Blog

Bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër - të punës, apo jo?

Bari është gjithmonë  më i gjelbër në anën tjetër - të punës, apo jo?

Përvoja botërore na tregon se shumica e njerëzve nuk e duan punën që bëjnë. Ose, që të jemi më të saktë, shumë prej tyre e pëlqejnë profesionin, por pëlqejnë të ushtrojnë të njëjtën gjë, në një kompani tjetër. Nuk bëjnë përjashtim këtu edhe punonjësit e shitjes. Dhe kjo ndodh sepse ata mendojnë, që në kompaninë tjetër produktet janë më të mira, kushtet e punës janë më të përshtatshme, shefi është më i mirë, paga është më e lartë, e plot arsye të tjera.  Është e rëndësishme të gjeni kënaqësi në punën tuaj. E për t'ju ndihmuar sadopak, ju propozojmë të lexoni më poshtë artikullin e Jeffrey Gitomer, që trajton këtë temë, e si gjithmonë me këndvështrimin e tij origjinal.

* * * * *

E urreni punën tuaj? Gjërat në punë nuk po shkojnë si do dëshironit? Produktiviteti ju ka rënë poshtë? Nuk po fitoni mjaftueshëm? Po mendoni largimin? Këtu kemi disa realitete nga puna, që ju ndoshta, do të dëshironit t'i merrnit në konsideratë përpara se të shkonit diku tjetër.

Së pari, kuptoni PLOTËSISHT pse-në e gjithë kësaj. Ju duhet të shikoni thellë e qartë situatën, përpara se të vendosni për të lëvizur. Çfarë po i shkakton këto ndjenja trazimi, mosbesimi apo hidhërimi?

Këtu kemi një listë arsyesh - POR, nuk duhet vetëm t'i lexoni ato. Nëse jeni të pakënaqur në punë, listoni ato arsye që kanë kuptim në rastin tuaj dhe shkruani një fjali "pse" në krah të saj. Nuk duhet vetëm të konfirmoni arsyen në mendjen tuaj, por duhet të shkoni më thellë për të zbuluar "arsyen pas arsyes".

Këtu është testi juaj i vetvetes, "pse":

  • Dështimi i sistemit të besimit tek produkti - ju nuk mendoni se produkti juaj është vërtet më i mirë se ai i konkurrencës.
  • Dështimi i sistemit të besimit tek kompania - ju keni humbur besimin në funksionimin e kompanisë.
  • Shërbim i dobët pas shitjes - ankimimet e vazhdueshme e kanë ulur moralin tuaj.
  • Shefi është bastard - për një arsye apo një tjetër, ai ose ajo nuk e ka fituar respektin tuaj.
  • Menaxhim i dobët - veprojnë vetëm në interesin e tyre, por nuk mund të shesin më mirë se ju.
  • Konflikte me kolegët ose menaxherët - nuk mund të vazhdohet kështu. Politikat.
  • Trajnimi i dobët - ju nuk jeni duke u përgatitur në mënyrë të përshtatshme për të shitur.
  • Qarkullim i lartë i personelit - ka shumë njerëz të mirë që po largohen.
  • Shumë punë - puna juaj është shumë e vështirë, dhe nuk doni të përpiqeni më shumë.
  • Pagesa e dobët - ju paguajnë ulët për mundimin që bëni.
  • Kushte të këqia pune - mungon mbështetja në shitje.
  • Biznesi ka probleme - ekonomia dhe shitjet janë duke rënë apo janë ngadalësuar.
  • Nuk ka mundësi për më lart - ndiheni si i mbërthyer në vend dhe nuk mendoni se rezultati mund të rritet.

Dhe sigurisht një arsye që mund ta keni harruar është - mund të jeni JU.

Testoni vetveten për këto arsye:

  • Qëndrimi juaj e dobët
  • Probleme të jetës familjare
  • Probleme me të ardhurat
  • Pirja e alkoolit apo marrëzi të tjera vetë-abuzimi
  • Aftësi të dobëta në shitje
  • Shprehi të dobëta të punës
  • Performancë e dobët nga ana juaj
  • Dhënie e fajit tek të tjerët në vend të marrjes së përgjegjësive
  • Stresi (i shkaktuar nga një ose disa prej arsyeve më lart)

E pra, ky është një test që "dhëmb", apo jo? A e gjetët "gjembin" tuaj? A e keni zbuluar "pse"? - apo ju e dinit tashmë dhe unë vetëm sa e konfirmova atë. Pra, tani që "lëkura" juaj u përball me realitetin, çfarë do të bëni në lidhje me të?

Por, le të mos nxitojmë kaq shumë, plako.

Unë do të doja që më parë të merrni në konsideratë disa reflektime më të thella.

Bëni këtë: Kur ju të gjeni arsyen/arsyet më kryesore, pyesni veten "PSE?”, katër herë për të dalë në rrënjë të arsyes. Kjo do të jetë arsyeja REALE.

Le të supozojmë se keni zgjedhur arsyen: Shefi im është një bastard- OK, pse? "E pra, për një gjë, ai më ushtron presion të prodhoj më shumë". OK, pse? "Sepse ai thotë se unë nuk po bëj shumë takime dhe as nuk po mbyll marrëveshje mjaftueshëm". OK, pse? "Sepse është e vështirë për të bërë shitje. Njerëzit nuk duan të blejnë".

Por kështu tingëllon se arsyeja nuk është shefi, në fund të fundit - arsyeja jeni JU.

Pra nuk është më çështje shefi. Del se është çështje trajnimi, aftësitë e tua mbi shitjen dhe çështje intensiteti.

Të gjithë punonjësit e shitjes vuajnë nga dy sëmundje të pashërueshme:

1. Sindromi - Bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër të lumit.

2. Sindromi - mola është xixëllonjë.

SË PARI PYET VETEN:

Çfarë po kërkoni në të vërtetë?

Nëse jeni duke bërë ndryshimin, kjo do t'ju çojë më lart apo më përpara?

A mund të rregullohet situata që keni?

Çfarë do të donit të bënit në të vërtetë?

Nëse largoheni prej këtu, ku do të shkoni?

Çfarë rreziqesh do të merrni parasysh duke e lënë këtë punë?

Si mendoni se një punë e re do t'ju çojë më afër qëllimet tuaja reale në karrierë?

Si mendoni se një punë e re do t'ju çojë më afër qëllimet tuaja reale monetare?

Nëse vendosni të largoheni, mos u largoni për arsye të gabuara, dhe mos u largoni në mënyrën e gabuar. Unë sapo ju kam dhënë formulën "pse?". Kjo do t'ju japë mundësinë e të kuptuarit dhe të menduarit rreth vetes tuaj. Pastaj është edhe pjesa "se si do të largoheni".

Zbatoni edhe këto 2.5 rregulla:

1. Largohuni në mënyrë profesionale. Dorëzoni njoftimin. Thoni të vërtetën.

2. Largohuni me etikë. Ktheni gjithçka. Mos "merrni" asgjë me vete. Sidomos listat e klientëve ose ndonjë prej sekreteve tregtare.

2.5 Largohuni pozitivisht. Asnjë fjalë të keqe ose proces gjyqësor. Largohuni vetëm në mënyrë paqësore. Largohuni me reputacionin tuaj të paprekur. Largohuni me një referencë.

Të largohesh apo të mos largohesh? Kjo është çështja. Është detyra juaj të gjeni përgjigje. Përgjigjen tuaj. Është një vendim i madh. Një vendim karriere. Një vendim avancimi. Dhe po, edhe një vendim për paratë.

Këshilla ime është: sigurohuni që e dini arsyen e vërtetë. Dhe sigurohuni që ta bëni atë në një mënyrë që do ta bënte nënën tuaj krenare.

Nëse jeni një nga të paktët me fat, që e DUAN punën e tyre, ju lutem, kalojani këto mendime dikujt që ankohet lidhur me atë se sa më i gjelbër mund të jetë bari diku tjetër.