Blog

5 Mënyra se si Burimet Njerëzore mund të jenë më strategjike për biznesin

5 Mënyra se si Burimet Njerëzore mund të jenë më strategjike për biznesin

Krahasuar me disa vite më parë, me kënaqësi vërejmë se ka një interes të shtuar të drejtuesve të organizatave të biznesit, për ngritjen, organizimin dhe mbështetjen e departamentit të Burimeve Njerëzore (BNj), megjithëse ka ende shumë për të bërë. Nisur nga ndryshimet e shpejta në tregun e punës dhe të tjera që pritet në të ardhmen, sfidat e rekrutimit dhe punësimit po bëhen gjithnjë e më të mprehta. Përmirësimi i punës së stafeve të departamenteve të BNj, në drejtim të kuptimit të objektivave të biznesit dhe nevojave të tyre, ngritjen e ekipeve të afta dhe sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre, është kthyer tashmë në një domosdoshmëri. Për të interesuarit, shkrimi sot, me autor Ani Banerjee, jep disa ide se si specialistët e BNj mund të jenë më produktivë dhe koherentë me nevojat e zhvillimit të organizatave, duke dhënë një kontribut të vyer në arritjen e qëllimeve dhe objektivave. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një aspekt shpesh i anashkaluar i rolit të rëndësishëm të Burimeve Njerëzore (BNj) është çështja se si të ngrihet pozicioni për të qenë në të njëjtin nivel me drejtuesit e lartë dhe në të njëjtën mënyrë të angazhohet në transformimin e biznesit. 

Duke lënë mënjanë për një moment të gjitha detyrat e tjera të BNj, le të shohim pse jemi këtu. Ne (BNj) ekzistojmë për të përshpejtuar arritjen e qëllimeve dhe objektivave të biznesit. Ne jemi përgjegjës për të siguruar që jemi në partneritet me udhëheqjen, për të ndihmuar në zgjidhjen e sfidave të biznesit. Ne po ndihmojmë për të drejtuar punonjësit, për të ndryshuar kulturën organizative, për të angazhuar punëtorët dhe për t’i trajnuar ata siç duhet.

Si drejtues i këtij sektori, nëse hedh një  vështrim drejt kolegëve të mi, shtroj disa pyetje: Si i kuptoj sfidat e tyre të biznesit? Si mund të zë një vend në tryezën e tyre dhe të kontribuoj në atë që ata po përpiqen të arrijnë? Pasi të kuptoj shkaqet dhe shqetësimet e vërteta, unë do ta di se çfarë po përpiqen të arrijnë homologët e mi personalisht, profesionalisht dhe financiarisht.

Është e rëndësishme që drejtuesit e BNj të ndërtojnë marrëdhënie besimi me kolegët e tyre në biznes dhe të kuptojnë shkaqet e vërteta rrënjësore të asaj që ata po përpiqen të arrijnë. Cilat janë dy ose tre sfidat kryesore të biznesit të tyre? Dhe prej andej, si do të ndihmojmë ne si drejtues të BNj për ta arritur këtë? Kjo mund të përfshijë të qenit një partner i mendimit për sa i përket strategjisë dhe/ose konfigurimit të organizatës.

Sipas shkollës së vjetër, BNj i thonë drejtuesve: "Hej koleg, unë do të të ofroj disa shërbime". Ndërsa tani, BNj duhet të thonë: "Hej koleg, çfarë po përpiqesh të arrish në rolin tënd si drejtues i departamentit tënd?"

Kështu, duke parë organizimin e përgjithshëm të BNj, do duhet të mendojmë si një njësi e BNj, se si t'i bashkojmë ekipet që të jemi të fokusuar tek klienti për të adresuar sfidat kryesore të biznesit, në vend që të shikojmë vetëm aspektet teknike të punës tonë: "Hej, unë jam duke rekrutuar. Unë do ju sugjeroj këta kandidatë", ose, "Hej, unë ndërtoj marrëdhëniet me punonjësit, do planifikoj këtë aktivitet". Kjo mënyrë të menduarit mund të jetë një qasje shumë e izoluar, nga brenda-jashtë. Partneriteti real i biznesit është i strukturuar nga jashtë-brenda, ku ne fillojmë më së shumti duke u përafruar me qëllimet dhe objektivat e organizatës.

Udhëheqësit e BNj duhet të ofrojnë vlerë

Më poshtë janë pesë mënyra se si ju, drejtuesit e BNj, mund të justifikoni dhe përmirësoni pozicionin tuaj aktual si kontribues vlerash në organizatë e duke u bërë - dhe duke mbetur - strategjikë.

  1. Përqendrohuni në biznes dhe në linjë me objektivat e biznesit. Drejtuesit e BNj duhet të kërkojnë që ata të jenë pjesë e ekipit të menaxhimit të organizatës dhe e përpjekjeve të saj për planifikim strategjik. Kaloni kohë kokë-më-kokë me drejtuesit tuaj, homologët tuaj të nivelit të lartë dhe drejtuesit ekzekutivë.

  2. Lidhuni/bashkëpunoni me drejtues e tjerë të biznesit. Udhëheqësit e BNj nuk operojnë në vakum apo në një bunker. Ata duhet të bashkëpunojnë me drejtues të tjerë kyç në organizatë, veçanërisht me financën, IT dhe Shitje-Marketing. Duke punuar së bashku, ata përpiqen dhe sigurojnë që kompania të marrë vendime me kosto efektive në lidhje me menaxhimin e talenteve, që po u ofrojnë punonjësve mjetet dhe burimet që u nevojiten për të qenë produktivë dhe se po e pozicionojnë organizatën si punëdhënës të zgjedhur.

  3. Qëndroni në krye të tendencave më të fundit. Është e rëndësishme që drejtuesit e BNj të monitorojnë vazhdimisht atë që po ndodh brenda dhe jashtë organizatës dhe të qëndrojnë vigjilentë se si këto ndryshime mund të ndikojnë në biznes. Cilat janë disa nga mjetet dhe sistemet më të fundit që njerëzit përdorin? Jini vigjilent ndaj ndryshimeve dhe përparimeve teknologjike, ndryshimeve në disponueshmërinë e profesionistëve ose aftësive dhe mjedisit konkurrues për punonjësit.

  4. Vlerësoni të dhënat dhe analizën e njerëzve. Të dhënat drejtojnë shumicën e vendimeve sot për të gjitha llojet e roleve të punës. BNj nuk bëjnë përjashtim dhe, në fakt, nevoja për aftësi analitike midis profesionistëve të BNj vazhdon të rritet. Me përvetësimin e programeve të sotme, drejtuesit e BNj kanë mundësi të përdorin të dhëna për të bërë parashikime të sakta në lidhje me rrezikun e qarkullimit, për të identifikuar punonjësit me talent dhe potencial, që mund të kalojnë në pozicione të nivelit më të lartë, për të përmirësuar përvojën e punonjësve dhe më shumë.

  5. Identifikoni dhe komunikoni efektet kryesore të përpjekjeve që bëni ju, si BNj. Drejtuesit e BNj nuk mund të punojnë vetëm, në heshtje e prapa skenës. Ata duhet të sigurojnë që udhëheqësit e dinë punën e madhe e të vlefshme që ata bëjnë, duke kontribuar në rezultat. Matja, monitorimi dhe komunikimi i efekteve të këtyre përpjekjeve është thelbësor për të siguruar që përpjekjet e BNj të njihen.

Si drejtues të BNj, që të keni sukses, kaloni kohë me homologët tuaj kryesorë të biznesit që kanë ndjeshmëri dhe informacion për atë që po ndodh në organizatë. Njihuni me çështjet kryesore që shqetësojnë ose ndjekin drejtuesit e lartë ekzekutivë, komunikoni rregullisht me ta dhe ndërtoni marrëdhënie. Diskutoni strategjinë, drejtimin, ofrimin e burimeve njerëzore dhe mënyrën se si shfaqeni si ekip dhe punoni së bashku si partnerë të mendimit.