Investimi në kapitalin njerëzor dhe përmirësimi i aftësive
Në drejtimin e organizatave, jo vetëm të atyre të biznesit, të gjithë drejtuesit do donin të kishin punonjës të aftë e të përgjegjshëm në të gjitha rolet dhe pozicionet. Por kjo ngelet thjesht një dëshirë, pasi edukimi i njerëzve nuk është i njëjtë, e po kështu edhe puna, nga një organizatë në tjetrën. Ju mund të punësoni studentin më të mirë apo edhe punonjësin më të mirë, por gjithmonë do të keni nevojë të përshtatni njohuritë dhe aftësitë e tyre me ato të organizatës tuaj. Ndërkohë, edhe vetë puna është në ndryshim dhe bëhet sfiduese kohë pas kohe, e kjo është një tjetër arsye për trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve. Përndryshe, ju e dini sa kushtojnë punonjësit e pa trajnuar. Me pak përshtatje, shkrimi i autores Sue Uarman, jep një ide se si drejtuesit e ekipeve dhe Burimet Njerëzore, të organizojnë trajnime sa më efektive për stafet e tyre. Ndoshta kjo mund t’ju ndihmojë dhe juve, në planin e trajnimeve për vitin e ardhshëm. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Pavarësisht nëse punoni për organizata biznesi ose jofitimprurëse, organizata juaj mund të përgatitet për situata të vështira. Kjo do të thotë që të merrni vendime të vështira e që kanë më shumë kuptim për suksesin afatgjatë të biznesit. Ndërsa kostot rriten, mund të ndjeni stresin e shkurtimeve të buxhetit, veçanërisht në fund të vitit.
Pavarësisht se ku jeni në botë, shumë industri tashmë po përballen me sfida, duke përfshirë largimet e punonjësve, vështirësitë në rekrutimin dhe mbajtjen e stafit, si dhe ngrirjen e punësimit në fund të vitit. Në raste të tilla, ju duhet të forconi angazhimin tuaj për të ndihmuar njerëzit tuaj të rriten personalisht dhe profesionalisht. Dhe ata duhet të dinë se kompania juaj e vlerëson përparimin e tyre në karrierë dhe mbështet angazhimin e tyre.
Mos bëni gabime. Dihet se investimi në njerëzit tuaj kërkon kohë dhe para. Megjithatë, rritja e aftësive të punonjësve ekzistues është pozitive në biznes, si dhe është më pak ie kushtueshme sesa punësimi i punonjësve të rinj.
Merrni parasysh hapat e mëposhtëm, ndërkohë që përgatisni planin tuaj për trajtimin e nevojave për trajnim, në kompanisë suaj:
- Filloni nga niveli i lartë. Udhëheqësit tuaj të lartë, kanë një vizion për organizatën dhe ju duhet të kuptoni se si ndikon kjo në fuqinë punëtore. Punonjësve tuaj mund t'u kërkohet të mbulojnë detyra të reja ose të ndjekin procese të ndryshme. Në varësi të aftësive të tyre, ata mund të pyesin veten se ku përshtaten më mirë. Bisedoni me drejtuesit e kompanisë për të përcaktuar prioritetet e biznesit dhe se si nevojat për aftësi mund të ndihmojnë në ngushtimin e hendekut midis vendit ku është biznesi dhe asaj se ku mund të shkojë.
- Merrni parasysh qëllimet dhe nevojat personale të punonjësve. Bisedoni me ekipet tuaja dhe vlerësoni boshllëqet dhe qëllimet e tyre lidhur me aftësitë. Ata mund të kenë nevojë për ndihmë për të përcaktuar trajnimin më të dobishëm për rolin e tyre. Ndoshta mund të keni të tjerë që shpresojnë të fitojnë kredenciale specifike. Mendoni se si mund të ndihmoni punonjësit dhe produktivitetin e tyre nëpërmjet kredencialeve, certifikatave dhe mjeteve të tjera.
- Bëni kërkimet tuaja dhe ndërtoni marrëdhënie me trajnerët. Pasi të keni përcaktuar nevojat dhe buxhetin e kompanisë suaj, filloni të kërkoni trajnerë apo ekipe trajnimi që mund t’ju ndihmojnë. Pyesni se çfarë rekomandojnë ata për punonjësit tuaj. Hidhini një sy reputacionit të tyre, historikut dhe stilit të prezantimit. Pyetini ata për zbritje në tarifat e tyre për trajnimet në grup si dhe programet speciale që përshtaten më mirë me nevojat e kompanisë suaj.
Unë dhe kolegët e mi jemi shumë të fokusuar në zhvillimin e stafit, pikërisht për këtë mjedis të vështirë dhe të pasigurt. Sepse ne e dimë se njerëzit janë të rëndësishëm për organizatat. Dhe janë ata njerëz që do të nxisin rimëkëmbjen ekonomike dhe të biznesit në vazhdim.
Shpresojmë, që me sugjerimet këtu, ju do të gjeni mundësi që i përshtaten organizatës suaj. Kur investoni tek njerëzit tuaj, biznesi juaj jo vetëm që do t'i përshtatet situatave të vështira, por edhe do të lulëzojë.