Blog

Disa fusha në të cilat Burimet Njerëzore mund të ndikojë në kulturën organizative

Disa fusha në të cilat Burimet Njerëzore mund të ndikojë në kulturën organizative

Sado që tentojmë ta shmangim, ndonjëherë na duhet të mendojmë e të shprehim konsiderata pozitive ose negative për një kompani, bazuar në informacionin që kemi për të. Këtë "siklet" e hasëm para dy ditësh, në përgjigje të pyetjes së pjesëmarrësve në trajnimin me temë “Menaxhimi Efektiv”. Nëse nuk do të kemi parasysh produktet apo shërbimet, konsiderata e shprehur nënkupton se si është kultura organizative në atë kompani. Si tërësi e vlerave, besimeve, normave e sjelljes që nxiten të respektohen nga të gjithë anëtarët e organizatës, ajo përcakton emrin e mirë të kompanisë, e këtu profesionistët e Burimet Njerëzore mund të ndikojnë shumë. Shkrimi që po sjellim sot, me autore Ruth Mayhew, trajton fushat kryesore, ku veprimtaria e Burimeve Njerëzore mund të ndikojnë pozitivisht ose negativisht në këtë drejtim. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Kultura organizative është më shumë se një frazë pompoze, e nuk mund të përdoret thjesht për të bërë përshtypje. Sipas një përkufizimi, ajo është "mënyra e duhur për të menduar, për të vepruar dhe për t’u sjellë brenda një organizate". Menaxherët marrin vendime për punësim, bazuar në përshtatjen potenciale të një kandidati me kulturën organizative, ashtu si edhe punonjësit e bazojnë vendimin për të qëndruar apo larguar nëse kjo kulturë i përshtatet ose jo nevojave të tyre. Për shkak të larmisë së fushave dhe detyrave që mbulon, në funksion të qëllimit kryesor për të ndërtuar një fuqi punëtore produktive, funksionet e departamentit të Burimeve Njerëzore mund të kenë ndikim pozitiv ose negativ në kulturën e korporatës. Ja disa fusha:

Marrëdhëniet me punonjësit

Marrëdhëniet me punonjësit janë një disiplinë e Burimeve Njerëzore që mund të ndikojë në organizatë në varësi të mënyrës se si stafi i Burimeve Njerëzore ndërvepron me punonjësit dhe udhëheqjen e kompanisë. Qëllimi i ndërtimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve të punonjësve është i thjeshtë: të forcohet marrëdhënia punëdhënës-punëmarrës. Mënyra se si Burimet Njerëzore i menaxhojnë çështjet e marrëdhënieve me punonjësit mund të ndikojë në kulturën organizative, për mirë apo për keq. Trajtimi dhe zgjidhja e shpejtë e çështjeve të vendit të punës, nxitja e komunikimit të hapur dhe të sinqertë midis udhëheqjes dhe stafit, përforcimi dhe lehtësimi që Burimet Njerëzore kryejnë, e bëjnë atë të shërbejë si një avokat, si për kompaninë ashtu edhe për punonjësit, e këto janë mënyra për të ndikuar pozitivisht në kulturën organizative.

Kompensimi

Kultura juaj organizative mund të bëhet pengesë për punëkërkuesit në të gjithë komunitetin online dhe offline, nëse Burimet Njerëzore zhvillojnë dhe menaxhojnë një skemë kompensimi joefektive. Kompensimi dhe përfitimet janë mjete të rëndësishme për tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve. Nëse nuk po i paguani punonjësit në mënyrë konkurruese, ose nëse ka ndarje të thella midis praktikave të pagave të ekzekutivit dhe stafit, kjo mund të ketë një ndikim negativ në kulturën organizative. Nga ana tjetër, nëse strategjia juaj e kompensimit të burimeve njerëzore përfshin shpërblimin e punonjësve për kontributet e tyre, pagesën e pagave të drejta dhe sigurimin e përfitimeve gjithëpërfshirëse, këto ndikojnë në kulturën organizative në një mënyrë pozitive.

Siguria në vendin e punës

Punëdhënësit kanë detyrimin t'u ofrojnë punonjësve një mjedis pune të sigurt dhe pa rreziqe. Trajnimi për masat efektive të sigurisë, planet e evakuimit dhe reagimet ndaj incidenteve në vendin e punës është thelbësor për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve. Mungesa e politikave dhe procedurave të sigurisë në vendin e punës rezulton në një mjedis ku punonjësit mund të ndihen të kërcënuar, gjë që nga ana tjetër, ndikon negativisht në produktivitetin dhe kulturën tuaj organizative.

Udhëheqja efektive

Përveç Burimeve Njerëzore, janë mbikëqyrësit dhe menaxherët që mbajnë një kulturë pozitive organizative përmes udhëheqjes efektive. Delegimi i përgjegjësisë bazuar në aftësitë dhe interesat e punonjësve si dhe njohja e kontributeve të punonjësve në departament dhe organizatë, janë parime të udhëheqjes efektive. Mbikëqyrësit dhe menaxherët, të cilët komunikojnë hapur me punonjësit e tyre, japin reagime konstruktive dhe trajnojnë punonjësit, janë thelbësorë për një kulturë pozitive në vendin e punës. Burimet Njerëzore sigurojnë trajnime për aftësitë e udhëheqjes, si për mbikëqyrësit dhe menaxherët për t’i përmirësuar ato, që ata të jenë të aftë të menaxhojnë funksionet e departamenteve dhe të punonjësve të tyre.