Blog

Si dhe pse të demonstroni respekt në vendin e punës

Si dhe pse të demonstroni respekt në vendin e punës

Etika në biznes është një nga mekanizmat kyç në ndërtimin hap pas hapi të kulturës së punës dhe të një biznesi të suksesshëm. Vlerat dhe etika në biznes i referohet parimit ose kodit të sjelljes që ne ndjekim çdo ditë, gjatë transaksioneve tona të biznesit. Ajo gjithashtu përfshin individët që punojnë në një organizatë, kodin e tyre të sjelljes dhe atë të organizatës në tërësi. Artikulli në vijim, me burim në internet është një përmbledhje e shkurtër e kësaj teme shumë interesante dhe shpresojmë të nxisë tek ju mendimin dhe veprimin rreth kësaj teme në organizatën tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Nëse do pyesni cilindo nga punonjësit e një kompanie se çfarë kërkojnë më shumë prej punëdhënësve, të gjithë njëzëri do të përgjigjen: të trajtohen me respekt dhe dinjitet.

Gjatë punës, më shumë se gjysma e punonjësve mendojnë se nuk respektohen aq sa duhet nga drejtuesit e lartë. Ky është një argument shumë i rëndësishëm që kërkon që t'i kushtohet vëmendje, sepse punonjësit raportojnë se respekti i treguar nga ana e eprorit është më i rëndësishëm se çdo sjellje tjetër e tij.

Megjithatë, shfaqja e respektit nuk kufizohet vetëm tek drejtuesit. Të gjithë në organizatë mund dhe duhet të tregojnë respekt për njëri-tjetrin.

Respekti për të tjerët në vendin e punës është një nga detyrat më të rëndësishme që duhet të keni parasysh. Ja se si dhe pse duhet ta demonstroni këtë çdo ditë.

Këshilla se si të demonstroni respekt në vendin e punës

Respekti tregohet në shumë forma, dhe të gjitha ato janë mjaft të lehta për t'u demonstruar.

  • Trajtojini njerëzit ashtu siç dëshironi t'ju trajtojnë: me butësi, respekt dhe mirësjellje.
  • Inkurajoni kolegët e tjerë të ndajnë idetë e tyre të vlefshme.
  • Dëgjoni në mënyrë aktive të tjerët. Asnjëherë mos ndërprisni, dëgjojini derisa të mbarojnë.
  • Përdorni shpesh idetë e njerëzve të tjerë për të rritur produktivitetin dhe efikasitetin.
  • Mos i ofendoni njerëzit dhe mos flisni pas shpine.
  • Mos i mashtroni, mos manipuloni, kritikoni ose nënçmoni të tjerët.
  • Jini të vetëdijshëm për tonin, gjuhën e trupit, shprehjen dhe sjelljen tuaj gjatë gjithë veprimeve tuaja. Disa njerëz mund kujtojnë se nuk tregoni respekt aq sa duhet për ta, duke ju vëzhguar në detaje lëvizjet tuaja më të vogla. Në të gjitha rastet duhet të jeni të kujdesshëm për këtë.
  • Trajtojini njerëzit njësoj, pavarësisht nga raca, feja, mosha etj. Të gjithë njerëzit me të cilët ndërveproni duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
  • Përfshini të gjithë bashkëpunëtorët e nevojshëm në takime, dreka dhe aktivitete pas punës. Ofroni mundësi të barabarta për të gjithë punonjësit për marrjen pjesë në grupe ose ekipe ku mund të mësojnë dhe përmirësohen më shumë.
  • Gjithmonë, lavdëroni më shumë sesa kritikoni. Përveç kësaj, inkurajoni punonjësit që të lavdërojnë të tjerët aty ku është e nevojshme.

Janë pikërisht këto veprime që ndihmojnë në sigurimin e një vendi pune harmonik, të vëmendshëm dhe profesional.

Pse të demonstroni respekt në vendin e punës?

Respekti kontribuon në kënaqësinë në punë

Sipas një sondazhi të kryer nga Shoqata për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, trajtimi me respekt i të gjithë punonjësve në të gjitha nivelet u vlerësua si "shumë i rëndësishëm" nga 72 për qind e të anketuarve, duke e bërë atë si kontribuesin kryesor të kënaqësisë së përgjithshme në punë të punonjësve.

Në vendet e punës ku mbizotëron respekti, punonjësit janë të prirur të punojnë më shumë dhe të qëndrojnë produktivë. Në vendet e punës me pak ose aspak respekt, punonjësit raportojnë më shumë konflikte dhe keqkuptime, si dhe kanë pjesëmarrje dhe angazhim më të ulët.

Respekti mund të rrisë angazhimin e punonjësve

Një studim i kryer me 350,000 punonjës amerikanë, na tregoi se vetëm 30 për qind e tyre ishin të angazhuar në punën e tyre. Dhe të mendosh se një nga strategjitë më të thjeshta për ta luftuar këtë është të tregosh respekt për kolegët.

Në një anketë tjetër me më shumë se 20,000 punonjës në SHBA, u zbulua se respekti ishte sjellja kryesore që çonte në një rritje të angazhimit të punonjësve.

Kur punonjësit e dinë se janë të respektuar nga anëtarët e tjerë të ekipit, ata janë më pak të stresuar dhe më të përkushtuar ndaj punës së tyre. E njëjta gjë është e vërtetë kur punonjësit e dinë se menaxhmenti i lartë e vlerëson dhe e respekton punën e tyre.

Respekti mund të ndihmojë për të krijuar një vend pune të merituar

Kur anëtarët e ekipit tregojnë njëlloj respekt për të tjerët, krijohet një ndjenjë drejtësie dhe ngacmimet, thashethemet dhe negativiteti minimizohen.

Kur menaxhmenti i lartë i respekton punonjësit, nuk ka vend për ngacmime apo favorizime, gjë që jep një shembull të mirë për stafin si dhe i lejon të ndihen të barabartë me kolegët e tjerë.

Respekti mund të zvogëlojë stresin

Kur punonjësit e dinë se janë të respektuar, ata mund ta bëjnë lirisht punën e tyre pa u shqetësuar se do të tallen apo do t’i kritikojnë. Ata gjithashtu mund të relaksohen dhe të jenë vetvetja pa stresin e ndjenjës se duhet të mbingarkojnë veten për të provuar vlerën e tyre.

Respekti përmirëson bashkëpunimin

A keni vënë re ndonjëherë se idetë e mëdha dalin shpesh nga takimet bashkëpunuese? Një grup punonjësish që respektojnë njëri-tjetrin, natyrisht do të ndajë ide, në përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie dhe për të përmirësuar rrjedhën e punës.

Për punonjësit, punëdhënësit dhe menaxherët, rregullat e respektit janë të njëjta. Përdorni këto këshilla nëse jeni gati për të ndërmarrë hapin tjetër drejt ndërtimit të një kulture më të fortë organizative.