6 Arsye pse kalimi nga një punë tek tjetra është OK
Arsyeja, pse u mendua të ndahej me lexuesit ky artikull, është se shumë prej profesionistëve e kanë të vështirë të lëvizin nga vendet e tyre të punës, edhe pse nuk janë të përmbushur, vetëm nga druajtja se mos i quajnë të paqëndrueshëm.
Në të vërtetë, ProspecTime e solli këtë artikull të Michelle Kruse, për ata të cilët nuk e duan “zonën e rehatisë” dhe duan të dalin prej saj, për të lulëzuar fuqishëm në vende të reja plot shpresë dhe motivim për të punuar. Natyrisht që tema trajtohet ne kushtet e SHBA, por fenomeni është prezent edhe këtu, dhe nuk është e vështirë të bësh paralelizmin.
Ndryshimi, është e vërtetë që ka rezistencën e pjesës më të madhe të njerëzve, por personat të cilët guxojnë të ndryshojnë, janë ata që e kanë bërë historinë e sipërmarrjes, të vlefshme.
John C. Maxwell ka thënë: "Në qoftë se jemi duke u rritur, ne do të jemi gjithmonë jashtë zonës tonë të rehatisë”.
Ai na kujton se ne duhet të qëndrojmë në zonën tonë të forcës, por të dalim jashtë zonës tonë të rehatisë.
Ai thotë: “Aftësitë, tek të cilat ju do të përqëndroheni t’i rrisni, duhet të jenë fushat në të cilat ju keni një aftësi të natyrshme, kjo është më efektive në krahasim me përpjekjen për të mbështetur dobësitë. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të jeni rehat. Dalja jashtë zonës tuaj të rehatisë ndodh kur ju keni marrë përsipër një sfidë që është më e madhe se ju. Dhe kjo sfidë më e madhe jep shpërblime të mëdha."
* * * * *
Shumë profesionistë kanë turp të ndërrojnë vendet e punës në mënyrë të rregullt, të frikësuar se mos i konsiderojnë si të krisur ose edhe i quajnë “hop këtu e hop aty” nëpër punë të ndryshme. Dhe ndërsa ka diçka për t'ju thënë për qëndrueshmërinë dhe komoditetin që vjen nga një pozicion afatgjatë, nganjëherë lëvizja nga një vend pune në një tjetër mund të jetë e dobishme për karrierën tuaj.
Ndryshimi i shpeshtë i punës nuk ka qenë gjithmonë kaq i pranuar. Në fakt, ai ishte dekurajues deri kohët e fundit. Brezat e kaluar prireshin të favorizonin punonjësit që tregonin forcën për të qëndruar, dhe nuk ishte e pazakontë për dikë, që të qëndronte me një kompani për 30 vjet, para se të dilte në pension. Por ndërsa teknologjia e ka transformuar vendin e punës, edhe qëllimet dhe pritshmëritë profesionale të njerëzve kanë ndryshuar, po ashtu edhe pikëpamja e shumicës së punëdhënësve, të asaj që është e pranueshme në një CV.
Kini parasysh se kalimi nga një vend pune në një tjetër, një herë në disa muaj, është ende një "flamur i madh i kuq", kështu që jini të arsyeshëm, ju nuk doni të dilni si jo të besueshëm. Mundohuni që të qëndroni mesatarisht të paktën dy vjet në secilën punë, kjo ju jep kohë të mjaftueshme për të marrë sa më shumë që të mundeni nga pozicioni.
Megjithatë, kur ju të filloni të ndiheni të gatshëm për sfida të reja, mos e kufizoni veten për të pritur për një pozicion të përshtatshëm të hapet në kompaninë tuaj të tanishme.
Lexoni gjashtë arsyet pse lëvizja mund t'ju bëjë të përfitoni në karrierën tuaj.
- Gjeni punën e ëndrrave tuaja.
Ne nuk fillojmë gjithmonë në punën e ëndrrave tona, edhe jo domosdoshmërisht e dimë se cila është ajo punë. T'i jepni vetes mundësinë për të provuar ujërat në kompani të ndryshme do t'ju ndihmojë të kuptoni se çfarë ju pëlqen dhe cfarë nuk ju pëlqen. Dhe kur jeni në kërkim për mundësinë e radhës, do ta dini saktësisht se çfarë ju përshtatet dhe çfarë jo, në aspektin e përshkrimit të punës, mjedisit të zyrës dhe kulturës së kompanisë.
- Bëni më shumë para.
Ndryshuesit e punës kanë mundësinë për të rritur pagën e tyre në një shkallë shumë më të lartë dhe më shpejt, krahasuar me punonjësit që qëndrojnë në një vend. Një punonjës që rri në të njëjtin rol, e rrit pagën e tij me një normë mesatare prej 3 për qind në vit. Nga ana tjetër, Unë kam njohur ndryshues punësh që kanë shkuar nga një pagë prej 35.000 $ në vit në 60,000 $ plus në rreth pesë vjet, pas ndryshimit çdo dy vjet. Me fjalë të tjera, qëndrimi në të njëjtën punë për pesë vjet, tregon se keni bërë rreth 20,000 $ më pak se kolegët tuaj më të lëvizshëm në të njëjtën industri.
- Avancimi i karrierës suaj më shpejt.
Përveç rritjes se pagës, Ndryshimi i punës është provuar se i ndihmon punonjësit të përparojnë shumë më shpejt në karrierë. Ndërsa mund të duhet një kohë e gjatë për të ngjitur shkallët në një organizatë (veçanërisht në një organizatë të vogël), ju keni shumë më shumë gjasa për të vazhduar një rrugë në rritje, në qoftë se jeni vazhdimisht në vëzhgim për pozicione që i përshtaten aftësive tuaja brenda dhe jashtë vendit të punës së tanishme.
- Shijoni dhe kini kënaqësi më të madhe profesionale.
Disa njerëz janë shumë të lumtur që punojnë për të njëjtën kompani për shumë vite. Të tjerët përfundimisht, do të fillojnë të ndjehen të mërzitur dhe të pakënaqur. Edhe me ngritjet e rregullta në detyrë, të punuarit në të njëjtën zyrë me të njëjtit njerëz vit pas viti mund të bëhet monotone me kalimin e kohës. Nga ana tjetër, punonjësit që ndryshojnë rutinën e tyre një herë në disa vjet, kanë mundësinë për të mësuar aftësi të reja, të kenë më shumë kontakte dhe të përjetojnë një ndjenjë më të madhe përmbushje dhe arritje.
- U bëni përshtypje menaxherëve të punësimit.
Besojeni apo jo, menaxherët e punësimit jo domosdoshmërisht do të jenë të mbyllur ndaj një CV-je "të ngjeshur". Në fakt, kam vënë re se menaxherët e punësimit i anashkalojnë aplikantët të cilët kanë qenë të punësuar vetëm me një kompani për një kohë të gjatë, sepse përvoja e tyre është më e kufizuar dhe ata duken të frikësuar nga ndryshimi. Në sytë e disa rekrutuesve, ekziston rreziku i aplikantit që ka probleme me përshtatjen në mjedisin e ri dhe përfundimisht të kthehen te punëdhënësit e tyre të mëparshëm. Të paturit pak larmi në CV u tregon rekrutuesve se ju jeni fleksibël dhe se do të kaloni lehtësisht në një pozicion të ri.
- Rritja e madhësisë së rrjetit tuaj të njohjeve.
Kur keni qenë në të njëjtën kompani për shumë vite, rrjeti juaj ka tendencë të bëhet goxha i ndenjur. Kur keni punuar për disa kompani të ndryshme, ju mund ta zgjeroni ndjeshëm listën tuaj të kontakteve profesionale. Vetëm sigurohuni që të mos prishni asnjë urë kur të lëvizni, sepse referencat janë çelësi për një person që ndryshon shpesh vendin e punës.