Fabul - Milingona puntore
Besoj se e keni lexuar fabulën që po ju sjellim më poshtë - por na pëlqen aq shumë, sa nuk mund të rrinim pa e sjellë edhe në shqip. Ndoshta do tingëllojë edhe më e bukur. Urojmë t'ju pëlqejë po aq sa ne, edhe juve!
* * * * *
Na ishte njëherë një Milingonë e vogël, e cila çdo ditë shkonte shumë herët në punë, dhe fillonte të punonte menjëherë.
Ajo prodhonte shumë dhe ishte e lumtur.
Shefi Tigër, ishte i befasuar kur e shikonte Milingonën që punonte aq mirë, e pa mbikëqyrje.
Ai mendoi, se kur Milingona prodhon kaq shumë pa mbikëqyrje, do të prodhojë edhe më shumë nëse do të kishte një Supervizor!
Kështu që ai rekrutoi Bletën, e cila kishte përvojë të gjerë si Supervizore dhe gjithashtu ishte e famshme për të shkruar raporte të shkëlqyera.
Vendimi i parë i Bletës ishte që të vendoste një sistem kompleks të shfrytëzimit të kohës së punës.
Gjithashtu ajo kishte nevojë për një sekretare për t'a ndihmuar atë në përgatitjen dhe shkrimin e raporteve, dhe për këtë ajo rekrutoi Lepurushen, e cila arkivonte, menaxhonte dhe monitoronte të gjitha telefonatat.
Tigri ishte i kënaqur me raportet e Bletës dhe i kërkoi që t'i pasuronte ato me grafikë, që të përshkruanin normat e prodhimit dhe të analizonin trendet, kështu që ai do të mund t'i përdorte ato, për prezantime në mbledhjet e Bordit.
Për këtë, Bleta bleu një kompjuter të ri dhe një printer lazer, dhe rekrutoi Macen, për të menaxhuar departamentin e IT.
Milingona, e cila kishte qenë dikur produktive dhe e relaksuar, i urrente gjithë këto tufa të reja dokumentash dhe takimesh, që po i merrnin gjithmonë e më shumë, kohën e saj ...!
Tigri doli në përfundimin se kishte ardhur momenti, që të emëronte një person në krye të departamentit ku punonte Milingona.
Në këtë pozicion u vendos Majmuni, vendimi i parë i të cilit, ishte që të blinte një kondicioner dhe një karrige ergonomike, për zyrën e tij.
Personi i ri përgjegjës, Majmuni, gjithashtu kishte nevojë për një kompjuter dhe një asistent personal, të cilin e solli nga departamenti i tij i mëparshëm, për t'a ndihmuar atë të përgatiste punën dhe "Planin strategjik të Optimizimit dhe Kontrollit të Buxhetit" ...
Departamenti, ku punon Milingona, tani është një vend i trishtuar, ku askush nuk qesh më, dhe të gjithë janë të mërzitur ...
Ishte ky momenti, kur Bleta e bindi shefin, Tigrin, se ishte absolutisht e domosdoshme, që të fillonin një studim mbi klimën e mjedisit të punës.
Duke shqyrtuar ecurinë në drejtim të departamentit të Milingonës, Tigri kuptoi se prodhimi ishte shumë më pak se më parë.
Kështu ai rekrutoi Bufin, një konsulent prestigjoz dhe i njohur, për të kryer një kontroll dhe të sugjeronte zgjidhjet.
Bufi punoi për tre muaj në departament, dhe doli me një raport të madh, me disa vëllime, me përfundimin ...
"Departamenti është i mbingarkuar me staf..."
A e gjeni se çfarë bëri Tigri - kë pushoi të parin, nga puna?
Sigurisht, Milingonën...,
"... Sepse ajo shfaqte mungesë të motivimit dhe kishte qëndrim negativ".
* * * * *
Personazhet në këtë fabul janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me njerëz të vërtetë, apo fakte, në kuadër të ndonjë kompanie, është vetëm një rastësi..."
ProspecTime vetëm po e sjell të përkthyer këtë fabul... nuk është autori.