Blog

Si të jeni Udhëheqësi që njerëzit duan të shohin

Si të jeni Udhëheqësi që njerëzit duan të shohin

Nëse ju pyesin, a njihni ju drejtues apo menaxherë me të cilët nuk do të donit të kishit të bënit pas pune, besojmë se përgjigja do të jetë pohuese. Një përgjigje e ngjashme vjen edhe nga tre të katërtat e punonjësve, të pyetur në një sondazh, para pak kohësh në SHBA. Pasi vendosen në detyra drejtuese, shumë nga drejtuesit e rinj nuk e kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë, që të arrijnë të bëhen lidera të vërtetë e që njerëzit t’i ndjekin. Për pasojë ata dështojnë në rolin e tyre. Dan Rockwell, autori i shkrimit këtu, i kushton një rëndësi të madhe sjelljes me njerëzit, në mënyrë që ata të shohin tek lideri jo vetëm menaxherin, por një person që kujdeset, i ndihmon dhe i frymëzon. Sepse udhëheqja ka të bëjë me njerëzit, ka të bëjë me atë se si njerëzit tuaj ndihen për ju. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Kalimi i kohës me menaxherin e tyre është pjesa më e keqe e ditës për punonjësit. Çfarë i bën menaxherët kaq të pakëndshëm? Pa dashur, menaxherët bëhen të pakëndshëm kur ndjekin një axhendë që nuk ka asnjë lidhje me njerëzit e ekipit.

Njerëzit e mërzitshëm gjithmonë kanë një axhendë personale. Kur menaxherët e pakëndshëm bëjnë pyetje, punonjësit (ndoshta kjo ju ka ndodhur edhe juve) pyesin veten se çfarë duan të dinë ata në të vërtetë.

Suksesi i udhëheqjes kërkon që të mësoni më shumë gjëra, që shkojnë përtej rezultateve.

Të gjithë e kuptojnë që ju nuk interesoheni për njerëzit, kur rezultatet janë tema e vetme për të cilat flisni. Drejtuesit që pyesin vetëm për rezultatet janë shpenzues energjie, aspak interesantë, dritëshkurtër, që i shërbejnë vetëm vetes dhe që zhyten në vetvete.

Bëni pyetje që forcojnë marrëdhëniet:

Pyetje rreth njerëzve:

  1. Çfarë i intereson anëtarëve të ekipit jashtë punës?
  2. Çfarë bëjnë njerëzit për argëtim?
  3. Si arritën anëtarët e ekipit tuaj të jenë të zotë në punën e tyre?
  4. Kush janë yjet në rritje në ekipin tuaj? Si mund t’i mbështesni dhe sfidoni ata?
  5. Kush po performon nën parashikim? Si do të nxisni interesin e tyre për rezultate më të mira?
  6. Si mund t’i mbështesni njerëzit?
  7. Kush ka nevojë për sfida të reja?

Pyetje rreth sfidave:

  1. Çfarë ju shqetëson?
  2. Nëse gjërat do të shkonin më mirë, si do të ndiheshit?
  3. Çfarë mund të bëni sot për të ecur në drejtimin e duhur?

Pyetje lidhur me suksesin:

  1. Ku po shihni progres?
  2. Çfarë mendoni se po ndikon në ecjen përpara?
  3. Çfarë po funksionon mirë?

Pyetje për të ardhmen:

  1. Çfarë do ta bëjë të nesërmen më të mirë se sot, për ju?
  2. Nëse gjërat do shkonin keq, çfarë mund ta shkaktonte e që ju e neglizhuat?
  3. Cilat janë tre gjërat që mund të bëni për ta bërë javën e ardhshme më të mirë se këtë javë? Si mund t’ju ndihmoj?

Pyetjet origjinale përcaktojnë drejtimin.

Energjia tkurret kur problemet, ankesat dhe dështimet janë tema të përsëritura në bisedë. Një pyetje e mirë nxit vitalitetin.