Blog

3 Drejtimet e zhvillimit personal

3 Drejtimet e zhvillimit personal

Artikulli i kësaj jave, me autor Jim Rohn, flet mbi zhvillimin personal dhe më konkretisht trajton 3 anë, të cilat në dukje shikohen si tema të thjeshta, por që kanë një rëndësi të veçantë për ecurinë tuaj personale, e në të gjitha aspektet e jetës. Vetë Jim Rohn ishte një sipërmarrës i famshëm, një nga shembujt më konkret të njerëzve me vullnet të hekurt, që e kthehu veten nga një njeri i varfër në një njeri shumë të pasur, duke përdorur me mençuri intuitën dhe zgjuarsinë e tij. Zhvillimi personal është një nga mekanizmat kryesorë që nxit rritjen e kulturës personale të punës, produktivitetin dhe efektivitetin. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një ditë, mentori im, Z. Earl Shoaff, më tha: "Jim-i, nëse dëshiron të jesh i pasur dhe i lumtur, ngulite në mendje këtë mësim: Nëse do ta bësh mirë punën tënde, mëso në radhë të parë të punosh më shumë me veten".

Më duhet ta pranoj se kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi të gjithë. Procesi i zhvillimit personal, është një proces që zgjat gjithë jetën.

Me kohën, ju do ta shikoni se ajo çka jeni apo keni arritur është më e rëndësishme nga ajo që keni marrë apo përfituar. Pyetja më e rëndësishme që duhet të bëni në punë nuk është: - “Çfarë po marr unë nga kjo punë?”. Në vend të kësaj duhet të pyesni: - “Çfarë jam duke u bërë?” Ajo që ju do arrini të jeni në të ardhmen do të ndikojë drejtpërdrejt në frytet e asaj që do arrini. Përpiquni ta mendoni kështu: janë gjërat, të cilat ju i keni arritur deri tani, ato që ju kanë shtyrë të bëheni ai që jeni sot.

Unë, gjithashtu kam arritur në përfundimin se të ardhurat rrallë tejkalojnë zhvillimin personal. Shpeshherë njerëzit pretendojnë të marrin paga të larta, po kur përballen me përgjegjësitë, pritshmëritë ulen, sepse e kuptojnë që shumë përgjegjësi janë jashtë mundësive të tyre dhe ata bëjnë aq sa munden.

Është e vështirë të arrish diçka që nuk është marrë përmes zhvillimit personal. Pra, këtu është aksioma e madhe e jetës:

“Që të kesh më shumë sesa ke, duhet të kërkosh vazhdimisht nga vetja.”

Tregu është i mbushur me kërkesa. Ka shumë mundësi, por ju duhet të qëndroni në gatishmëri dhe të përgatiteni për to. Neve na kalon një pjesë e mirë e vitit për t’u përgatitur për vitin e ardhshëm. Dhe kështu e me radhë për vitet në vazhdim. Ne besojmë se arsyeja pse jemi këtu, apo pse jemi mirë apo kalojmë mirë, është sepse kemi shpenzuar një pjesë të dekadës së fundit duke u përgatitur për këtë dekadë.

Kështu një pjesë të madhe të jetës ne e harxhojmë për të qenë gati për atë që vjen më pas, për t’u përgatitur për të ardhmen dhe pjesë e këtij procesi është dhe zhvillimi i aftësive. Unë kam një frazë të përshtashme për ju që dëshironi të filloni me zhvillimin e aftësive për të patur sukses në treg. Së pari, filloni me zhvillimin personal, vetë-përmirësimin, dhe masni progresin tuaj.

Zhvillimi personal është një shtytje, një luftë, një sfidë. Nuk ka fitore pa sfida. Ky është kuptimin i jetës. Lufta dhe sfida për të zhvilluar veten dhe aftësitë tona, për të parë se çfarë mund të krijojmë në mënyrë që të qëndrojmë në treg.

Jeta ka të bëjë me krijimin e aftësive dhe vlerave, hedhjen dhe shfrytëzimin e tyre në treg dhe më pas marrjen e përfitimeve prej tyre. Ajo ka gjithashtu anën sociale, shpirtërore si dhe atë fizike, për të cilat do të flasim më poshtë.

Zakonet e reja nuk përshtaten lehtë por ato mund të zhvillohen. Nganjëherë kur jemi të fokusuar në një drejtim, vështirësia mund të jetë më e madhe, por jo e pamundur. Dikush një herë pat thënë: “Sukses do të thotë 10 për qind frymëzim dhe 90 për qind përpjekje".

Frymëzimi është një ndjenjë e admirueshme, por ai duhet t’ju drejtojë drejt disiplinës. Një gjë është të jesh i motivuar, por është tjetër gjë të jesh i motivuar sa duhet, p.sh. për të qenë i pari i klasës. Duhet të mësosh vazhdimisht, të përsërisësh rregullisht ato që ke mësuar, të punosh pa pushim, derisa kjo të kthehet në rutinën tënde. Dhe këto janë sfida. Nuk janë të lehta, por janë sfida që nëse i kaloni, zhvilloheni dhe rriteni. Do të jenë ato që do të përcaktojnë vendin tuaj në tregun e punës dhe përfitimet nga ato që keni ofruar.

Zhvillimin personal e kam ndarë në tri pjesë. Më lejoni t'ju prezantoj me to:

1.    Ana shpirtërore

Unë e di se kur ju flisni per planin shpirtërior, mendimet mund të jenë nga më të ndryshmet, por pothuasje të gjithë janë të mendimit, që njerëzit nuk janë si kafshët. Disa njerëz besojnë se prejardhjen e kemi nga kafshët, por që kemi avancuar me kohën, ndërsa unë besoj se njerëzit janë unikë. Cilësitë shpirtërore na bëjnë të ndryshëm nga të gjitha krijesat e tjera. Tani unë nuk jam studiues i kësaj fushe, kështu që nuk mund t'ju jap shumë këshilla, por do t'ju rekomandoja të jeni gjithmonë në kërkim të anës dhe natyrës tuaj shpirtërore. Bëni të pamundurën për ta zhvilluar këtë anë tuajën.

2.    Ana fizike

Mendja dhe trupi punojnë së bashku, kështu që ne duhet t'i kushtojmë vëmendje të dyjave. Zhvillimi i mendjes dhe i trupit. Ju e keni dëgjuar atë frazën që thotë - trajtoni trupin tuaj si të ishte një tempull. Një tempull. Goxha fjalë. Diçka për të cilën do të kujdeseshit jashtëzakonisht mirë. Trajtoni trupin tuaj si duhet trajtuar një tempull, jo si një hambar, apo jo? Një tempull. Kujdesuni mirë për të.

E vetmja shtëpi ku duhet të jetojmë është trupi ynë, i cili bën pjesë në asetet më me vlerë me të cilat sfidojmë tregun. Ja pse mirëqenia jonë fizike duhet të jetë e rëndësishme. Nëse ndjehemi mirë fizikisht atëherë dhe qasja jonë në tregun e punës do të jetë optimale. Forma e mirë fizike na jep vetëvlerësim dhe vetëbesim. Këtu hyn dhe mënyra e të ushqyerit. Ju mund ta përballoni edhe sforcimin ekstrem nëse kujdeseni ashtu siç duhet. Lexoni libra që kanë të bëjnë me mënyrën e shëndetshme të të ushqyerit, të cilat do t’ju hapin horizontin. Do të gjeni pikëpamje të ndryshme për sa i përket këtij argumenti, por duke lexuar libra të ndryshëm do të jeni në gjendje të vendosni për regjimin tuaj ushqimor, i cili ju përshtatet.

Pastaj vjen paraqitja. Është aftësi të kujdeseni për pamjen tuaj të jashtme. Ndikon shumë në pranimin tuaj në shoqëri. Një pjesë e madhe e saj është mënyra se si ju dukeni para njerëzve të tjerë - në punë, kompani e komunitet. Ju keni të drejtë kur thoni se njerëzit nuk duhet t'ju gjykojnë për pamjen tuaj. Epo, më lejoni t'ju them, ata e bëjnë! Mos e bazoni jetën tuaj në si duhet dhe nuk duhet. Bazojeni jetën tuaj në realitetet që ndodhin.

Sigurisht, kur njerëzit do t’ju njohin, do t'ju gjykojnë përtej asaj që shohin, por në fillim ata do t’ju gjykojnë nga pamja e jashtme. Pra, pamja e jashtme fizike është pjesë e anës fizike të zhvillimit personal.

Kujdesuni për pamjen e jashtme por mos e ekzagjeroni. Disa njerëz shqetësohen shumë se si duken, duke arritur deri në fiksim. Pra kujdesuni me masë për paraqitjen tuaj të jashtme. Bëni më të mirën që mundeni. Ndjehuni mirë me veten tuaj dhe mos lejoni që të kthehet në një shqetësim për ju.

3.    Ana mendore

Kjo është pjesa e tretë e zhvillimit personal: mendja. Stërvitja e trurit dhe zhvillimi i zakoneve të mira të të menduarit, shprehitë e mira të studimit, ndjekja e ideve dhe përpjekja për të gjetur mënyra për t'i zbatuar ato në sjelljen njerëzore dhe në tregun e punës. E gjithë kjo kërkon stërvitje dhe ushtrime mendore. Lexoni sa më shumë. Mos u mjaftoni më pak. Duke lexuar sa më shumë do ta keni më të qartë gamën e plotë të ushqimit mendor, në mënyrë që të rriteni.

Gatishmëria juaj për të mësuar lëndët më të vështira, të cilat shumica e njerëzve vendosin t’i anashkalojnë, do t’ju japë një avantazh të jashtëzakonshëm në treg. Por si mund të zotëroni një pjesë të aftësive të larta, aftësive të jashtëzakonshme që ju bëjnë një interpretues të spikatur në treg? Për këtë shërben stërvitja e trurit. Disa njerëz shmangin të mësojnë poezinë, letërsinë, apo historinë dhe shumë gjëra që duken pak të vështira për t’i mësuar. Por nëse gjithmonë largoheni nga ajo që në fillim ju duket pak e vështirë, atëherë do të ndiheni gjithmonë të dobët. Do ta ndjeni veten të papërgatitur për tregun e punës. Pra, mos kini frikë të merreni edhe me gjërat më të vështira. Mund të jetë shumë më e lehtë sesa mendoni, duke mësuar hap pas hapi, aftësi pas aftësie.