Blog

7 Elementët e një etike të lartë pune

7 Elementët e një etike të lartë pune

Besoj se nuk mund të gjeni një përkufizim më të bukur për të, se sa gjëagjëza këtu në vazhdim: “Punëdhënësit e kërkojnë atë. Performanca varet nga ajo. Kënaqësia përfitohet prej saj, dhe, Përparimi në karrierë është fryt i saj. Çfarë është ajo? Një ETIKË e lartë pune!” Për të bërë diferencën nga konkurrenca, dhe për të krijuar një kulturë unike, ndërtimi i etikës së punës është thelbësor. Bazuar këtu, në vazhdim do të gjeni artikullin e Jacqueline Whitmore, një eksperte dhe autore e fushës. Nëse dëshironi të bëni më tepër rreth etikës, në organizatën tuaj, ProspecTime Consulting ju sjell një ekspertizë të plotë, duke përfshirë vlerësimin e klimës në ambientin e punës, rekomandimet e nevojshme, krijimin dhe trajnimin e kodit të etikës, si dhe përshtatjen e politikave sipas kërkesave tuaja specifike. Lexim të këndshëm!

* * * * *

A keni provuar ndonjëherë të bëni biznes me dikë, që duket se nuk gjen kënaqësi në punë, ose, se nuk është i interesuar? Ndoshta nuk u kthyet përsëri tek ky person, sepse nuk ju pëlqeu mënyra se si u trajtuat, ose, sepse nuk kishit më besim, në tërësi mbi atë biznes.

A keni folur pastaj, edhe me të tjerët mbi këtë përvojën tuaj të keqe?

Kur ju keni biznesin tuaj, “nami i keq”, si ky më sipër, mund të ndikojë direkt tek klientët tuaj dhe në reputacionin tuaj. Zgjidhja është: - të nxisni dhe të mbani një etikë të lartë pune. Një etikë e lartë pune ju jep energji, juve dhe punonjësve tuaj, për t'u përballur me çdo sfidë me kokën lartë, të jeni më të mirët dhe të qëndroni gjithmonë në krye.

Më poshtë janë shtatë komponentë kryesorë të një etikë pune, që nuk ka gjasa të ndryshojë.

1. Profesionalizmi

Të qenit profesionist përfshin çdo gjë, që nga mënyra se si visheni dhe prezantoni veten në botën e biznesit, e deri tek mënyra se si ju i trajtoni të tjerët. Profesionalizmi, është një kategori kaq e gjerë në fakt, sa që kjo në thelb, përfshin edhe të gjithë elementët e tjerë të një etike të lartë pune.

2. Nderimi

Shfaqni mirësi edhe nën presion: Pa marrë parasysh se sa të shtrënguara janë afatet apo sa të nxehura janë gjakrat, gjithmonë qëndroni të gatshëm dhe diplomatik. S’ka rëndësi nëse jeni duke i shërbyer një klienti, duke u takuar me një klient apo duke bashkëpunuar me kolegët, bëni më të mirën për të respektuar mendimet e të gjithëve, sidomos në rrethana të bezdisshme. Kjo tregon se ju e çmoni vlerën individuale të njerëzve, si dhe kontributin e tyre profesional.

3. Siguria

Ju duhet të jeni një person i besueshëm dhe që i mbani premtimet tuaja. Jeni gjithmonë në kohë dhe i përgatitur për takime, dhe e ofroni në kohë ndihmën tuaj dhe sipas buxhetit. Reputacioni juaj për besueshmërinë ju paraprin, për shkak se e keni provuar me kalimin e kohës që konsumatorët, klientët dhe kolegët mund t'ju besojnë, se do të bëni çdo gjë që thoni se do të bëni. Në një botë të pasigurt, klientët dhe kolegët tuaj do të vlerësojnë qëndrueshmërinë që transmetoni.

4. Përkushtimi

Ju nuk ndaleni, derisa puna të bëhet, dhe të bëhet siç duhet. "Mjaft mirë" nuk është aq mirë sa duhet, për ju dhe ekipin tuaj. Ju synoni për t'u "shquar" në çdo gjë që bëni. Ju shpenzoni orë shtesë për t'i bërë gjërat siç duhet, duke i kushtuar vëmendje detajeve dhe devotshmëri ndaj përsosmërisë. Pasioni juaj tregon sa fort punoni dhe rezultatet që arrini.

5. Vendosmëria

Ju nuk ndaloni para pengesave dhe përqafoni me entuziazëm sfidat, ashtu si një alpinist - malin, të cilit ai i ngjitet lart e më lart, derisa të arrihet maja. Ju e dini se puna juaj, si sipërmarrës, është të zgjidhni problemet e klientëve tuaj, dhe ju i zgjidhni ato, duke kërkuar vazhdimisht përgjigje më të mira dhe më inovative. Me vendosmëri dhe elasticitet ju ecni përpara, pa marrë parasysh se sa larg duhet të shkoni.

6. Përgjegjshmëria

Ju mbani përgjegjësi personale, për veprimet dhe rezultatet tuaja, në çdo situatë dhe shmangni justifikimet, kur gjërat nuk shkojnë sipas planit. Ju pranoni gabimet tuaja dhe i përdorni ato si mësime nga përvoja, në mënyrë që të mos bëni përsëri, të njëjtat gabime. Ju gjithashtu prisni që edhe punonjësit tuaj të përmbushin të njëjtat standarde të larta, dhe i mbështesni ata, të cilët pranojnë përgjegjësinë, në vend që të fajësojnë të tjerët.

7. Përulësia

Ju i njihni kontributet e të gjithëve, dhe jepni meritat për arritjet. Ju tregoni mirënjohje ndaj kolegëve që punojnë shumë, dhe vlerësim për klientët tuaj besnikë. Ju e keni integritetin në gjak, dhe jeni të hapur për të mësuar nga të tjerët, sikurse edhe ju i mësoni njerëzit me fjalët, veprimet dhe shembullin tuaj. Dhe, ndërsa gjithmonë e merrni punën tuaj seriozisht, ju përpiqeni që të ruani sensin e humorit, në lidhje me veten.