Blog

8 Arsye mbi rëndësinë e Trajnimit dhe Zhvillimit të punonjësve

8 Arsye mbi rëndësinë e Trajnimit dhe Zhvillimit të punonjësve

(25 Janar 2016) Në takime dhe diskutime të zakonshme gjatë punës, shpesh kemi hasur në hezitimin e bashkëbiseduesve, lidhur me atë nëse është i rëndësishëm dhe ku konsiston në të vërtetë trajnimi dhe zhvillimi i punonjësve. Duke kërkuar një përgjigje sa më të plotë mbi këtë temë, më poshtë po ju sjellim një shpjegim të përmbledhur. Njëkohësisht ky material mund të përdoret nga drejtuesit e departamenteve brenda organizatës apo kompanisë, për të argumentuar ndaj vendimarrësve kërkesat për aktivitete në këtë drejtim.

Trajnimi dhe zhvillimi i karrierës janë me rëndësi jetike në cdo kompani apo organizatë që synon ecjen përpara. Kur flasim për Trajnim, shpesh i referohemi thjesht si proces i marrjes të aftësive thelbësore, të nevojshme për një punë të caktuar. Ai synon qëllime specifike, si për shëmbull: të kuptuarit e një procesi, se si punon një makineri apo një sistem i caktuar. Zhvillimi i karrierës, nga ana tjetër, e vë theksin në zgjerimin e aftësive, të cilat janë të zbatueshme në një gamë të gjerë situatash. Kjo përfshin vendim marrjen, të menduarit në mënyrë krijuese dhe menaxhimin e njerëzve.

Po pse themi se trajnimi dhe zhvillimi është me rëndësi jetike? Më poshtë do mund të lexoni disa nga arsyet, të cilat duhen konsideruar para marrjes së vendimit për të ndjekur personalisht trajnime të caktuara, apo të vendosni të trajnoni ekipet tuaja ...

1. Ndihmon ti kushtohet vëmendje dobësive të punonjësve:

Shumica e punonjësve kanë dobësi të caktuara në vendin e punës, të cilat i pengojnë që të ofrojnë shërbime më të mira. Trajnimi ndihmon në eliminimin e këtyre dobësive, duke forcuar aftësitë e punonjësve. Një program zhvillimi i organizuar mirë, i ndihmon punonjësit të fitojnë aftësi dhe njohuri, duke i ngritur, në mënyrë uniforme, njohuritë e tyre në një nivel më të lartë. Kjo do të thotë se e tërë fuqia punëtore është e besueshme, kështu kompania apo organizata nuk do të vazhdojë të mbështetet vetëm në disa punonjës të veçantë.

2. Përmirëson performancën e punonjësve:

Një punonjës i trajnuar siç duhet, bëhet shumë më i informuar për procedurat dhe detyrat e ndryshme. Trajnimi dhe zhvillimi, gjithashtu rrisin besimin në vetvete të punonjësve. Ky besim vjen nga fakti, se punonjësi është plotësisht i vetëdijshëm për rolet dhe përgjegjësitë e tij. Kjo i ndihmon punonjësit të kryejnë detyrat në mënyrë më të mirë, dhe madje edhe të gjejnë ide të reja për kryerjen e detyrave të përditshme.

3. Ruan vazhdimësinë e performancës së lartë:

 Një program trajnimi dhe zhvillimi i organizuar mirë, u jep punonjësve njohuri dhe përvojë të vazhdueshme. Vazhdimësia është me rëndësi jetike kur është fjala për procedurat dhe politikat e një organizate apo kompanie. Kjo është e rëndësishme vecanërisht për procedurat administrative dhe etikën gjatë ekzekutimit të detyrës.

4. Siguron që punonjësit të jenë të kënaqur:

Trajnimi dhe zhvillimi i bën punonjësit të ndjehen të  kënaqur me rolin që ato luajnë në kompani apo organizatë. Kjo nxitet nga rritja e aftësimit që ata fitojnë, për të ekzekutuar detyrat e tyre. Ata mendojnë se i përkasin kompanisë apo organizatës për të cilën ata punojnë dhe e vetmja mënyrë për t’ja shpërblyer është që të ofrojnë sa më shumë që munden, shërbime më të mira.

5. Rrit produktivitetin:

Nëpërmjet trajnimit dhe zhvillimit punonjësi fiton të gjitha njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për detyrat e ditës. Punonjësit mund ta kryejnë detyrën në një shkallë më të shpejtë dhe me më efikasitet, duke rritur produktivitetin e përgjithshëm të kompanisë. Ata gjithashtu fitojnë taktika të reja në tejkalimin e sfidave, kur ata përballen me to.

6. Përmirëson cilësinë e shërbimeve dhe produkteve:

Punonjësit fitojnë metoda standarde për t’i përdorur gjatë zbatimit të detyrave të tyre. Ata janë gjithashtu në gjendje që të ruajnë uniformitetin në prodhimet që ata japin. Kjo bën që një kompani të jap shërbime dhe produkte të cilësisë së lartë.

7. Redukton kostot:

Trajnimi dhe zhvillimi rezulton në shfrytëzimin optimal të burimeve në një kompani apo organizatë. Nuk ka humbje të burimeve, të cilat mund të shkaktojnë shpenzime shtesë. Koha përdoret në mënyrë më efikase. Aksidentet gjatë punës ulen. Të gjitha makinat dhe burimet përdoren në mënyrë ekonomike, duke reduktuar shpenzimet.

8. Redukton mbikqyrjen dhe kontrollin:

Në momentin që punonjësit fitojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme, ata bëhen më të sigurt. Ata bëhen edhe më të vetëdijshëm dhe kërkojnë më pak udhëzime dhe kontroll, për atë se si të kryejnë detyrat e tyre. Mbikqyrja varet nga vendimi i punonjësit për t'i dhënë cilësinë e duhur prodhimit. Kjo e lehtëson barrën e kontrollorëve që ata të japin vazhdimisht udhëzime për atë që duhet bërë.