Blog

Besnikëria e punonjësve është burimi juaj më i rëndësishëm

Besnikëria e punonjësve është burimi juaj më i rëndësishëm

Besnikëria e punonjësve është një term i përgjithshëm që nënkupton një grup emocionesh që i bëjnë punonjësit të ndihen të lidhur me punëdhënësin e tyre dhe që i shtyn ata të mos kërkojnë punë diku tjetër. Ky është një përkufizim, që autorët e shkrimit më poshtë përpiqen të na japin. Kur flasim për besnikërinë e punonjësve, një keqkuptim i madh krijohet, sepse shumë e lidhin besnikërinë e punonjësit me kohën e qëndrimit në kompani. Kur një punonjës punon për një kohë të gjatë në kompaninë tuaj, kjo jo domosdoshmërisht e bën atë besnik. Pavarësisht nga kohëzgjatja në kompani, punonjësi besnik është ai person që punon i përkushtuar ndaj suksesit të kompanisë dhe beson se të qenit punonjës i kësaj kompanie është edhe në interesin e tij. Është detyrë e kompanisë, drejtuesve dhe menaxherëve, të nxisin dhe ndërtojnë besnikërinë e punonjësve, jo vetëm për interesa të kompanisë por edhe të punonjësve të tyre. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Punonjësit janë pasuria juaj më e çmuar. Ata duhet të kenë ndjenjën se organizata juaj dëshiron më të mirën për ta dhe si rezultat, ata do të vazhdojnë të bëjnë më të mirën dhe të mos kërkojnë një punë tjetër. Ata janë njerëzit që punojnë ditë pas dite për të rritur biznesin tuaj dhe për t'ju ndihmuar të arrini objektivat tuaja dhe mund të bëjnë mrekulli për të ardhmen e markës suaj.

Organizatat janë shumë të varura nga besnikëria e punonjësve, pasi kjo është e rëndësishme për suksesin organizativ. Në të kaluarën ekzistonte koncepti i “punësimit për gjithë jetën”, ku punëdhënësit ofronin sigurinë e një vendi pune, në këmbim të angazhimit dhe besnikërisë. Sot, punëdhënësit janë nën presion për të performuar mirë dhe si rezultat, nuk mund të ofrojnë gjithmonë siguri në punë. Nuk është për t'u habitur që disa kompani po humbin rreth një të tretën e punonjësve të tyre, çdo vit. Me këto shifra, besnikëria e punonjësve mund të duket si një gjë e së shkuarës.

Shumë drejtues biznesi janë të shqetësuar për qarkullimin e lartë të personelit, veçanërisht midis punonjësve të rinj. Ata mendojnë se shkaku kryesor është mungesa e besnikërisë. Të rinjtë janë rritur me mundësi informacioni dhe të lidhur në rrjetet sociale, ata informohen vazhdimisht për mundësi të reja pune nga rrjetet e tyre. Por, të gjitha bizneset do të duhet të punësojnë nga këta të rinj, për të ecur përpara dhe kur ta bëjnë këtë, është e rëndësishme që të bëjnë gjithçka që munden, për të krijuar atë lloj besnikërie që kërkohet, për t'i mbajtur ata.

Gjithashtu, përtej andrallave të punësimit të zëvendësuesve, kushton rreth 20% e pagës mesatare të një punonjësi për ta zëvendësuar atë. Nuk ka asgjë më të keqe sesa të punësosh një rekrut të ri, ta trajnosh atë që të shkëlqejë në atë që bën, vetëm që ai të largohet dhe t'i përdorë aftësitë e tij më të mira për një biznes konkurrent. Nëse kjo do të ndodhte shumë shpesh, kompania juaj mund të kthehet një terren trajnimi për konkurrencën tuaj, që do të thotë se ata nuk kanë nevojë të kryejnë procedura trajnimi, duke ju vendosur në një disavantazh të madh.

Pra është e qartë, nxitja e besnikërisë tek punonjësit tuaj ia vlen.

Punonjësit besnikë janë ata që punësohen për të bërë një punë specifike dhe ata do të bëjnë gjithçka që munden për të bërë punën sa më mirë. Punonjësit besnikë jo vetëm që punojnë shumë për pagën e tyre, por ata janë të përkushtuar për suksesin e kompanisë suaj. Dhe shpesh, ata i vendosin interesat e kompanisë mbi interest e tyre, por gjithmonë përpiqen të përmirësojnë veten dhe rolin e tyre.

Kur ushqeni besnikëri te njerëzit që punojnë për ju, do të filloni të shihni disa përfitime të jashtëzakonshme për të gjithë të përfshirë. Kur punonjësit janë besnikë ndaj vendit të tyre të punës, ata do të jenë më të gatshëm të investojnë në punën e tyre, duke sjellë ide të reja dhe duke ecur më tej. Në fund të fundit punonjësit besnikë janë punonjës të lumtur - dhe sipas Forbes, punonjësit e lumtur nënkuptojnë "fitime të majme".

Lidhja midis kënaqësisë së punonjësve dhe produktivitetit është vendosur prej kohësh. Kompania Pret a Manger i atribuoi një pjesë të madhe të rritjes në shitje punonjësve më të lumtur. Disa janë përpjekur ta masin këtë lidhje dhe nga studimi kanë zbuluar se punëtorët e lumtur janë 12% më produktivë sesa kolegët e tyre më pak të kënaqur.

Një kompani e suksesshme ka nevojë për punonjës besnikë dhe të përkushtuar ndaj asaj që ajo përfaqëson dhe ndaj asaj që ajo përpiqet të arrijë. Prandaj bizneset duhet të vazhdojnë të përqendrohen në besnikërinë e punonjësve dhe të përpiqen ta rrisin atë. 

Menaxhimi i mirë është kritik për ndërtimin e besnikërisë së punonjësve

Sipas një studimi nga Gallup, 70% e motivimit të një punonjësi ndikohet nga menaxheri i tij. Nëse punonjësit nuk kanë motivim atëherë ata nuk angazhohen plotësisht dhe ulin produktivitetin. Dhe kjo, në disa raste, mund t'i kushtojë miliona një kompanie dhe të çojë në një shërbim të dobët ndaj klientit.

Më shumë se gjysma (53%) e punonjësve e përshkruajnë veten si "të pa angazhuar", dhe 13% të tjerë janë "qëllimisht të pa angazhuar". Kjo do të thotë se, në të vërtetë, ata nuk po e vendosin zemrën e tyre në punë - ata vijnë në punë, punojnë dhe shkojnë në shtëpi. Por nëse ata marrin një ofertë më të mirë pune, me siguri do të largohen.

Punonjësit nuk do të angazhohen ndaj organizatës, nëse nuk mund të shohin ndonjë kuptim për përfshirjen e tyre në të. Ata gjithashtu do të dekurajohen, nëse nuk besojnë se po marrin pjesë në realizimin e një vizioni bindës të së ardhmes. E njëjta gjë është e vërtetë edhe kur udhëheqësit e tyre nuk janë “të sinqertë” - kur ato që bëjnë bien ndesh me ato që thonë.

Faktori më me ndikim në angazhimin dhe performancën e punonjësve është marrëdhënia punonjës-mbikëqyrës. Investimi ndaj menaxherëve tuaj, për të zhvilluar udhëheqës dinamikë, do të japë ndikimin më të madh. Punësoni dhe trajnoni menaxherë që komunikojnë mirë, sigurohuni që punonjësit janë në pozicione të përshtatshme dhe jepni informacione dhe reagime të përshtatshme, për të përmendur disa.

E vetmja gjë që mund të ndalojë qarkullimin e lartë të punonjësve është inkurajimi i besnikërisë së kompanisë ndaj punonjësve tuaj. Jepuni punonjësve një arsye për të qëndruar, ose, edhe më mirë, disa arsye. Është shumë më mirë në aspektin ekonomik, të harxhosh pak kohë ose para për të mbajtur të kënaqur punonjësit aktualë sesa të kërkoni dhe të punësoni të rinj.

Për ju drejtues dhe menaxherë, janë disa hapa të thjeshtë që mund t’i ndërmerrni, për të zhvilluar dhe rritur besnikërinë e stafit tuaj.

1. Udhëheqja e fortë frymëzon besnikëri të fortë

Nëse demonstroni besnikëri të plotë e të sinqertë ndaj ekipit tuaj, do të shikoni se e njëjta masë besnikërie do ju kthehet. Në këto kohë provash, besnikëria frymëzuese do t'ju ndihmojë të përfitoni sa më shumë nga ekipi juaj dhe të vendosni bazat për një sukses të qëndrueshëm.

2. Lidhuni me stafin tuaj

Dakord, shpesh nuk ka kohë të mjaftueshme për të bashkëvepruar me çdo punonjës në nivel shoqëror çdo ditë, madje mund të jetë e vështirë edhe një herë në javë, në varësi të madhësisë së biznesit tuaj. Sidoqoftë, është e rëndësishme që parimi të zbatohet dhe kjo mund të largojë çdo dyshim mbi vlerën e punonjësve në biznesin tuaj, pasi po bëni hapa për tu lidhur rregullisht me stafin.

3. Tregoni se i besoni punonjësve tuaj

Kur njerëzit ndiejnë se janë të besuar dhe të vlerësuar, ata kanë tendencë t'u përgjigjen këtyre ndjenjave. Kur është e mundur, jepuni punonjësve tuaj autoritetin për të marrë vendime, që lidhen me punën e tyre. Ndjenja e lirisë dhe përgjegjësisë që kjo sjell, mund t'i frymëzojë ata të shkojnë edhe më tej, duke përmirësuar mjedisin e punës në tërësi.

Punonjësit tuaj e bëjnë lidhjen midis biznesit tuaj dhe klientëve tuaj, pasi ata janë njerëzit që do të ndërveprojnë më shumë me ta. Punonjësit besnikë do të flasin me kënaqësi për biznesin, gjë që, nga ana tjetër, do të ndërtojë besimin edhe me klientët tuaj. Inkurajoni dhe u besoni punonjësve tuaj për të ndarë përvojat e tyre të punës në mediat sociale dhe jepuni atyre fuqinë të flasin për biznesin tuaj, nëse kjo është ajo që ata duan të bëjnë.

4. Siguroni shkëmbim informacioni të sinqertë dhe komunikim të dyanshëm

Shkëmbimi i informacionit është thelbësor për rritjen e çfarëdo kapaciteti - qoftë kjo në vendin e punës apo personalisht. Një nga parimet thelbësore të çdo biznesi duhet të jetë operimi me ndershmëri dhe integritet, si për klientët ashtu dhe për punonjësit. Një diskutim i sinqertë me punonjësit nuk ndihmon vetëm komunikimin, por gjithashtu do të ndikojë në riorganizimin e proceseve të kompanisë suaj.

Të japësh komente dhe të ndihmosh punonjësit e tu të vendosin dhe të arrijnë objektivat dhe qëllimet individuale, ashtu si dhe qëllimet e kompanisë, është tepër efektive. Duke ofruar diçka praktike dhe të sinqertë, kjo ju lejon të krijoni besim dhe një nivel të caktuar hapje me punonjësit tuaj, si dhe eliminon çdo hierarki negative në vendit të punës, që është zhvilluar ngadalë me kalimin e kohës. Gjithashtu, të pranuarit e kritikave dhe reagimeve mbi punën tuaj, do ta bëjë më të lehtë për punonjësit që të vlerësojnë shqetësimet / reagimet tuaja, si një shenjë e respektit reciprok.

5. Zhvilloni mendësinë e të rinjve

Të diplomuarit e rinj, ka të ngjarë të dëshirojnë një ekuilibër të përsosur punë/jetë nga punëdhënësit e tyre, po aq sa duan edhe një perspektivë të mirë karriere. Një studim ka zbuluar se 59% e të diplomuarve do të preferonin më shumë një atmosferë pozitive sociale në vendin e punës sesa një pagë më të lartë. Këto janë vetëm dy shembuj se ku bizneset duhet të tregojnë vëmendje për t'u ofruar stimuj punonjësve. Një rritje e thjeshtë page mund të mos jetë e mjaftueshme për të mbajtur një të diplomuar në ekip.

Një mënyrë tjetër për të rritur angazhimin e punonjësve është që ata të përcaktojnë orët e tyre të punës dhe të vendosin, nëse dhe kur, të punojnë në distancë. Ndarja e punëve, përcaktimi i kohës së punës dhe pushimit mund të rrisin besnikërinë e stafit dhe të përmirësojnë performancën e një organizate.

6. Shpërbleni punonjësit tuaj në mënyrë të përshtatshme

Njohja e përpjekjeve është një nga faktorët kryesorë të respektit dhe besnikërisë. Dështoni të njihni përpjekjet ose arritjet e punonjësve tuaj, qofshin ato në nivel personal apo profesional, dhe kjo mund të çojë në atë që punonjësi të mos ndihet i vlerësuar. Kjo shpesh i nxit punonjësit që të kërkojnë diku tjetër për mundësi pune. Jepuni të gjithëve një mundësi për të dhënë një kontribut domethënës në organizatë dhe sigurohuni që organizata t'i njohë njerëzve kontributin që ata japin si individë dhe si ekip.

Punonjësit presin që të shpërblehen po aq sa mund të fitojnë duke bërë të njëjtën punë diku tjetër dhe ata ndihen të "nën-vlerësuar" kur paguhen më pak. Punonjësit gjithashtu presin që të paguhen po aq sa kolegët e tyre që bëjnë të njëjtën punë, pavarësisht nëse ata kolegë janë më të mirë në negocimin e pagave.

7. Shmangni pasigurinë e panevojshme

Nuk ka dyshim që sot, vendi i punës përmban më shumë pasiguri sesa në të kaluarën. Ekonomia ndryshon me shpejtësi dhe risitë vazhdimisht prishin tregjet e qëndrueshme. Kjo pasiguri krijon një klimë stresi që mund t'i bëjë punonjësit të ndihen të pafat.

Ndërkohë që asnjë kompani nuk mund të rregullojë një ekonomi të pasigurt, secila kompani mund ta bëjë punën më të parashikueshme, thjesht duke mbajtur të informuar punonjësit e saj dhe duke dhënë paralajmërim paraprak, kur ndryshimet janë të afërta.

8. Jini të drejtë dhe të paanshëm

Është e vështirë që punonjësit të ndjehen besnikë ndaj një kompanie që toleron individët që e bëjnë punën të mërzitshme për të gjithë të tjerët. Bosët dhe bashkëpunëtorët abuzivë rrisin shumë stresin (dhe për këtë arsye edhe qarkullimin). Sigurohuni që po i trajtoni të gjithë me drejtësi dhe do të njiheni si një menaxher me integritet.

9. Shfaqni mbështetje dhe kujdes të sinqertë

Duke ofruar një mjedis mbështetës, punonjësit mund të punojnë më të qetë, pa pasur frikën e gabimit. Kjo inkurajon eksperimentimin dhe lejon stafin të “shtrydhë” vetveten. Me sigurinë, që menaxherët e tyre do t’i ndihmojnë punonjësit të mësojnë prej gabimeve, kjo do të zhvillojë dhe forcojë respektin midis menaxherit dhe punonjësve.

Përfshini punonjësit në proceset e vendimmarrjes. Shpesh punonjësit kanë këndvështrime të vlefshme për gjëra të paqarta për ekipin menaxhues. Kjo lloj mbështetje frymëzon punonjësit tuaj dhe inkurajon inovacionin, duke ndihmuar që të mbani të freskëta praktikat tuaja. Si rezultat, punonjësit do të angazhohen më tej dhe do të jenë besnikë ndaj kompanisë tuaj.

10. Ofroni trajnim dhe zhvillim

Trajnimi është një pjesë e rëndësishme e drejtimit të një biznesi. Ju dëshironi që punonjësit tuaj të jenë më të mirët dhe për ta bërë këtë ju duhet t'u siguroni atyre burimet dhe mjetet që u nevojiten për të arritur atje. Trajnimi mund të jetë një nga mënyrat më të fuqishme për të rritur biznesin tuaj. Kur punonjësit tuaj kanë informacionin dhe njohuritë e duhura për të bërë punën e tyre më mirë, kjo do të ndikojë pozitivisht në biznesin tuaj.

Gjithashtu, të kuptuarit se ku një punonjës dëshiron të ecë në karrierë do t'ju ndihmojë të merrni vendime më të mira. Jo çdo punonjës e ka të qartë rrugën e karrierës dhe disa kanë pritshmëri të mëdha, por jo mënyrën e arritjes. Duke u ulur dhe kuptuar se ku pret të shkojë një punonjës, ju keni aftësinë për të ndihmuar në drejtimin e rrugës, nëpërmjet trajnimit dhe zhvillimit.

Ofrimi i një mundësie për kualifikim profesional, nëpërmjet programeve të trajnimit, rrit shumë profilin dhe statusin e kompanisë tuaj, jo vetëm në nivelin e punonjësve, por edhe për organizatën tuaj në tërësi. Kjo në vetvete mund të ndihmojë për të ndërtuar besnikërinë e punonjësve.