Arti (i humbur) i dëgjimit
Ndërsa po zhvillonim përgatitjen e workshop-it me temë “Komunikimi dhe zgjidhja e konfliktit”, ndërmjet materialeve të tjera, shkrimi i Robin Dance (këtu më poshtë), mori një vemendje të veçantë, edhe për shkak të aktualitetit që hasim në aktivitetin tonë çdo ditë. A ju ndodhin edhe juve të njëjtat situata si përshkruhen më poshtë dhe ndani të njëjtin mendim me të? Jemi në pritje të komenteve tuaja.
Kjo është ajo që u kam thënë fëmijëve të mi, para se ata të mund t’i kuptonin më mirë gjërat: “Zoti ju ka dhënë dy veshë dhe një gojë, në mënyrë që të dëgjoni dy herë më shumë se sa të flisni”.
Në fakt, edhe vetë do të bëja mirë të ndiqja të njëjtën këshillë. Po shumica prej nesh?
Dëgjimi dhe të dëgjuarit aktiv, është një art që po vdes.
Kultura e sotme, po haset me mungesën e vëmendjes dhe shpërqëndrimin, të cilët janë aq afër sa pëllëmba e dorës. Kur jeni duke i dërguar mesazhe dikujt, por jeni ulur me dikë tjetër, është e pamundur që të jeni plotësisht i pranishëm. Facebook, Twitter, Instagram (apo cilido rrjet social i preferuar nga ju), janë në kërkim të monstrave të vegjël me orekse të pangopura. Ato vetë duan të jenë aplikacione të heshtura, por sigurohen që të bëjnë zhurmë të madhe.
Në një farë mënyre, duket sikur ne kemi rënë dakord për të pranuar këtë mungesë edukate.
Është një skenë që e kam parë të përsëritet shumë herë: një familje me fëmijë, ose një grup adoleshentësh, të cilët kanë dalë jashtë për darkë, dhe të heshtur, me kokat poshtë, të gjithë me telefona në dorë. Sa herë e shoh, më thyhet zemra.
Mungesa e të dëgjuarit, nuk është i lidhur vetëm për keqpërdorimin e celularit. A mund të mendoni për një çast, kur ju po bisedoni me dikë, dhe para se të përfundoni fjalinë tuaj, ai/ajo ka filluar tashmë të ndajë versionin e tij/saj për një histori të ngjashme? Para se ju të përfundoni historinë apo mendimin tuaj, ai/ajo ka filluar përgjigjen.
Nuk po i vë gishtin askujt, miqtë e mi. Se kur vjen puna te të dëgjuarit me gjysëm veshi, unë kam qenë "Shefi i Abuzuesve". Nëse po ju shkel në kallo, më mirë. Kjo do të thotë se paskam shokë që e ndajnë mendimin me mua.
Personalisht, kam dalë në përfundimin, se dëgjimi aktiv është një aftësi e vlefshme për t’u zhvilluar, e cila për një arsye apo një tjetër, është duke u bërë një cilësi gjithnjë e më e rrallë.
Unë shpesh bisedoj me fëmijët e mi, në lidhje me rëndësinë e të dëgjuarit mirë, me shpresën që ata të kuptojnë vlerën e saj, si për vete dhe për të tjerët. Kjo është një gjë e thjeshtë që do t’i veçojë ata dhe besoj se do të sjellë ndryshim në jetën e tyre, në profesion dhe në shërbimin e tyre ndaj të tjerëve. Por pa i kushtuar vemendje, kjo nuk ndodh.
Për disa, mbase po them qartë, atë që ju tashmë e dini dhe e praktikoni. Ndërsa për të tjerët, ju lutem, konsiderojeni këtë si një analizë të butë të realitetit, që duhet marrë parasysh. Sa mirë po i dëgjoni personat, që i doni dhe ata me të cilët keni kontakt gjatë gjithë ditës?
Ja disa hapa për t'u bërë një dëgjues aktiv:
1. PYESNI familjen tuaj nëse jeni, apo jo, një dëgjues i mirë.
Jepuni atyre mundësinë të jenë shumë të ndershëm e të sinqertë, dhe si pasojë e përgjigjeve të tyre, ju do të bëheni një dëgjues më i mirë.
2. SHIKOJI njerëzit në sy, kur jeni duke biseduar.
E di, e di, që e dini këtë, por sa e praktikoni? Është sfidë që t’i shikosh njerëzit drejtpërdrejt në sy. Sapo të filloni t’i kushtoni vëmendje, do ta kuptoni sa larg keni qënë më përpara.
3. HIQENI telefonin nga dora, sa herë që është e mundur.
Do të ketë gjithmonë një justifikim të fortë, për ta mbajtur telefonin afër, kur keni dalë me bashkëshortin/bashkëshorten tuaj ose me miqtë, por janë disa gjëra të cilat e tregojnë më mirë, rëndësinë e dashurisë dhe dëshirën për të kaluar kohë me miqtë, dhe një nga këto, është vëmendja e vazhdueshme. Fëmijët e të gjitha moshave e kuptojnë kur jeni duke i dëgjuar me vemendje, dhe kur i dëgjoni gjysma-gjysma. Kam vetë fëmijë, të rritur tashmë, dhe jam i vetëdijshëm për kohën e çmuar, të kaluar së bashku, tani më shumë se kurrë. Personalisht, nuk dua që celulari të ma vjedhë këtë moment. Kam frikë, se kur ata ishin të vegjël, më janë vjedhur shumë momente në mënyrë të panevojshme.
4. “MBAJENI” gojën.
Pse është kaq e vështirë? Është e bezdisshme në fakt, kur dikush më ndërpret përpara se unë të përfundoj fjalinë, por shpesh e gjej veten duke bërë të njëjtën gjë. Por, për shkak se unë dua të dëgjoj me vemendje, jam duke punuar për këtë gjë. Dua të kujdesem mjaftueshëm, për atë që të tjerët kanë për të thënë, dhe dua t'ju jap atyre kohë të mjaftueshme për të folur.
5. JINI të NDJESHËM ndaj asaj që po thuhet.
Ndonjëherë, ata me të cilët po bisedoni, nuk duan që të flisni. Ky është rasti, kur dëgjimi aktiv përbën një ndryshim të madh. Ju duhet ta dini, kur është rasti për t'i dhënë bashkëbiseduesit, kohë dhe hapësirë, që të nxjerri çfarë ka përbrenda. Përgjigja juaj e vetme mund të jetë: tundja e kokës me ndjeshmëri, mbajtja e dorës së personit tjetër ose t’i përqafoni ata fort.
6. JINI plotësisht të PRANISHËM.
Të dëgjuarit aktiv, i tregon personit me të cilin jeni, që ata janë të rëndësishëm. Kur nuk shpërqëndroheni dhe nuk lejoni t'ju tërheqin vëmendjen, njerëzit e kuptojnë këtë dhe dinë të bëjnë dallimin.
Mos vallë po e përsëris disa herë atë që është e dukshme?
E keni vënë re, se si në aspektin kulturor, e kemi anashkaluar të dëgjuarit aktiv?
Cilat mendoni se janë disa sugjerime ose praktika shtesë që duhen për t'u bërë një dëgjues i mirë?