Mënyra më e mirë për të mundur Zvarritjen
Nëse e lejoni veten të shtyni vazhdimisht fillimin apo përfundimin e detyrave të rëndësishme, në fakt nuk jeni vetëm. Shumë njerëz i shtyjnë gjërat për më vonë në një farë mase, e disa të tjerë e bëjnë këtë vazhdimisht. E gjitha kjo rezulton me një kosto të lartë dhe çelësi për ta kontrolluar dhe riparuar këtë zakon të dëmshëm është ta njohësh atë, të kuptosh pse ndodh dhe ta ndryshosh. Pikërisht për këte flet artikulli i Jim Rohn, që po jua sjellim më poshtë, i cili sugjeron dy parime të fuqishme që nxisin produktivitetin dhe këmbënguljen, në vend të pasivitetit dhe zvarritjes.
* * * * *
Këmbëngulja është po aq e rëndësishme për arritjet, sa ç’është benzina për të ngarë makinën. Sigurisht, do të ketë raste kur do të ndjeni se diçka ka nën rrota, por gjithmonë do të dilni nga rutina, vetëm me një këmbëngulje të vërtetë. Pa atë, ju nuk do të jeni në gjendje të ndizni motorrin tuaj.
E kundërta e këmbënguljes është zvarritja. Këmbëngulje do të thotë, që kurrë nuk duhet të ndaloni. Zvarritje, zakonisht do të thotë, që asnjëherë nuk do doni të filloni, edhe pse paaftësia për të përfunduar diçka, është gjithashtu një formë e zvarritjes.
Pyesni njerëzit, pse i shtyjnë për më vonë gjërat që duhet të bëjnë, dhe shpesh do të dëgjoni si përgjigje diçka si kjo: "Unë jam perfeksionist. Çdo gjë duhet të jetë në vendin e saj, para se të filloj të punoj. Pa shpërqëndrim, pa shumë zhurma dhe sigurisht që duhet të ndjehem edhe mirë fizikisht. Unë nuk mund të punoj edhe kur kam një dhimbje të lehtë koke". Ana tjetër e zvarritjes - të mos jesh në gjendje të përfundosh punën e nisur, ka edhe një shpjegim perfeksionist: "Unë nuk kënaqem kurrë, unë jam kritik i ashpër i vetes, nëse nuk janë të gjitha pikat mbi i, nuk mund të mendoj dot se e kam përfunduar punën. Kështu jam unë dhe ndoshta kurrë nuk do të ndryshoj".
A e shihni se çfarë po ndodh këtu? Një gabim është duke u kthyer në një virtyt. Perfeksionisti po thotë se standardet e tij janë shumë të larta për këtë botë. Ky sindrom i kthimit të fajit në virtyt, është mbrojtja më e zakonshme që bëjnë njerëzit, kur diskutohen dobësitë e tyre, por në fund të fundit, kjo është vetëm një lloj shumë i rafinuar i kërkim-faljes. Por kjo (perfeksionizmi) sigurisht që nuk ka të bëjë fare me atë, që është në të vërtetë pas zvarritjes.
Mos harroni, baza e zvarritjes mund të jetë frika nga dështimi. Kjo është ajo që në të vërtetë fshihet pas përsosmërisë, dhe këtë e kuptoni sapo të thelloheni pak në të. Cili është dallimi midis të pasurit frikë nëse je më pak se i përsosur apo frikës nga ndonjë gjë tjetër? Në të dy rastet jeni të paralizuar nga frika. Cili është dallimi midis të mos filluarit dhe të mos përfunduarit? Ju në të dy rastet keni ngecur në vend e nuk po shkoni gjëkundi. Ju ende vazhdoni të jeni plotësisht i trullosur nga detyra që keni përpara. Ju ende po e lejoni veten të dominoheni nga një vizion negativ i së ardhmes, në të cilën ju e shihni veten duke u kritikuar, duke u qeshur apo dënuar. Ky vizion negativ për të ardhmen është me të vërtetë një mekanizëm që nuk ju lejon të bëni gjë. Është një mjet mendor shumë i përshtatshëm.
Unë do ju tregoj se si të mundni zvarritjen. Unë do ju tregoj se si të ktheni zvarritjen në këmbëngulje, dhe në qoftë se e bëni atë që do ju sugjeroj, procesi do të jetë pothuajse pa dhimbje. Kjo përfshin përdorimin e dy parimeve, shumë të fuqishme, që nxisin produktivitetin dhe këmbënguljen në vend të pasivitetit dhe zvarritjes.
Zbërthejeni në pjesë
Pa marrë parasysh se çfarë po përpiqeni të bëni, po shkruani një libër, po ngjisni një mal apo po lyeni shtëpinë, çelësi për të arritur aty ku dëshironi është aftësia juaj për të ndarë detyrën në pjesëza të menaxhueshme dhe kryerjen e tyre një nga një. Fokusohuni në realizimin e asaj pjese, që duhet në këtë moment. Injoroni për momentin pjesët e tjera që qëndrojnë në pritje. Mendoni pozitivisht për momentin dhe mos e përqëndroni vemendjen tek vizualizimi negativ i të ardhmes, për shkak të mospërfundimit të plotë të detyrës.
Supozoni që po ju kërkoj, nëse mund të shkruani një roman 400 faqesh. Tingëllon e pamundur, apo jo? Por, po mendoj t'ju kërkoj diçka tjetër. Tani po ju kërkoj që të shkruani një faqe e çerek në ditë për një vit. A mendoni se mund ta bëni këtë? Tani detyra është duke filluar të duket më e menaxhueshme. Ne e kemi copëzuar librin prej 400-faqesh në copëza që mund të "përtypen". Por edhe kështu, unë dyshoj që shumë njerëz, ende do të gjejnë elementë frikësues. A e dini pse? Shkrimi i një faqe e cerek nuk mund të duket aq keq, por ju frikëson afati: një vit i tërë. Kur njerëzit fillojnë të shikojnë kaq shumë përpara, shumë prej tyre e shikojnë automatikisht në një mënyrë negative. Por, më lejoni ta formuloj idenë e shkrimit të një libri në një mënyrë tjetër. Më lejoni ta copëzoj edhe më shumë.
Po mendoj t'ju pyes nëse ju mund të plotësoni me fjalë, një faqe e cerek - jo për një vit, jo për një muaj, as edhe për një javë, por vetëm sot? Mos shikoni përpara më shumë se kaq. Tani besoj se shumica e njerëzve do ketë besim të deklarojë se mund ta bëjnë këtë. Këta janë të njëjtit njerëz që ndiheshin krejtësisht të paaftë për të shkruar një libër të tërë.
Nëse do t'i them të njëjtën gjë këtyre njerëzve nesër, dhe në qoftë se do t'u them, që nuk dua që të shikoni mbrapa dhe nuk dua që të shikoni as përpara, por vetëm dua që ju të plotësoni një faqe e çerek këtë ditë - a mendoni se mund ta bëjnë këtë?
Një gjë çdo ditë. Ne të gjithë e kemi dëgjuar këtë shprehje. Kjo është ajo që jemi duke bërë këtu. Ne jemi duke e copëzuar kohën e nevojshme për një detyrë të madhe në segmente të një dite, dhe po e copëzojmë punën për shkrimin e një libri 400 faqesh në pjesëza – në një faqe e një çerek.
Mbajeni këtë ritëm për një vit, dhe do të shkruani librin. Disiplinojeni veten për të mos parë as përpara dhe as prapa, dhe do të mund të arrini gjëra që kurrë nuk i keni menduar që do të mund t'i bëni. Dhe e gjitha fillon me këto tre fjalë: Zbërthejeni në pjesë.
Shkruajeni.
Ne e dimë se sa e rëndësishme është të shkruarit në vendosjen e objektivave apo qëllimeve. Të shkuarit që ju do të bëni për të luftuar zvarritjen është shumë e ngjashme. Në vend të përqëndroheni në të ardhmen, ju do të shkruani në lidhje me të tashmen ashtu si do ta përjetoni atë çdo ditë. Në vend të përshkruani gjërat që doni të bëni apo vendet që doni të shkoni, ju do të përshkruani atë që në të vërtetë po bëni me kohën tuaj, dhe do të mbani shënim me shkrim, vendet që në të vërtetë po shkoni.
Me fjalë të tjera, do të mbani një ditar të aktiviteteve tuaja. Dhe do të ngeleni të habitur nga shpërdorimi i kohës që ju ndodh gati gjatë gjithë rrjedhës së një ditë. Të gjitha këto ju pengojnë në rrugën e arritjes së qëllimeve tuaja. Për shumë njerëz, kjo do të tregojë se ata e kanë planifikuar atë në këtë mënyrë, por ndoshta edhe se e bëjnë në mënyrë të pandërgjegjshme. Gjëja më e mirë në lidhje me mbajtjen e një ditari, është se ai i zbulon të gjitha këto dhe ne mund t'i shohim. Kjo ju detyron të shikoni atë që në të vërtetë jeni duke bërë, dhe atë që nuk po e bëni.
Ditari juaj nuk duhet të jetë ndonjë gjë e përpunuar. Vetëm një bllok i vogël që mund ta mbani në xhepin tuaj. Kur shkoni për drekë, kur ngisni makinën nëpër qytet, kur bëni fotokopjet etj, bëni një shënim të shpejtë të kohës së fillimit dhe mbarimit të aktivitetit. Mundohuni ta bëni këtë me simbole, sa më shpejt të jetë e mundur; në qoftë se është e papërshtatshme për ta bërë atë menjëherë, mund ta bëni më vonë. Por duhet të mbani një shënim në ditarin tuaj, për një kohë të paktën një herë çdo 30 minuta, dhe duhet ta bëni këtë për të paktën një javë.
Zbërthejeni në pjesë. Shkruajeni. Këto dy teknika janë shumë të thjeshta. Por mos lejoni që zvarritja t'ju mposhtë: Këto janë teknika të fuqishme dhe efektive. Kjo është mënyra se si të mundni zvarritjen. Kjo është mënyra se si të filloni.