Blog

E di se ju e doni biznesin tuaj. Po klientët tuaj?

E di se ju e doni biznesin tuaj. Po klientët tuaj?

Organizatat e suksesshme në përgjithësi, dhe ato të biznesit në veçanti janë shumë të interesuara dhe tregojnë një vëmendje të madhe për atë se si perceptohen dhe çfarë mendojnë të tjerët për to. Nisur nga kjo, ju mund të jepni plot shembuj pozitivë dhe negativë të organizatave apo kompanive ku punoni ose keni informacion, qoftë ky edhe sipërfaqësor. Dhe nëse do të jeni në kërkim të një pune të re, ju do interesoheni fillimisht në organizatat me emër të mirë, apo jo? E njëjta gjë edhe kur doni të blini diçka. Sepse emri i mirë i kompanisë apo produktit ju jep siguri. Po, çfarë bëni ju për ndërtimin e emrit të mirë për veten dhe kompaninë tuaj? Jeffrey Gitomer – mbreti i shitjeve – e trajton këtë temë në shkrimin këtu, me një apel për të rritur kujdesin dhe emrin e mirë të biznesit tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Cila është “RTF”-ja për ju dhe për biznesin tuaj?

Çfarë doni të thoni me “nuk e di”? JU E KENI KRIJUAR ATË!

Ja, pyesni Google. Ajo është duke qëndruar midis miliona pjesëza informacioni, që thonë shumë rreth jush dhe biznesit tuaj, e që ju (ose kushdo) mund ta keni në një të mijtën e sekondës. Dhe falas.

Ajo që është postuar për ju (jo ajo që keni postuar ju për veten tuaj) në Google, apo në ndonjë media sociale, është një pasqyrim i mënyrës se si të tjerët ju perceptojnë. Është gjithashtu ajo që të tjerët, që janë në kërkim për ju ose atë që ju shisni, mund të mendojnë për ju sapo, t'ju gjejnë. Me pak fjalë, është "RTF"-ja juaj.

Fjala e vjetër është "kartela rtf". Ishte një term policor për një përmbledhje informacioni e faktesh në lidhje me të kaluarën tuaj – të dhënat e ngjarjeve tuaja – kryesisht të këqija. Ishte një pararendës i Google.

Unë po krijoj dhe ripërcaktoj një "kartelë rtf" të re, që përfshin të mirën dhe të keqen. Nuk bëhet fjalë vetëm për "çfarë ishte" – kartela juaj RTF e shekullit të 21-të ka të bëjë si me atë "çfarë ishte" ashtu edhe me atë "çfarë është". Dhe ashtu si kartela e vjetër rtf - ju e krijoni atë.

Ndryshe nga kartela e vjetër, kartela e re RTF mund t'ju ndihmojë të jeni tërheqës për të tjerët dhe të rriteni, nëse jeni të vetëdijshëm për praninë tuaj online dhe se si kjo prek dhe ndikon në shitjet tuaja dhe biznesin tuaj.

Kartela e re RTF – ose më mirë të themi "RTF-ja e shitjeve" – është ndarë në segmente që përcaktojnë procesin sipas shkronjave (R.T.F.) dhe pasi t'i lexoni, do të keni njëherësh një mirëkuptim dhe një plan veprimi për t'u përmirësuar në çdo fushë. Ju gjithashtu do të keni këndvështrimin e qartë se pse RTF-ja juaj e re mund të ngrejë lart ose ta dëmtojë biznesin tuaj.

Ja elementët RTF:

  • Reputacioni. I ndërtuar ngadalë e me kalimin e kohës, reputacioni juaj përcakton situatën tuaj të tanishme dhe shitjet tuaja të ardhshme. Ai dokumenton mënyrën se si reagoni, si përgjigjeni dhe si përmirësoheni në takimet e shitjes dhe çështjet e shërbimit, si dhe përforcon imazhin tuaj si online ashtu edhe në mendjen e klientit. Reputacioni juaj është një pasqyrim i statusit tuaj në botën e biznesit dhe një kontroll i realitetit nga këndvështrimi i klientit tuaj.
    • PËR KËTË: Merrni përgjegjësinë për reputacionin tuaj dhe ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme për ta ndërtuar dhe ruajtur atë.
  • Tërheqja. Jo "ligji i tërheqjes" - përkundrazi, VLERA e tërheqjes. Çfarë mesazhesh të bazuara në vlerë po dërgoni? Me çfarë mesazhesh po përgjigjen klientët tuaj? Si po krijojnë këto mesazhe një bazë më të gjerë, më reaguese, më pozitive e më besnike të klientëve? Çdo gjë, që nga postim i përditshëm, postimet në blog e deri tek ndërveprimet me klientëve në takimet individuale, krijojnë tërheqjen tuaj të fjalës së gojës dhe të “fjalës së ekranit”.
    • PYESNI VETEN: Çfarë është tërheqëse për mua dhe biznesin tim? Pse një klient do të më ndiqte? Çfarë duhet të bëj për të krijuar ndjekës më pozitivë?
  • Fitimi. Jo fitimi yt, fitimi i tyre. Sigurohuni që çdo klient të dijë dhe të kuptojë se si fiton pas blerjes, si përdor dhe prodhon, e si përfiton dhe gëzon. Përqendrimi në vlerën e klientit ka gjithashtu një efekt të brendshëm pozitiv. Kur klientët janë të lumtur dhe ndihen të vlerësuar, kjo krijon një bazë besnikërie të klientëve dhe punonjësve tuaj. Fitimi është shumë më tepër se paraja.

Tani është e lehtë të dalloni RTF-në e të tjerëve. Shpesh është shumë më e vështirë (dhe e dhimbshme) të shihni tuajën.

Ja pak më shumë se si e krijoni vetë RTF-në tuaj:

  • Filozofia juaj e korporatës dhe personale orienton fjalët, veprimet dhe veprat tuaja. Filozofia juaj përbëhet nga parimet me të cilat jetoni. Përtej misionit tuaj, është mënyra se si i ndihmoni të tjerët dhe si i jetoni vlerat tuaja thelbësore.
  • Krijoni një kulturë shoqërizimi dhe mbështetje, komunikimi dhe informacioni të vërtetë, të shërbimit dhe reagimit, si dhe të disponueshmërisë dhe ndihmës. Kultura është thelbi yt afatgjatë. Shpirti yt. Shikoni të gjitha kompanitë që kanë një "RTF të mirë". Të gjithë kanë kultura të brendshme mahnitëse. Nuk është rastësi.
  • Trajtojini mirë njerëzit tuaj dhe ata do t'i trajtojnë klientët tuaj përtej parashikimeve tuaja.

Reputacioni, Tërheqja dhe Fitimi janë tri fjalët që përcaktojnë biznesin tuaj në mendjen, përgjigjet, postimet dhe veprimet (përfshirë blerjet) e klientëve tuaj. Tani që ju e dini kuptimin e fjalëve, përkufizimet dhe ndikimin e tyre, mund të jetë koha për të bërë një rishikim – si të brendshëm ashtu edhe në Google. Identifikoni RTF-në tuaj, përcaktojeni atë dhe bëni çfarëdo ndryshimesh pozitive, që janë të nevojshme për ta ndërtuar atë.

RTF-ja juaj është aty jashtë – pyetja është:
Çfarë po bëni për këtë?