Blog

Ndryshime të vogla të cilat mund t'ju ndihmojnë të bëheni person më i mirë

Ndryshime të vogla të cilat mund t'ju ndihmojnë të bëheni person më i mirë

Në mënyrë që të rriteni dhe të bëheni një person më i mirë, ju duhet të pranoni gabimet tuaja dhe gjithashtu të pranoni se ka gjëra që duhet të punoni me to! - Sonya Parker

Jo rastësisht e zgjodhëm këtë thënie, për të nxitur sadopak ata persona që dëshirojnë të bëjnë ndryshime pozitive në jetën e tyre. Gjithashtu në ndihmë do t'ju vijë dhe artikulli i Marc Chernoff i cili trajton pikërisht këtë temë. Të flasësh mbi ndryshimin personal është një temë shumë e gjërë dhe ne nuk pretendojmë se me kaq tema është ezauruar plotësisht, por sugjerimet aty do t'ju ndihmojnë për të bërë hapat e parë drejt një ndryshimi pozitiv. Duhet pak dëshirë dhe vullnet.

* * * * *

Të gjithë e dinë se duhen vetëm 30 ditë për të krijuar një zakon të ri. Pjesa më e vështirë është fillimi. Ka disa hapa të thjeshtë që mund të bëhen pak a shumë nga të gjithë, brenda një muaji. Mënyra më e mirë është që t’i merrni dy e nga dy dhe të përpiqeni t'i bëni ato çdo ditë, për 30 ditët e ardhshme. Pasi t'i keni asimiluar ato në jetën tuaj, zgjidhni një tjetër dhe bëjeni atë gjatë muajit të ardhshëm.

Dhe kur filloni me gjëra të vogla, në këtë mënyrë, nuk do të keni nevojë për shumë motivim. Akti i thjeshtë i nisjes dhe bërjes së diçkaje do t'ju japë hovin që ju duhet, dhe shumë shpejt do ta gjeni veten në një spirale pozitive ndryshimesh - nga njëri hap në tjetrin. 

  1. Përdorni fjalë që nxisin lumturinë. Zakonisht, kur unë pyes dikë "Si je?", ai përgjigjet: "Jam mirë" ose "Jam në rregull." Por një të hënë pasdite, muajin e kaluar, një koleg i ri i imi u përgjigj: "Oh, unë jam shkëlqyeshëm!” Më bëri të buzëqesh, kështu që e pyeta se çfarë po e bënte atë të ndjehej aq shkëlqyeshëm?! dhe ai tha: "Unë jam i shëndetshëm, familja ime është e shëndetshme, dhe ne jetojmë në një vend të lirë. Kështu që unë nuk kam asnjë arsye që të mos qenë i lumtur". Dallimi ishte thjesht qëndrimi i tij dhe zgjedhja e tij e fjalëve. Ai nuk ishte domosdoshmërisht më mirë se kushdo tjetër, por ai dukej njëzet herë më i lumtur. Kalojini 30 ditë të ardhshme duke përdorur fjalë që nxisin një buzëqeshje.
  2.  Provoni diçka të re çdo ditë. Shumëllojshmëria është vërtet erëza që i jep shije jetës. Ju mund të shihni ose të bëni diçka një milion herë, por ju mund të shihni ose ta bëni atë për herë të parë, vetëm një herë. Si rezultat i kësaj, eksperiencat e herës së parë shpesh lenë shenja reflektimi në mendjet tona, për pjesën tjetër të jetës. Bëni një përpjekje për të provuar diçka të re çdo ditë, për 30 ditët e ardhshme. Mund të jetë një aktivitet krejt i ri ose vetëm një përvojë e vogël, si p.sh bisedoni me një të huaj. Pasi të keni bërë topin të rrokulliset, shumë prej këtyre eksperiencave të reja do të hapin dyert për ndyshime në jetë.
  3. Kryeni një akt ndihme apo dhurimi çdo ditë. Në jetë, ju merrni atë tek e cila ju investoni. Kur ndikoni pozitivisht në jetën e dikujt tjetër, ju gjithashtu keni një ndikim pozitiv në jetën tuaj. Bëni diçka që është më e madhe se ju, diçka që ndihmon dikë tjetër të jetë i lumtur apo të vuajë më pak. Ju premtoj se do të jetë një përvojë shumë shpërblyese. Një, që me shumë gjasa, do ta mbani mend përgjithmonë.
  4. Mësoni dhe praktikoni një aftësi të re çdo ditë. Vetë-mbështetja është një çelës jetik për të jetuar një jetë të shëndetshme dhe të frytshme. Në mënyrë që dikush të jetë i pavarur, duhet të zotërojë një grup bazë aftësish, pak a shumë duke u bërë mjeshtër i tyre. Në kundërshtim me atë që ju mund të keni mësuar në shkollë, një mjeshtër në gjithçka, është shumë më i aftë për t'u marrë me jetën, se sa një mjeshtër i specializuar vetëm në një drejtim. Dhe përveç kësaj, të mësuarit e aftësive të reja është kënaqësi.
  5. Mësojini dikujt diçka të re çdo ditë. Natyrisht, të gjithë kemi pikat e tyre të forta dhe talente, të cilat mund të ndihmojnë ndjeshëm ata që na rrethojnë. Ajo që mund të jetë e lehtë për ju, mund të jetë sfiduese për të tjerët. Ne priremi që t’i marrim këto dhurata falas, shpesh mezi e vërejmë atë që kemi për të ofruar, dhe kështu, rrallë i ndajmë ato me të tjerët. Lumturia e brendshme dhe zelli vijnë nga përdorimi i këtyre dhuratave të natyrshme në mënyrë të vazhdueshme. Për çfarë ju falenderojnë njerëzit? Për çfarë e kërkojnë ata, vazhdimisht, ndihmën tuaj? Pasionet dhe talentet e shumicës së njerëzve ndihmojnë të tjerët në një mënyrë ose në një tjetër. Mbase për ju është piktura, të jepni mësime matematike, gatimi i një vakti të mirë ose të drejtoni një orë stërvitje. Për 30 ditët e ardhshme kushtojini pak kohë çdo ditë, ndarjes së talentit dhe ekspertizës tuaj, me të tjerët.  
  6. Kushtojini një orë në ditë diçkaje pas të cilës jeni të apasionuar. Merrni pjesë në diçka që ju me pasion e besoni. Kjo mund të jetë çdo gjë. Disa njerëz marrin një rol aktiv në këshillin e qytetit, disa bashkohen në besimin fetar, disa u bashkohen klubeve sociale, që të mbështesin kauza tek të cilat ata besojnë dhe të tjerë gjejnë pasion në hobitë e tyre. Në çdo rast, rezultati psikologjik është i njëjtë. Ata angazhojnë veten në diçka tek e cila ata besojnë fuqimisht. Ky angazhim sjell lumturi dhe kuptim në jetën e tyre.
  7. Trajtojini të gjithë me mirësjellje, madje edhe ata që janë të pasjellshëm me ju. Të jesh i mirë me dikë që nuk ju pëlqen nuk do të thotë që jeni fals. Kjo do të thotë, që jeni të pjekur mjaftueshëm për të kontrolluar emocionet tuaja. Trajtojini të gjithë me mirësi dhe respekt, madje edhe ata që janë të pasjellshëm me ju - jo sepse ata janë të mirë, por sepse ju jeni. Bëjeni këtë për 30 ditë dhe ju garantoj se do ta shihni që ashpërsia rreth jush do të zhduket. 
  8. Përqëndrohuni në të qenit pozitiv në çdo kohë. Fituesit e vërtetë në jetë kultivojnë optimizëm. Ata kanë aftësinë për të prodhuar lumturinë dhe drejtimin e tyre. Nuk ka rëndësi se si është situata, personi i suksesshëm është ai i cili gjithmonë do të gjejë një mënyrë për të sjellë një perspektivë optimiste mbi gjërat. Ai e njeh dështimin vetëm si një mundësi për tu rritur dhe për të mësuar një mësim të ri nga jeta. Njerëzit të cilët mendojnë me optimizëm e shohin botën si një vend të mbushur me mundësi të pafundme, sidomos gjatë herëve që përpiqen. Mundohuni t'i kaloni 30 ditët e ardhshme duke parë anën e ndritshme të gjërave.