Blog

Ju merrni talentin që paguani!

Ju merrni talentin që paguani!

Është shpenzuar shumë kohë dhe energji prej vitesh, por paksa më e ethshme kjo tani së fundi, lidhur me fenomenin e largimit jashtë vendit të punonjësve dhe sidomos të rinjve. Përgjatë konsulencave organizative me shumë biznese, edhe ne nuk kemi mundur të ngelemi jashtë këtij diskutimi. Në këndvështrimin tonë, përveç gjëndjes së ekonomisë dhe politikave shtetërore, nuk mund të ngelen jashtë përgjegjësisë edhe sjellja dhe politikat e bizneseve, që nuk e vlerësojnë sa duhet kapitalin njerëzor dhe investojnë shumë pak ose aspak, në drejtim të trajtimit, trajnimit dhe zhvillimit personal e profesional të punonjësve të tyre. Shkrimi më poshtë, me autore Brigette Hyacinth, shpjegon rëndësinë dhe efektivitetin e këtij investimi. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Disa vite më parë, Dan Price drejtues në kompaninë e tij, shkurtoi pagën e tij prej pothuajse 1 milion dollarësh, për të rritur pagat e punonjësve të tij, duke e çuar pagën minimale të punonjësve në 70,000 dollarë në vit. Tani ai po hap një zyrë në një qytet të ri dhe po premton një rritje tjetër të pagës.

Në vitin 2015, ai është shpallur si një nga punëdhënësit më bujarë. Dy javë pasi bëri njoftimin fillestar, kompania u përmbyt me 4,500 aplikime për punë dhe përpunimet e klientëve të rinj kërcyen nga 30 në 2,000 në muaj. Dan besonte se duke investuar tek punonjësit e tij, kompania do të rritej më shpejt. Për fat të keq, shumica e punëdhënësve nuk e vlerësojnë këtë. Nëse doni të rrisni besnikërinë, angazhimin dhe rendimentin e punonjësve, filloni duke u paguar njerëzve atë që vlejnë.

Sot, shumë kompani nuk duan të punësojnë kandidatët që konsiderohen «të mbikualifikuar». Megjithatë, shpërfillja e "të mbikualifikuarve" - sepse mendohet se janë tepër të shtrenjtë dhe mund të punësohen 2 punonjës për çmimin e njërit prej tyre - përfundimisht do të të kushtojë më shumë, në terma afatgjatë. Nuk mund ta gjeni eksperiencën në Google.

Shumica e njerëzve nuk presin paga apo rritje qesharake. Ata thjesht duan të paguhen aq sa vlejnë. Është për të ardhur keq se si ne i kemi përcaktuar kompensimet e punonjësve si "detyrime" ndërsa makineritë dhe ndërtesat si asete. Ne investojmë në asete dhe kufizojmë detyrimet.

Në Universitetin e Pensilvanisë, studiuesit zbuluan se bizneset që shpenzuan 10% të të ardhurave të tyre në përmirësimet e kapitalit arritën një rritje të produktivitetit prej 3.9%. Por shikoni se çfarë ndodhi, kur e njëjta vlerë prej 10% u investua tek punonjësit, këtu rendimenti u rrit me 8.5%.

Përveç kësaj, unë shikoj se shumë punëkërkues dhe punonjës, qoftë gjatë intervistës për një punë, apo qoftë duke negociuar për një rritje page, shpesh e nënvlerësojnë veten. Mësoni të kërkoni për veten tuaj. Mësoni të thoni jo. Mos kini frikë të kërkoni pagën që meritoni. Ajo ka të bëjë me aftësitë, përvojën dhe vlerën që ofroni në tavolinë. Kuptoni mirë vlerën tuaj dhe mos kini frikë ta kërkoni atë.