Blog

Si përfiton biznesi i vogël nga lidershipi transformues

Si përfiton biznesi i vogël nga lidershipi transformues

Ndërkohë që bizneset hasen me sfida nga më të ndryshmet, ajo e krijimit të ekipeve të suksesshme dhe punësimi e mbajtja e punonjësve të përkushtuar shfaqet si sfida më e vështirë. Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e trajtimit dhe angazhimit të punonjësve. Udhëheqja transformuese është ajo mënyrë menaxhimi që inkurajon dhe frymëzon punonjësit të përkushtohen dhe të punojnë për të zhvilluar dhe përmirësuar rrugën drejt suksesit të kompanisë. Një këndvështrim të thjeshtë e të qartë mbi drejtimin transformues e gjeni në shkrimin këtu, me autor John Hall. Në botë, udhëheqësit transformues jo vetëm kanë ndërtuar kompani të suksesshme, por me produktet dhe shërbime revolucionare kanë ndikuar në jetën tonë. Suksesi i biznesit varet nga punonjës të sigurt dhe të kënaqur. Krijimi i tyre kërkon që dikush të udhëheqë transformimin. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Mungesa e vazhdueshme e punonjësve, papunësia e ulët dhe fenomenet pas pandemisë, si largimi qetësisht nga puna, po ndryshojnë biznesin. Në mungesë të drejtuesve që pranojnë ndryshimin e realitetit, bizneseve të vogla do të vazhdojnë t'u mungojnë talenti që u nevojitet për të pasur sukses.

Udhëheqësit e mëdhenj i inkurajojnë punonjësit të arrijnë potencialin e tyre, të investojnë në suksesin e kompanisë dhe të qëndrojnë pranë saj për një kohë të gjatë. Këtu nuk ka vend për ngurtësi tradicionale. Punonjësit janë të etur të punojnë në vende ku mund të lulëzojnë, dhe kompani të tilla udhëhiqen nga drejtues transformues.

Udhëheqja transformuese sigurisht që nuk është një koncept i ri. Por nevoja për të, ndoshta nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot. Ja çfarë bëjnë drejtuesit transformues dhe përfitimet që mund t'i sjellë biznesit tuaj:

Ata motivojnë dhe frymëzojnë

Drejtuesit transformues frymëzojnë përmes pasionit të tyre për kompaninë dhe shprehjes së besimit tek punonjësit e tyre. Optimizmi i tyre, për atë se çfarë mund të arrijë biznesi që drejtojnë është ngjitës. Të gjithë duan të jenë pjesë e atij vizioni.   

Sigurisht, punonjësit duhet të kuptojnë se si detyrat e tyre të përditshme kontribuojnë në këtë vizion. Kjo është arsyeja pse ka kompani, që i inkurajojnë drejtuesit të komunikojnë hapur dhe sinqerisht për angazhimin strategjik. Kur punonjësit kuptojnë se si ajo që bëjnë përputhet me qëllimet e kompanisë, ata mund të vënë energjinë e tyre për t'i arritur ato, duke mënjanuar fërkimet dhe konfliktet.

Entuziazmi i vazhdueshëm i një lideri për ndërtimin e një kompanie të suksesshme, i motivon punonjësit për të bashkëpunuar. Pasi ata kuptojnë plotësisht se bashkimi i pjesëve të vogla është e vetmja mënyrë që e tëra të mund të jetë e mrekullueshme, ata do të jenë të gjithë të gatshëm ta realizojnë atë.

Ata nxisin mendimin

Shpesh, shumë punonjës thjesht vijnë në punë dhe presin që t'u thuhet se çfarë të bëjnë. Nëse ka një problem, ata ndalojnë derisa dikush t'u japë zgjidhjen. Por me një udhëheqës transformues, anëtarët e ekipit e dinë se jo vetëm që janë të lirë, por inkurajohen të mendojnë në mënyrë kritike, të sfidojnë normat dhe të dalin me zgjidhje kreative. Në këtë mjedis, roli i çdo punonjësi është i vlerësuar.

Kur porosita njëherë në internet ushqim për qenin tonë dhe ai refuzoi ta hante, kompania më tha që ta dhuroja në një strehë për kafshët shtëpiake, në vend që ta ktheja. Pastaj më premtuan se do të më dërgonin diçka tjetër. Kompania, si çdo shitës tjetër me pakicë, merret me përpunimin e produkteve të kthyera. Por në këtë rast, drejtuesit aty refuzuan të pranonin status quo-në dhe rezultati ishte një zgjidhje ndryshe. Kjo është transformuese.

Një udhëheqës transformues i ndihmon punonjësit të kuptojnë se si të mendojnë jashtë kutisë duke u dhënë atyre ide të reja, duke prezantuar koncepte të pazakonta dhe duke i ftuar ata të ndërmarrin rreziqe. Ata janë më të prirur për të bërë pyetje sesa të japin përgjigje. Dhe ndërsa punonjësit janë ngritur në proces, ata ngrenë edhe klientët.

Ata bëjnë gjënë e duhur

Në klimën e sotme sociale dhe politike, shumë drejtues biznesi duket se mendojnë më shumë për vete dhe pak për palët e tyre të interesit. Por nuk ndodh kështu me liderët transformues. Veprimet e tyre udhëhiqen nga etika e shëndoshë, morali i fortë dhe një dëshirë e sinqertë dhe e vërtetë për të vënë të tjerët në plan të parë.  

Më lejoni t'ju tregoj për njërin prej tyre. Ai zotëron një dyqan shitje automjetesh ku unë mora automjetin tim të dëmtuar, pasi pata disa përvoja të këqija me dyqane të tjera. Inflacioni i lartë shpesh duket se i josh bizneset të përfitojnë prej klientëve të tyre, vetëm sepse munden. Edhe ky mund ta kishte bërë këtë. Në vend të kësaj, ai bëri një punë të shkëlqyer dhe më faturoi më pak se vlerësimi. Ai bëri gjënë e duhur dhe më nxiti edhe mua për të njëjtën gjë.

Duke shfaqur tiparet më të mira, udhëheqësit transformues fitojnë besim, respekt dhe besnikëri. Kur udhëheqësit t'i kenë fituar këto, punonjësit do të punojnë më shumë dhe do të jenë më të gatshëm të investojnë veten në biznes. Dhe klientët dhe konsumatorët do të vazhdojnë të shtohen.

Ata investojnë tek punonjësit

Udhëheqësit transformues inkurajojnë punonjësit të investojnë në biznes. Por në këmbim, punonjësit duhet të ndihen sikur biznesi është i gatshëm të investojë tek ata. Kjo kërkon të zbulojnë se çfarë është e rëndësishme në jetën e tyre, nëse kanë nevojë të paguajnë një borxh apo dëshirojnë të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre. Udhëheqësit transformues gjejnë kohë për të zbuluar se çfarë do ta lartësojë jetën e secilit anëtar të ekipit.

Kjo nuk duhet të jetë e ndërlikuar. Për shembull, në fund të vitit të kaluar, ne anketuam stafin tonë për të pyetur se në çfarë aktiviteti të veçantë do të dëshironin të shkonin. Shumë prej tyre përmendën një ditë sauna e masazh, kështu që pas një periudhe veçanërisht të ngarkuar, ne u dhamë një të tillë. Nuk është diçka që ne mund ose do ta bëjmë gjatë gjithë kohës. Por pas një dite të lumtur në qendrën e një prej hoteleve aty afër, ata u ndjenë të vlerësuar e që mendimi i tyre ishte dëgjuar.

Udhëheqësit transformues gjejnë mënyra për të mbështetur jetën personale dhe profesionale të anëtarëve të ekipit të tyre. Jo çdo gjë duhet të jetë tregues performance. Kur punonjësit ndihen të mbështetur, edhe në ditë të këqija, ata do të jenë akoma të lumtur që janë aty ku janë.

Bëhuni transformues

Duke përshtatur qasjen tuaj të lidershipit në një qasje transformuese, ju rrisni punën e punonjësve tuaj dhe përvojën e klientëve tuaj. Mos u shqetësoni nëse ende nuk jeni transformues. Por ndërmerrni hapa për të imituar këtë stil drejtimi dhe do të ndryshoni jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve që e bëjnë biznesin tuaj të suksesshëm.