Nuk është kompania. Janë njerëzit në kompani. Jeni ju.
Një ngjarje e para disa ditëve, më kujtoi këtë artikull të Jeffrey Gitomer, që e kisha lexuar shumë kohë më parë. Por ngjarja, në një nga dyqanet e Tiranës, e bën shumë aktual artikullin. Shkurt, ngjarja është kjo: duke menduar të blinim diçka për sezonin pranveror, në një dyqan me emër, në një nga qëndrat tregëtare, dikush nga ne, provoi disa veshje njëra pas tjetrës, me ndihmën e punonjësve të dyqanit. Shitësat, ishin shumë të impenjuar që të na shërbenin sa më shpejt. Në momentin e fundit kur vendosëm të paguanim, ndodhi diçka. Ne kërkuam të paguanim me kartë krediti, por dyqani nuk e krijonte këtë mundësi. E për shkak se ne nuk kishim para të mjaftueshme me vete, nuk blemë gjë. Ndërkohë, pamë edhe diçka tjetër që donim ta provonim, me idenë se do të ktheheshim për ta blerë, bashkë me artikujt e tjerë, por shitesat ishin “zhdukur” si me magji, e asnjë prej tyre nuk dëshironte të afrohej për të na ndihmuar. Kjo, sepse ata nuk realizuan shitje atë ditë, me ne. E kuptoni vetë, çfarë gjendje krijon kjo gjë tek blerësi, e në këtë gjendje u gjendëm edhe ne.
Do të dëshiroja që këtë artikull, ta lexonin kryesisht drejtuesit dhe punonjësit e kompanive të shitjeve dhe/ose shërbimeve, e le të diskutojmë, nëse ajo që rekomandohet, e korrigjon këtë situatë ose të tjera, që mund të keni hasur.
* * * * *
Kur ju shkoni për të parë ose të blerë diçka në dyqanin apo ambientin e biznesit të dikujt, çfarë prisni?
Shumica e njerëzve (ku përfshihemi ju dhe unë) presim dikë miqësor, dikush që na ndihmon kur kemi nevojë, të shërbehemi në kohën e duhur, të na japin vlerën në mënyrë të ndershme, të na prezantohen produkte me cilësi, të na e bëjnë procesin të shpejtë dhe të lehtë dhe të falenderohemi pavarësisht nëse bëjmë ose jo blerje apo biznes.
Por çështja është: Çfarë merrni? Në mënyrë tipike, ju merrni një mirëseardhje mekanike, dikush që ju thotë nën zë: "A mund t'ju ndihmoj?" e ndjekur kjo, nga përshkrimi se çfarë nuk mund të bëjnë, krahasuar me çfarë mund të bëjnë, një tufë fjalish me praninë e tepruar të fjalës “politika, rregulli” dhe paaftësia e tyre që të kuptojnë, se vetëm për shkak se atyre ju mungon një artikull, nuk do të thotë se ju ende e doni apo keni nevojë për të, dhe, nëse po, ata mund të shkojnë tek konkurenti i tyre për ta marrë. Pak a shumë kështu, e shoqëruar kjo, edhe me pak vrazhdësi.
Tani, ndoshta e kam ekzagjeruar pak. Por, ju premtoj, jo shumë.
Dhe pjesa më interesante është që shumë kompani kanë shumë njësi apo dyqane, ku produktet janë të njëjta, po ku shërbimi nuk njihet nga një vend tek tjetri. Një dyqan mund të jetë fantastik, ndërsa tjetri mund të jetë patetik.
Mospërputhja e performances së njerëzve, mund ta ngrejë ose shkatërrojë një biznes.
Këtu është ajo që do t’ju bëjë ju, ose dikë pranë jush, ose dikë në një punë që e konsideron nën nivelin e tij, apo dikë që e urren punën, të kuptojë formulën për të zhvilluar një karrierë më të mirë - e sigurisht një punë më të mirë:
- Lumturia juaj e brendshme. Lumturia nuk është një punë, është edhe një person.
- Qëndrimi juaj ndaj punës. A shkoni vetëm për të kaluar kohën për një rrogë? Apo jeni aty për të fituar pagën tuaj me punë të vështirë?
- Vet-vlerësimi dhe imazhi juaj. Si ndiheni në lidhje me veten?
- Dëshira juaj për të shërbyer.
- Angazhimi juaj për të qenë më i miri.
- Shefi juaj dhe ajo se si shefi ju trajton juve, do të reflektohet në performancën e punës tuaj.
- Duke parë punën tuaj si një shërbëtor, e jo si një shkallë drejt karrierës tuaj. Kjo nuk është "vetëm punë", është " një mundësi".
- Krenari për suksesin tuaj personal.
- Përfytyrimi se ju jeni në një shfaqje, dhe që veprimi juaj i tanishëm do të diktojë suksesin tuaj të ardhshëm.
9.5 Çdo e sotme është një dritare për çdo të nesërme tuajën.
Kompanitë shpenzojnë miliona, ndonjëherë miliarda dollarë, në reklama, brandime, paraqitjen e produkteve, ndërtimin e strategjive dhe në çdo element marketingu, pasi ata besojnë se kjo do të sjellë suksesin e biznesit. Por nëse ka njerëz të përfshirë, marketing nuk do të thotë asgjë, nëse njerëzit nuk janë në lartësinë e duhur.
Shpesh unë i pyes njerëzit, "Si po shkon puna?" dhe marr përgjigje zhgënjyese si, "Edhe tre orë, dhe mbyllet orari për sot". Ose "Është e premte". Çfarë lloj përgjigje janë këto? Çfarë tregojnë ato, se çfarë lloj punonjësish janë ata, as më pak e as më shumë, se çfarë lloj shërbimi ofrojnë me qëndrimin e tyre?
Kur shkoni në një hotel, një biznes pesëdhjetë million dollarësh qëndron mbi supet e nëpunësit pas tavolinës. Kjo është ndjenja e parë që keni. Në një biznes të shitjes me pakicë, nuk është ndryshe. Të gjitha reklamat ju ftojnë për të ardhur në dyqan. Por aty, kjo është e gjitha e lidhur me punonjësit e shitjes me pakicë. Tani bëjnë reklama edhe mjekët dhe dentistët. Por, është personi që përgjigjet në telefon që i jep një pasqyrim të vërtetë asaj se si mund të jetë mjeku ose dentisti.
Si është kompania juaj? A keni njerëz që punojnë aty, dhe e urrejnë punën e tyre? A keni njerëz me "Qëndrim?".
Ja se çfarë mund të bëni:
- Vendosni shembullin duke qenë ju më i miri dhe duke bërë më të mirën.
- Mblidh rreth vetes fituesit, jo qaramanët.
- Krijoni praktikat më të mira të Shërbimit dhe bëj që të gjithë t’i zbatojnë ato.
- Organizoni trajnime të brendshme javore mbi qëndrimin pozitiv.
- Shikoni në kompanitë më të mira për praktikat më të mira, që mund t’i përshtasni dhe miratoni.
- Bëj më të mirën tënde, në çdo gjë, çdo ditë.
6.5 Puno me qëndrimin tënd. Ju duhet të mendoni se do të keni SUKSES para se suksesi të vijë tek ju.
Rrënja e fjalës “juaj” është JU. Çdo punonjës ka përgjegjësinë e përfaqësimit të kompanisë së tij, tek klientët, në një mënyrë që pasqyron imazhin dhe reputacionin e nevojshëm, për të ndërtuar apo për të mbajtur një pozicion udhëheqës.
Çdo gjë më pak se "shumë e mirë" nuk është e pranueshme. Por këtu është sekreti: Mos e bëni atë për kompaninë tuaj - bëjeni për veten tuaj. Zhvilloni krenarinë personale, duke bërë më të mirën në punë tuaj, edhe nëse kjo nuk është karriera juaj.
Fituesit e vërtetë janë të paktë dhe shumë larg. Dhe ta bëni veten tuaj një të tillë, është një zgjedhje.