Përgatitja për Krishtlindje: Si të organizoni dyqanin tuaj me pakicë
Kanë mbetur më pak se 20 ditë deri për Krishtlindje e pak më shumë deri në festën e vitit të ri. Tashmë vitrinat e dyqaneve janë zbukuruar me motivet festive, e po kështu janë bërë të gjitha përgatitjet për të pritur klientët e shumtë. Ka edhe prej atyre që ende janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve e që kujdesen deri në detaje, në mënyrë që vitrinat dhe mallrat e reja e më të mira të shkëlqejnë. Por nga përvoja e klientit, na ndodh shpesh që të ndihemi të zhgënjyer nga mbingarkesa e artikujve të shumtë, ose edhe bombardimi me oferta, që nuk na ndihmon të kuptojmë se për çfarë kemi realisht nevojë. Për kujtesë të menaxherëve të dyqaneve, shkrimi më poshtë, me autor Bob Phibbs, sjell një përvojë, e cila mund të ndihmojë në organizimin më të mirë të artikujve dhe njësive, e të rrisë rezultatet në shitje. Njerëzit gjithmonë do të shkojnë të blejnë. Është në të mirë të bizneseve që t’i ofrojnë klientëve një përvojë blerje të shkëlqyer. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Mallrat ... si ushqimet ... alkooli ... e shumë gjëra ... mund të jenë të mira.
Derisa të keni shumë.
Një larmi të madhe mallrash është ajo që shohim gjithnjë e më shumë në të gjitha llojet e dyqaneve me pakicë. Dhe thjesht vendosja dhe tregtimi i tyre nëpër dyqan nuk do ta zgjidhë problemin.
Catherine Lindner, zëvendëspresidente e Walgreen e ka thënë shumë mirë: “Ishin vitet ‘90 ku ne shtonim e shtonim pafund artikuj, e që njerëzit donin më shumë, më shumë, më shumë, e më shumë zgjedhje... thjesht nuk dhanë rezultat. Tani njerëzit thonë: Ej, po më bombardoni. Më ndihmoni të kuptoj se çfarë kam nevojë".
Nëse të mëdhenjtë e kanë kuptuar këtë, ashtu duhet të bëni edhe ju.
Pra, ju duhet të kufizoni zgjedhjen e mallrave tuaja.
Mendoni të hiqni artikujt tuaj, jo të shtoni më shumë.
Ofrimi i shumë zgjedhjeve e pushton mendjen e klientit dhe ajo mbyllet. Nëse po përpiqeni të përmirësoni normën e konvertimit - e kush nuk do ta bëjë, do të duhet të mendoni si një shkrimtar - ju duhet të redaktoni.
Filloni me gjërat e lehta. Largoni artikujt më pak të nevojshëm, në mënyrë që të mund të mënjanoni shpërqendrimin e klientëve.
Ja se si të filloni:
- Hidhini një sy shifrave të shitjeve të kategorive të inventarit tuaj sipas muajve dhe nga fillimi i vitit deri tani.
- Brenda çdo kategorie, shikoni 20% të artikujve në fund të listës - ato që nuk lëvizin.
- Anulloni të gjitha porositë për rimbushje dhe vendosini në tryezën tuaj.
Pasi të keni bërë këto tre gjëra shikoni artikujt tuaj, për të gjetur:
Klonet. Shumë herë porosisim artikuj sepse mendojmë se janë shumë të mirë. Ajo që mund të mos e kuptojmë, nëse nuk kemi parasysh çdo artikull në dyqanin tonë dhe nuk e kemi kategorizuar ashtu si duhet, është se ne tashmë kemi diçka të ngjashme.
Jetimët. Është mirë të kesh lodra, aksesorë ose mjete të domosdoshme – derisa t’i shesësh të gjitha, përveç të fundit. Përpara se të ri-porositni, shikoni me kujdes nëse tregu ka ecur përpara. Pastaj ulni çmimin e të fundit – edhe nëse keni shitur plot prej tyre me çmimin e plotë.
Të papërshtatshmet. A keni produkte prove apo të hapura e që ju mungon ndonjë pjesë? Sigurisht, mund të shkoni dhe të porosisni pjesën që të mund ta shisni të plotë, ose mund ta vendosni për shitje, me një shenjë që thotë se mungon një pjesë. Ju madje mund të tregoheni korrektë dhe të printoni udhëzimin se si të mund ta marrin pjesën që mungon nga prodhuesi.
Kthimet. A keni artikuj në gjendje të mirë që janë kthyer nga klientët? Mos u shqetësoni, edhe pa paketim ose në një kuti të grisur, vendosni një çmim mbi të dhe nxirreni në shitje.
dhe "dhimbje koke". A keni linja të plota artikujsh që i keni porositur në ngjyrën e gabuar? Apo që konkurrenca i shiti me një çmim të ulët? Apo dhe për arsye të tjera? Tani është koha për t'i bërë ato të tingëllojnë si flori dhe të godasin me çmimin e tyre. Nëse duhet, pastroni kutitë e bëni gjithçka që duhet për t'i bërë ato të duken përsëri të reja. Vendosni një tabelë që thotë: Çmim special -60% ulje - dhe i shisni ato.
Ndihmoni edhe furnitorët, nëse ata kanë diçka, që ju mund ta ofroni me një çmim vërtet të ulët. Nuk po flasim për një kamion ngarkesë, por mjaftueshëm për t'ju ndihmuar të plotësoni gamën e artikujve tuaj.
Tani kaloni tek tufa e porosive tuaja të reja dhe i rishikoni ato në mënyrë kritike, e nëse duhet, ndryshojini ato. Të gjithë e kemi hasur përvojën e rishikimeve të shpeshta, me idenë e zbulimit të ndonjë artikulli në kulmin e popullaritetit të tij, vetëm e vetëm për të bërë një porosi e që më pas mbingarkon stokun. Pra, jini të kujdesshëm.
Pasi të keni pastruar të gjitha ato mallra, mos e mbushni më me gjëra të tjera!
Jepini koleksionit tuaj të redaktuar të mallrave më shumë hapësirë për klientët, që të lëvizin brenda dhe përreth artikujve, në mënyrë që të tërhiqen e t'i shohin. Përdorni tavolina më të vogla të rrumbullakëta të vendosura afër njëra-tjetrës për të krijuar zona tërheqëse të ekspozimit të artikujve me fitim të lartë, në të gjithë dyqanin tuaj.
Me pak fjalë
Përgatitja për pushimet është një kohë argëtuese pasi trafiku i klientëve tuaj rritet. Përdoreni këtë periudhë për të organizuar sa më mirë fytyrën e dyqanit tuaj, me numrin sa më të ulët të artikujve, por me shitjet më të larta, sepse keni bërë përzgjedhjen më të mirë të mallrave.