesh. Ne jemi duke menduar për diçka që ka ndodhur më parë, ose për artikullin që sapo lexuam, ose për bisedën telefonike që sapo patëm. Mendja jonë është diku tjetër. Sa më shumë që t'a sjellim mendjen tonë të përhumbur, në të tashmen, aq më e lehtë dhe më e natyrshme bëhet lidhja, dëgjimi dhe të qenit i hapur dhe të vërtetë.

Për t'ju ndihmuar të qëndroni të pranishëm në një takim ose bisedë, largohuni nga kompjuteri juaj dhe vendoseni telefonin tuaj në dridhje ose pa zë. Akoma më mirë, nëse e lini telefonin diku tjetër. Vetëm prania e një telefoni në një mbledhje, mund t'i bëjë njerëzit të ndihen më pak të përqëndruar, duke dëmtuar aftësinë tuaj për të komunikuar me sukses.

Nëse keni pak kohë para takimit, në vend që të përpiqeni të dërgoni disa email shtesë, përqëndrohuni ose bëni disa ushtrime qetësuese të frymëmarrjes. Zbrazeni mendjen tuaj, në mënyrë që të mund të jeni plotësisht të pranishëm, të vëmendshëm, dhe të aftë. Edhe nëse keni vetëm një sekondë, para se të përgjigjeni në telefon, ose të hyni në sallën e konferencave, ndaloni dhe merrni frymë thellë. Gjithashtu mos harroni të buzëqeshni.

Dëgjoni më shumë

Kjo fjalë e urtë thuhet prej një kohe të gjatë: "Ne kemi dy veshë dhe një gojë, kështu që ne duhet të dëgjojmë dy herë e të flasim një herë". Bëhuni vërtet kurioz dhe i interesuar për atë që thuhet, edhe nëse fillimisht nuk jeni. Kushtojini vëmendje këshillave: A shpenzon shumë kohë personi në një argument të caktuar? A tregon më shumë gjallëri në disa raste specifike dhe më pak në të tjerat? Të dëgjuarit i përqëndruar dhe me kureshtje, jo vetëm që ju ndihmon të lidhni më mirë dhe të kuptoni se çfarë po thuhet, por gjithashtu ju jep një informacion të vlefshëm, se si mund të formuloni përgjigjen tuaj apo të merrni pjesë në bisedë. Kjo mund t'ju ndihmojë të përshtateni edhe me tema ku bashkëbiseduesi juaj është i apasionuar. Njohja e tyre do t'ju ndihmojë të shihni këndvështrimin e tyre dhe të bini dakord mbi një marrëveshje që plotëson nevojat e secilit. Nga pozicioni i dëgjimit aktiv, biseda juaj do të ecë përpara dhe do të jetë më konstruktive.

Jini të hapur

Komunikimi përfshin shkëmbimin e pikëpamjeve, nganjëherë edhe pozicioneve kundërshtare. Nëse nuk e hapni mendjen tuaj ndaj këndvështrimit të një tjetri, pikat e përbashkëta mund të jetë e vështirë për t'u gjetur. Dhe gjetja e një baze të përbashkët, kërkon që ne të dëgjojmë, për të marrë vërtet në konsideratë, pozicionin e dikujt tjetër.

Ndërsa dikush po flet, vini re: A po mendoni tashmë për kundërshtimin tuaj? A po përgjigjeni me një "po", të pasuar nga një "por" të menjëhershëm? Apo e keni ndërprerë tashmë? Jini të hapur ndaj këndvështrimit të personit tjetër. Nëse jeni të shqetësuar, se nuk keni përgjigjen e përsosur, ju gjithmonë mund të thoni, "Unë nuk e kam menduar në këtë mënyrë përpara. A mund të më jepni një ditë apo më shumë për t'u menduar?” Me sa dimë dhe kemi njohje ne, askush nuk është ankuar ndonjëherë për dikë që e ka dëgjuar atë që kanë thënë, dhe u është dashur pak kohë shtesë, për të analizuar dhe përgjigjur me mendje.

Me kalimin e kohës, dëgjimi i hapur dhe i vëmendshëm ndaj të tjerëve, ndihmon për të kultivuar besimin. Reflektoni për përvojat tuaja: Sa më shumë  të lidhur të ndjeheni me dikë, aq më shumë keni prirje të besoni tek ai person, dhe aq më e lehtë bëhet të flasësh. Kjo kontribuon në një ndjenjë sigurie psikologjike, e cila sipas një studimi të Google është çelësi i ekipeve të suksesshme. Aftësia për të ndërmarrë rreziqe dhe për të folur mund të jetë dallimi në mes mosveprimit të një gabimi ose të mësuarit nga një gabim. Në fund, të gjithë përfitojnë.