Blog

Pse biznesi duhet të investojë në zhvillimin e punonjësve

Pse biznesi duhet të investojë në zhvillimin e punonjësve

Bizneset e suksesshme janë të vetëdijshme për rëndësinë e zhvillimit të punonjësve dhe i kushtojnë vëmendjen e duhur kësaj çështje. Dhe ata nuk heqin dorë nga kjo, pasi eksperienca ju ka treguar se zhvillimi i punonjësve është faktori kryesor në ndërtimin e ekipeve, punësimin dhe mbajtjen e punonjësve të talentuar dhe uljen e qarkullimit të punonjësve. Kështu, këto biznese kanë mundur të jenë mbi konkurrencën dhe shumë të kërkuara në tregun e punës. Edhe pse flet për tregun amerikan, shkrimi i Xhon Hall sjell disa arsye konkrete, pse duhet të investohet në trajnimin e punonjësve, arsye të cilat vlejnë edhe për ne. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Është një e vërtetë e njohur se duhet të shpenzosh para për të fituar para. Vazhdimi i ri-investimit në biznesin tuaj në mënyra të zgjuara dhe strategjike është thelbësor për të qëndruar konkurrues në tregjet gjithnjë e në ndryshim.

Megjithatë, të kuptuarit se ku dhe si të shpërndahen burimet, mund të jetë një veprim i zgjuar në balancimin e buxhetit. Përmirësimet e teknologjisë dhe pajisjeve, mirëmbajtja e infrastrukturës, programet e marketingut dhe ofrimi i talenteve priren të kenë përparësi. Por, prej kur Gallup zbuloi se mbi 50% e punonjësve në SHBA janë gati "për dorëheqje", mungesa e vëmendjes ndaj ri-investimit në fuqinë tuaj punëtore të tanishme nuk është diçka e mirë.

Pagat konkurruese, paketat e mira të përfitimeve dhe fleksibiliteti janë të domosdoshme në tregun e sotëm të punës. Megjithatë, vendosja e prioriteteve në zhvillimin e punonjësve ka disa avantazhe të shtuara, që vërtet e bëjnë atë një element të favorshëm. Nga rritja e kënaqësisë dhe e besnikërisë në punë deri tek rritja e nivelit të mbajtjes, që rezulton në punonjës më të mirë, mësimi i vazhdueshëm siguron që të përfitojnë të gjithë palët e përfshira. Nëse tani nuk e keni në mendje zhvillimin e punonjësve, këtu janë disa arsye pse është koha për të ndryshuar fokusin tuaj.

1. Tërheq talentet më të mira

Çdo kompani shpreson të ketë talente të nivelit të lartë. Meqenëse pandemia krijoi dhe nxiti më shumë mundësi të punës në distancë, të interesuarit tani mund të gjejnë mundësi punësimi në të gjithë vendin dhe botën. Personat me performancë të lartë po kërkojnë më shumë sesa thjesht paga të larta dhe paketa të mira përfitimesh. Për individët ambiciozë dhe të motivuar, mundësitë e zhvillimit janë një arsye e rëndësishme për punësim. Ata i pëlqejnë sfidat dhe vazhdimisht kërkojnë shanse për të fituar dhe zgjeruar aftësitë e tyre.

Punonjësit e ardhshëm duan të dinë se kanë një të ardhme në organizatën tuaj. Ata duan të zbarkojnë diku, që i ofron jetëgjatësi dhe hapësirë për rritje. Kur promovoni një kulturë të zhvillimit profesional, këta individë mund të shohin se motivimi i tyre vlerësohet dhe mishërohet në organizatën juaj. Ata duan të arrijnë potencialin e tyre, dhe kompania juaj duhet të jetë e angazhuar që ata ta bëjnë.

2. Rrit mbajtjen e punonjësve

Edhe më e rëndësishme se tërheqja e talenteve të reja është mbajtja e njerëzve që tashmë keni në dorë. Zëvendësimi i një punonjësi të larguar mund të kushtojë jo më pak se gjysma e pagës vjetore ose edhe më shumë. Dhe kur një anëtar i ekipit largohet, ata marrin me vete jo vetëm njohuritë jetike institucionale, por edhe një pjesë domethënëse të moralit të kompanisë. Sidomos humbja e punonjësve të shkëlqyer mund të ketë një efekt shkatërrues domino që rezulton në edhe më shumë largime.

Theksimi i zhvillimit profesional dërgon një mesazh të qartë se kompania juaj kujdeset për të ardhmen e punonjësve të saj. Për më tepër, ajo i konsideron këta punonjës si një pjesë e rëndësishme e të ardhmes së kompanisë. Zhvillimi i vazhdueshëm u mundëson punonjësve të shohin veten në vizionin dhe vlerat afatgjata të kompanisë tuaj. Nga kjo pritshmëri e përbashkët e një të ardhmeje reciprokisht të dobishme, besnikëria rritet— dhe punonjësit besnikë nuk largohen.

3. Mban stafin të kënaqur dhe të angazhuar

Pakënaqësia dhe monotonia në punë po u kushtojnë kompanive para, nëpërmjet rënies së produktivitetit dhe angazhimit. Anëtarët e ekipit duhet të ndjejnë se puna e tyre ka kuptim dhe vlerë të vërtetë. Punonjësit e lumtur dhe të angazhuar bëjnë punë me cilësi më të mirë, kanë prodhim më të lartë dhe bëjnë shumë më pak gabime. Për më tepër, punonjësit e trajnuar mirë janë më të aftë dhe e kuptojnë më mirë se si ta bëjnë punën e tyre në mënyrë efektive. Dhe rezultatet më pozitive sjellin edhe më shumë kënaqësi në punë.

Vëmendja për rritjen e punonjësve tuaj i nxit ata të rishikojnë vazhdimisht veten dhe punën e tyre të përditshme. Ajo mban të freskët jo vetëm mendjen, por edhe perspektivat e tyre. Pyetini anëtarët e ekipit se si i parashikojnë pozicionet e tyre në të ardhmen dhe i ndihmoni në krijimin e rrugës për të arritur atje. Në fund të fundit, sukseset e punonjësve tuaj janë suksesi i kompanisë suaj.

4. Ju lejon të krijoni udhëheqjen e ardhshme

Investimi në zhvillimin e punonjësve ju lejon të modeloni drejtuesit tuaj të ardhshëm sipas nevojave dhe vlerave specifike të kompanisë suaj. Me kulturën e të mësuarit dhe rritjes, ju mund të identifikoni herët drejtuesit e sapolindur të së nesërmes. I ofroni atyre mundësi për të fituar dhe zgjeruar aftësitë e tyre, gjë që do krijojë një grup kandidatësh të kualifikuar për pozicionet e ardhshme.

Promovimi nga brenda ju ndihmon të mbani çdo investim që keni bërë tek punonjësit tuaj. Këta persona të brendshëm, tashmë janë të njohur me operacionet e përditshme të kompanisë suaj. Ata mund të kalojnë më lehtë në role të reja, duke u mbështetur në njohuritë dhe aftësitë e fituara më parë. Njohja dhe përdorimi i talenteve ekzistuese mund të ndikojë edhe te kolegët e tyre për të synuar përparim më të madh dhe më shumë përgjegjësi.

5. E mban organizatën tuaj me fokus drejt së ardhmes

Të jeni ndër të parët, në këtë botë që po ndryshon me shpejtësi marramendëse nuk është diçka e vogël. Kudo, standardet e industrisë po ndryshojnë vazhdimisht dhe qëndrimi i duhur është një domosdoshmëri. Inovacioni në nivel kompanie është jetik për sigurimin e tregjeve dhe zgjerimin e vazhdueshëm. Strategjitë e reja mund të përmirësojnë produktet, të rrisin efikasitetin dhe të rinovojnë proceset e vjetra. Por inovacioni në biznes kërkon mendje novatore.

Zhvillimi profesional u jep punonjësve ekspozim ndaj njerëzve të rinj, ideve të reja dhe mënyrave krijuese për punën aktuale dhe për të ardhmen. Nëpërmjet mësimit të vazhdueshëm, punonjësit mund të përmirësojnë njohuritë e industrisë, të zbulojnë strategji dhe teknika të reja dhe të mësojnë rreth arritjeve më të fundit teknologjike. Ato mund të sjellin frymën e inovacionit në punën e tyre të përditshme dhe përshtatje më të lehtë me ndryshimet.

Në tregun e sotëm të punës, zhvillimi profesional është zhvendosur nga një përfitim i këndshëm në një kërkesë thelbësore. Kjo tërheq njerëz me arritje të larta që kërkojnë të shfaqin potencialin e tyre dhe siguron që punonjësit aktualë të ndihen të dobishëm, të mbështetur dhe të vlerësuar. Pavarësisht nëse nxisni mësimin nëpërmjet kurseve të trajnimit, programeve të mentorimit apo formave të tjera, kur punonjësit rriten dhe zhvillohen edhe biznesi juaj do ta ndjekë këtë shembull.