Blog

A jeni një Menaxher i shkëlqyer?

A jeni një Menaxher i shkëlqyer?

Kur jeni promovuar në një rol drejtues, natyrisht që ashtu si ju edhe shumë përreth e kanë konsideruar si një arritje në karrierën tuaj, e nuk kanë nguruar t’ju urojnë për këtë sukses. Dhe me të drejtë, pasi është një sukses. Megjithatë, të qenit i suksesshëm pas promovimit aty, për shumë profesionistë ka qenë një nga përgjegjësitë më sfiduese nga sa e kishin menduar. Kjo, pasi të qenit menaxher i një ekipi apo sektori nuk do të thotë se dikush është edhe një drejtues i mirë, e aq më pak një drejtues i shkëlqyer. Ndërsa ju punoni fort që të jeni menaxherë të shkëlqyer, në mënyrë që të arrini aty, merrni disa ide nga ekspertët e leadershipit, si Dan McCarthy dhe Jack Litewka, të cilët kanë paraqitur një përmbledhje të karakteristikave të menaxherëve të shkëlqyer. Leadershipi dhe të mësuarit shkojnë së bashku dhe nuk mund të bëjnë pa njëra-tjetrën. Lexim të këndshëm!

* * * * * 

"Si mund ta di nëse jam një menaxher i mirë apo një menaxher i shkëlqyer?" (këtu supozoj se askush që po e lexon këtë artikull nuk është menaxher i keq).

Kjo është një pyetje e rëndësishme që të gjithë drejtuesit duhet t'ia bëjnë vetes.

"Pse kjo është një pyetje e rëndësishme?" 

Sepse një Menaxher i shkëlqyer arrin rezultate dukshëm më të mira se një Menaxher i mirë, qoftë në të ardhura, në marzhin e fitimit, në të menduarit jashtë kufizimeve, në tejkalimin e pritshmërive, në moralin e ekipit, në ruajtjen e talenteve, në rritjen e reputacionit të kompanisë, markës, produkteve dhe shërbimeve të kompanisë, si dhe në perceptimin si lider. Pra, nëse një drejtues nuk dedikon kohë për të menduar se çfarë duhet të bëjë për të vazhduar rrugën nga Menaxheri i mirë te Menaxheri i shkëlqyer, atëherë kjo gjë do të jetë gjithmonë e paarritshme.  

Menaxherët e mirë

Le të fillojmë duke pare se çfarë bëjnë Menaxherët e mirë. 

  • Menaxherët e mirë japin rezultate cilësore në kohë. 
  • Menaxherët e mirë japin rezultate cilësore në buxhet.
  • Menaxherët e mirë bëjnë një punë të mirë për punësimin e talenteve. 
  • Menaxherët e mirë bëjnë një punë të mirë për të vendosur pritshmëri. 
  • Menaxherët e mirë bëjnë një punë të mirë për të vendosur ritmin dhe fokusin për ekipin e tyre. 
  • Menaxherët e mirë bëjnë një punë të mirë me planifikimin. 

Dhe sigurisht, bëjnë edhe më shumë se kaq. 

Këto janë arritje të rëndësishme dhe bota e punës me siguri ka nevojë për më shumë Menaxherë të mirë. Asnjë argument tjetër për të shtuar.

Por a është ky niveli më i lartë për përsosmëri? Kjo pyetje (dhe përgjigja e saj - "Jo") na çon në mënyrë të pashmangshme në këto pyetje: "Çfarë bën ndryshe një Menaxher i shkëlqyer? Si e dallojnë veten Menaxherët e shkëlqyer?” Vazhdoni leximin… 

Menaxherët e shkëlqyer

Një Menaxher i shkëlqyer i bën të gjitha gjërat që bën një Menaxher i mirë – por ai i bën ato në mënyrën më të mirë të mundshme, e jo vetëm në një mënyrë mjaft të mirë. 

Gjithashtu, një Menaxher i shkëlqyer bën edhe gjëra shtesë, që një Menaxher i mirë nuk i bën. "Cilat janë ato?" 

Këtu do të gjeni disa nga karakteristikat kryesore që dallojnë një Menaxher të mirë nga një Menaxher i shkëlqyer.

Menaxherët e shkëlqyer kanë një kornizë - dikush mund ta quajë një kornizë filozofike - brenda së cilës ata marrin në konsideratë të gjitha aktivitetet dhe kompromiset e mundshme. Çelësi për këtë është që Menaxherët e shkëlqyer e kuptojnë aspektin kritik të rolit të tyre - kuadrin e tyre gjithëpërfshirës: që është: krijimi i kushteve që lejojnë të tjerët të kenë sukses. Sigurisht, Menaxherët e shkëlqyer nuk mund të garantojnë që anëtarët e ekipit të tyre do të kenë gjithmonë sukses, por megjithatë, ata krijojnë kushtet që u japin anëtarëve të ekipit mundësinë optimale për të arritur dhe për të tejkaluar nivelin e cilësisë në punën e tyre.

Menaxherët e shkëlqyer kanë një vetëdije të mprehtë dhe të shëndetshme për ndikimin e tyre tek të tjerët, e jo vetëm tek njerëzit në ekipin e tyre, por edhe menaxherëve, drejtuesve dhe anëtarëve të tjerë në organizatë. Kjo vetëdije bën të mundur që Menaxherët e shkëlqyer të mbrojnë ekipet e tyre (nga zhurmat, thashethemet, buxhetet e pamjaftueshme, etj.) dhe t’i krijojnë kushte optimale për të dhënë maksimumin në punën e tyre.

Menaxherët e shkëlqyer kanë një kuptim shumë të sofistikuar se si të motivojnë ekipet e tyre. Ata e kuptojnë se motivimi afatgjatë nuk arrihet gjithmonë nëpërmjet festave… ose dhuratave… ose dredhive… ose dashamirësisë verbale… ose promovime të fituara me të drejtë… ose duke siguruar njohje publike – edhe pse secila prej tyre (në rrethanat e duhura) mund të jenë gjëra të mira. 

Menaxherët e shkëlqyer e kuptojnë se anëtarët e ekipeve të tyre do të ndihen të motivuar kur të jenë të suksesshëm – dhe kjo ndjenjë e suksesit përhap vetë-motivimin, i cili është afatgjatë. Pra përsëri, krijimi i kushteve që lejojnë të tjerët të kenë sukses është thelbësor.

Menaxherët e shkëlqyer nuk besojnë gjithçka që mendojnë. Ata rregullisht pyesin veten: "Po sikur ta kem gabim?" Kjo pyetje i shtyn Menaxherët e shkëlqyer të mendojnë rregullisht për alternativa, që mund të jenë më të mira sesa ajo e para që ju vjen ndërmend, përpara se të marrin vendime të rëndësishme. 

Menaxherët e shkëlqyer e kuptojnë se zhvillimi i një ekipi të madh kërkon krijimin e një kulture të madhe ekipore. Menaxherët e shkëlqyer mendojnë shumë se si të krijojnë një kulturë në të cilën shuma është më e madhe se pjesët. Ata e kuptojnë se kjo nuk ndodh vetvetiu, nuk ndodh rastësisht. Ata e kuptojnë se kjo nuk ndodh automatikisht duke punësuar talente. Krijimi i një kulture të madhe ekipore kërkon që një menaxher i shkëlqyer të harmonizojë dhjetëra faktorë në një mënyrë të aftë (dhe shpesh delikate). Menaxherët e shkëlqyer fokusohen tek kjo detyrë dhe bëjnë punën e nevojshme për të krijuar një kulturë të madhe ekipore. 

"Pse janë të gatshëm të shpenzojnë kohë dhe përpjekje për këtë?" 

Sepse ata e dinë shumë mirë se një kulturë e shkëlqyer ekipore rezulton në tejkalimin rregullisht të pritshmërive nga ekipi i tyre.