Blog

8 Gjëra, që drejtuesit e jashtëzakonshëm i thonë vazhdimisht punonjësve të tyre

8 Gjëra, që drejtuesit e jashtëzakonshëm i thonë vazhdimisht punonjësve të tyre

Ndodh tek të gjithë. Entusiazmi i fillim vitit vanitet, dhe ju e punonjësit tuaj keni gjithnjë e më pak gjallëri për të punuar fort e në mënyrë krijuese. Objektivat janë aty, dhe duhen arritur. Detyra juaj si drejtues - pavarësisht nga niveli, është të dilni mbi këtë gjendje, që shfaqet dalë nga dalë e si pa u ndjerë, dhe të ruani ritmin tuaj dhe të ekipit, për të bërë më të mirën e për të dhënë maksimumin. Vetë motivimi është i rëndësishëm, por të qenit një udhëheqës i ekipit ju ngarkon me përgjegjësinë e motivimit të ekipit tuaj. Mënyrat janë të pafundme, por ajo që na mëson artikulli i Elle Kaplan, është e thjeshtë, efektive dhe pa kosto shtesë. Lexoni (jo vetëm këtë artikull), studjoni, praktikoni çdo ditë mbi motivimin. Nëse dëshironi t'i ndani me ne rezultatet tuaja, do të ishte kënaqësi për ne dhe lexuesit tanë. Ju mirëpresim! 

* * * * *

Lidershipi gjithmonë fillon me komunikim të mirë, kështu që drejtuesit e mrekullueshëm, i përdorin këto shprehje çdo ditë.

Nuk ka rëndësi nëse jeni duke menaxhuar një nxënës ose duke drejtuar një biznesi të tërë, suksesi i punonjësve tuaj (dhe i juaji personalisht) varet nga mënyra e udhëheqjes tuaj.

Fatmirësisht, zgjidhjen për motivimin e ekipit tuaj dhe mënjanimin e ndonjë problemi e keni në majë të gjuhës. E gjitha fillon me komunikimin - ekspertët e aftësive, e cilësojnë këtë si faktorin e suksesit ose dështimit për udhëheqje të suksesshme.

Më poshtë po ju paraqesim tetë gjëra, që drejtuesit e jashtëzakonshëm i thonë punonjësve të tyre, çdo ditë. Filloni që t’i përdorni këto çdo ditë (ose shikoni ndonjë drejtues që i përdor), dhe do të shikoni suksesin tuaj të shkoj në qiell:

1. Unë kam besim të plotë tek ty!

Nuk ka asgjë më dekurajuese se sa një drejtues që nuk beson në aftësitë e një personi dhe përpiqet t'i mikromenaxhojë ata në çdo hap. Edhe individët me besim të sigurt në vetvete do t’a shikojnë vetëbesimin e tyre të bjerë, në qoftë se ata trajtohen si një foshnjë me jakë të bardhë.

Ashtu si ka thënë Theodore Roosevelt: "Udhëheqësi i mirë është ai që ka nuhatje të mjaftueshme për të marrë njerëz të mirë e për t’i bërë ata ashtu si ata duan që të bëhen, dhe vetëpërmbajtje të mjaftueshme, që t’a frenojë veten dhe mos t'ju ndërhyjë atyre, kur ata e bëjnë këtë".

Mund të jetë e vështirë për të hequr dorën nga frenat në fillim, por në qoftë se ju i jepni mundësi ekipit tuaj të rritet, me këtë rast, ju do të keni një ambient më të lumtur dhe më të motivuar në punë.

2. Kjo është ajo që dua të arrijmë ne...

Presidentja dhe CEO e Lockheed Martin, Marillyn Hewson e zbuloi që kjo ishte çelësi i madh i suksesit, në karrierën e saj: "Liderët e mëdhenj i motivojnë dhe i frymëzojnë njerëzit, me arsyen se pse ata po e bëjnë diçka", thotë ajo. "Ky është qëllimi. Dhe ky është çelësi për të arritur diçka me të vërtetë transformuese".

Ajo që i ndan udhëheqësit e jashtëzakonshëm nga drejtuesit mediokër është aftësia e tyre për t'i komunikuar planet e tyre, dhe t'i lidhin punët e rëndomta të përditshme me objektivat e mëdha të kompanisë. Përcaktimi, i një drejtimi të qartë për ekipin tuaj, nxit një ndjenjë stabiliteti në vendin e punës dhe është shtysë në punë - kështu që gjithmonë kushtojini kohë shpjegimit të "pse-së", në vend që thjesht të jepni urdhra.

3. Çfarë mund të bëjmë më mirë herën tjetër?

Ashtu siç sugjeron me urtësi Arianna Huffington, gabimet janë mësuesit më të mirë. "Ne duhet t'a pranojmë se jo gjithmonë do të marrim vendimet e duhura, dhe që ndonjëherë do të bëjmë rremujë dhe do të futemi në bela", thotë ajo. "Duhet të kuptojmë se dështimi nuk është e kundërta e suksesit, por është pjesë e suksesit".

Çdo person në planetin Tokë, e ka prishur punën e tij, ose të saj, të paktën një herë (madje dhe unë ... epo, ndoshta edhe më shumë se një herë). Gabimet ndodhin, sidomos kur jeni duke provuar diçka të re.

Për sa kohë që nuk është një gabim i pamatur apo i pakujdesshëm, kthejeni këtë gabim në një përvojë mësimi. T’i mësoni dikujt, se çfarë të bëjë herën tjetër për të shmangur gabimin, është shumë më tepër produktive se sa t’a qortoni atë.

4. Dua të ve në lëvizje pikat e tua të forta.

Warren Bennis, një autor i njohur dhe dijetar mbi lidershipin, zbuloi se "Shumë kompani besojnë se njerëzit janë të këmbyeshëm. Njerëz, vërtet të talentuar në çdo fushë, nuk ka kurrë. Secili ka talente të veçanta". Ai thotë: "Njerëzit nuk mund të detyrohen të bëjnë role që nuk janë të përshtatshme për ta, edhe vetë ata nuk duhet t’a bëjnë. Udhëheqësit efektivë i lejojnë njerëzit e mirë të bëjnë punën që ata kanë lindur të bëjnë".

Çdo person në ekipin tuaj ka aftësi të veçanta - kjo është arsyeja pse unë përqafoj unikalitetin në kompaninë time, që edhe ju duhet gjithashtu t’a bëni. Kjo flet për idenë e trajtimit të njerëzve si individë, në një botë ku punonjësit shihen shpesh si të parëndësishëm. Kërkimi për suksesin tek kushdo me të cilët ne punojmë, do të mund të na çojë vetëm drejt gjërave të mëdha.

5. Cili është mendimi juaj?

Drejtuesit e nivelit të lartë, nuk e lejojnë egon e tyre, që të pengojë rrugën e inovacionit - ata kërkojnë këshilla nga të gjithë, pavarësisht se ku ata qëndrojnë në hierarki.

Duke i pyetur punonjësit tuaj se çfarë ata mendojnë, është një mënyrë tjetër e shkëlqyer për t'ju treguar se keni besim tek ata, dhe e vlerësoni kontributin e tyre. Plus, që kam zbuluar se njohuritë më të mira vijnë nga andej ku nuk e pret.

6. Si mund të të mbështes më mirë?

Një mënyrë e shkëlqyer për të reduktuar qarkullimit të punonjësve është një përqasje parandaluese. Merrni kohë për të qëndruar me ekipin tuaj. I pyesni ata se çfarë mendojnë për punën e tyre dhe se çfarë mund të bëni ju, për t'i ndihmuar ata që të kenë sukses.

Siç thotë Sheryl Sandberg, COO e Facebook-ut, "Lidership është t’i bëni të tjerët më të mirë, si rezultat i pranisë tënde dhe të siguroheni që ai ndikim të zgjasë edhe gjatë mungesës tuaj".

Nëse ju i shërbeni dhe e aftësoni ekipin tuaj, ata do të duan të bëjnë të njëjtën gjë për ju dhe kompaninë tuaj, gjithashtu.

7. Më thuaj nëse ke ndonjë pyetje.

Shumë njerëz kanë pasur të paktën një drejtues frikësues, tek i cili ata nuk e ndjenin se mund të shkonin për të kërkuar ndihmë. Të paturit e një politike më dyer të hapura, tregon se ju jeni në dispozicion për ekipin tuaj dhe se kujdeseni për komunikimin e hapur dhe produktivitetin e tyre. Sa më shpejt që pyetjet e tyre të marrin përgjigje, aq më shpejt ata do të mund të kthehen, në përmbushje të detyrës që kanë në dorë.

8. Bravo, punë e mirë!

Ofrimi i njohjes kushton shumë më pak se sa instalimi i  tavolinave të ping-pongut apo ambienteve ku mund të merrni një sy gjumë, dhe gjithashtu është edhe shumë më efektiv. Nuk ka rëndësi se sa punonjës paguhen dhe sa të përshtatshme janë përfitimet e tyre, ata gjithmonë do të duan ta dinë se dikush kujdeset për punën e tyre. Kështu që caktoni disa minuta nga koha juaj, për t'i investuar në lavdërime të merituara. Ekipi juaj gjithmonë do t'a vlerësojë këtë.