Largimi i Negativitetit
Ndoshta nuk kemi pasur dëshirën për ta menduar, por është e qartë se po jetojmë në kohëra të paparashikueshme. Kemi jetuar një tërmet relativisht të fuqishëm, me humbje njerëzore dhe pasuri, prej dy vjetësh po përballemi me pandeminë botërore që ende nuk duket se po shkon drejt fundit, e tani prej 33 ditësh, me pasojat e një lufte të çmendur, që megjithëse jo shumë pranë, po ndikon fort, jo vetëm jetët tona. E ndërsa këto ndodhin, kemi rrotull shumë “shpëtimtarë” përforcues të negativitetit, që nëpërmjet shkrimeve, analizave, opinioneve dhe komenteve e shtojnë ankthin dhe trishtimin. Paksa kështu është ndjerë edhe Anthony Iannarino, me një shkrimtar të tillë, të cilin na e përshkruan në shkrimin këtu. Por gjithashtu ai na kujton, se kur njerëzit shikojnë prapa në jetën e tyre, zakonisht janë sfidat më të vështira që i bënë ata më të fortë e që u ngritën e fituan mbi to. Është detyra jonë të bëjmë të njejtën gjë, së pari, duke larguar negativitetin nga jetët tona. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kam lexuar një seri shkrimesh nga një person vërtet i zgjuar. Ai është gjithashtu një shkrimtar shumë i mirë. Në fakt, shkrimet e tij janë ato që më tërhoqën dhe temat për të cilat ai shkruan janë interesante për mua. Nëse do ta përgjithësoja, ky shkrimtar shkruan për gjendjen njerëzore, tema mbi sistemet ekonomike, sistemet qeveritare, sjelljen e kompanive dhe korporatave të mëdha, filozofinë dhe fenë.
Kam lexuar shumë nga shkrimet e tij. Me kalimin e kohës, vura re diçka: Ai është jashtëzakonisht negativ, duke e maskuar këtë si kujdes dhe shqetësim. Është e lehtë të vësh në dukje pjesët e shëmtuara të gjendjes njerëzore.
- Është e lehtë të gjesh probleme brenda sistemeve ekonomike, veçanërisht kur sipas sistemit, rezultatet shpërndahen në mënyrë të pabarabartë.
- Nuk ka asgjë më të lehtë se sa të kritikosh paaftësinë e qeverisë dhe një sistemi që shpesh duket në luftë me vetveten. Në fakt, mendoj se kritikimi i qeverisë, një e drejtë që unë e mbështes fuqishëm, është një mënyrë shumë e përhapur për kalimin e kohës.
- Kompanitë dhe korporatat e mëdha janë plot me qenie njerëzore, dhe për shkak të kësaj të vërtete, ka mënyra të pafundme që ato të bëjnë gabime, të veprojnë keq dhe të justifikojnë atë me qëllimin për përfitim. Disa kompani ndonjëherë bëjnë dëm, sepse ndonjëherë edhe njerëzit bëjnë.
Me kalimin e kohës, ndalova së lexuari shkrime prej tij. Unë nuk e njoh këtë botë distopike që sheh ky shkrimtar. Sistemi ekonomik ku ne jemi pjesë është tmerrësisht i papërsosur, por gjithsesi e vetmja mënyrë që ka nxjerrë nga varfëria një numër kaq të madh njerëzish. Republika jonë demokratike është ende e fortë dhe pavarësisht nga dallimet tona të shumta dhe serioze, "Eksperimenti i madh" qëndron i fortë, pavarësisht politikës dhe politikanëve. Ka akoma më shumë mundësi në dispozicion për ata që do të kërkonin për to, edhe nëse është më e vështirë për disa se të tjerët.
Bota që unë shoh është plot me qenie njerëzore, në thelb të mirë dhe pafundësisht të gabueshëm, që bëjnë më të mirën e tyre duke përsëritur gabime prej të cilave duhet të kishin nxjerrë mësime prej kohësh dhe të kishin triumfuar mbi to. Në përgjithësi, tek shumica prej nesh e mira peshon më shumë se e keqja, por tek ata pak prej nesh që janë vërtet të këqij, kjo ka një përmbysje aq të madhe sa që sfidon çdo tregues. Duke pasur kohë të mjaftueshme, ne gjejmë mënyra për të zgjidhur sfidat tona më të mëdha dhe duke e bërë këtë, krijojmë sfida edhe më të mëdha.
Njerëzit martohen. Foshnjat lindin. Janë bërë promovime. Dhe jeta jetohet, më e gjatë e më e sigurt se kurrë më parë dhe me më shumë bollëk sesa mund të imagjinohej nga ata që erdhën para nesh. Disa e ndjejnë jetën si verë dhe disa si dimër, por më pas, kjo do të jetë e vërtetë për një kohë të gjatë.
Nuk e lexoj më shkrimtarin e zgjuar. Bota ngjan më shumë me atë që ju besoni se duket.