10 Mënyrat kryesore për përmirësimin e angazhimit të punonjësve, për rezultate më të larta
Gjithnjë e më shumë, organizatat në mbarë botën po vlerësojnë se ekipet dhe punonjësit e tyre janë të vetmet elementë, që mund të bëjnë ndryshimin e madh konkurrues. Me vërshimin e informacioneve nga të gjithë drejtimet dhe arritjet teknologjike, aftësia konkurruese bëhet gjithnjë e më e brishtë, kështu që burimi më i vlefshëm që duhet të shfrytëzohet janë burimet njerëzore, e si të tilla ato duhet të jenë të motivuara dhe të angazhuara për arritjen e objektivave. Duke u nisur nga titulli i këtij artikulli, me autor Brent Gleeson - dhe fakti që ju vendosët ta lexoni atë, na shtyn të mendojmë se ju dëshironi të rrisni angazhimin e punonjësve tuaj, ose ndoshta keni vënë re probleme në këtë drejtim. Nuk është për t’u çuditur, pasi angazhimi i punonjësve është një prej problemeve kryesore që po hasin pjesa më e madhe e bizneseve sot. Studimet në SHBA vlerësojnë se niveli i ulët i angazhimit të punonjësve i kushton ekonomisë amerikane 350 miliardë dollarë, çdo vit. Ju e keni në dorë të minimizoni kostot tuaja! Lexim të këndshëm!
* * * * *
Përcaktimi, matja dhe përmirësimi i angazhimit të punonjësve ka qenë një temë e nxehtë që ka tërhequr shumë vëmendje, gjatë 20 viteve të fundit ndërsa brezat e rinj hyjnë në fuqinë punëtore duke kërkuar mundësi të reja dhe lëvizshmëri në rritje. Por, ndërkohë që duket se ka ende një mungesë qartësie mbi përkufizimin e saktë, ekziston një konsensus i përgjithshëm se angazhimi është një kombinim i lidhjes emocionale të punonjësve me punën e tyre dhe nivelit të përpjekjeve që ata japin në funksionet e tyre të punës.
Megjithëse kam shkruar në mënyrë të konsiderueshme për këtë temë - bazuar në përvojën e grumbulluar nga kompanitë e mia dhe vitet e kërkimit profesional - unë vazhdoj të gërmoj, sepse treguesit vazhdojnë të ndryshojnë. Dhe ndërsa shumica e drejtuesve dhe menaxherëve organizativë e kuptojnë (dhe bien dakord) se angazhimi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në performancën dhe përfitimin e kompanisë, pakkush e ka zhvendosur vëmendjen drejt përmirësimit.
Pse? Në përgjithësi, pak drejtues i kushtojnë vëmendjen dhe kohën e duhur, për t'i dhënë përparësi angazhimit, për ta matur atë, për t'iu përgjigjur të dhënave dhe për të aplikuar programe zyrtare për t'i përmirësuar ato. Në përvojën time, angazhimi është një rezultat i drejtpërdrejtë i sjelljeve dhe kulturës së lidershipit - për mirë ose për keq.
Kohët e fundit kam hasur në një raport, nga një kompani këtu në SHBA, që ka studjuar angazhimin e punonjësve, dhe zbulova se rezultatet ishte në përputhje me filozofitë që kam trajtuar në librin tim dhe në një artikull tjetër, që kam shkruar për këtë çështje.
Është interesante, sepse raporti tregon një konsensus se udhëheqja dhe kultura nxisin angazhimin, si dhe që drejtuesit e lartë duhet të jenë po aq të përgjegjshëm sa mbikëqyrësit e drejtpërdrejtë, por në fakt, vetëm dy të pestat e të anketuarve thonë se drejtuesit e tyre të lartë i japin përparësi angazhimit.
Është një thënie - çdo gjë e rëndësishme duhet matur dhe menaxhuar. Por ndërkohë, vetëm 53% e organizatave e masin angazhimin e punonjësve. Dhe nga ato që bëjnë, vetëm kompanitë me nivelet më të larta të angazhimit, e për rrjedhojë me rritjen dhe kthimet financiare më të mira, e masin atë vazhdimisht (sipas një studimi vjetor).
Këtu janë dhjetë mënyrat kryesore për të përmirësuar angazhimin, mbajtjen dhe përfitimin e klientëve dhe punonjësve.
1. Bini dakord se çfarë do të thotë angazhimi i punonjësve për organizatën tuaj. Sigurohuni që ka një përputhje midis jush dhe lidershipit, lidhur me atë që po përpiqeni të masni dhe të përmirësoni, si dhe ndikimin e dëshiruar që ato aktivitete duhet të kenë në biznes.
2. Bëjeni angazhimin pjesë të strategjisë, jo si diçka vetëm e Burimeve Njerëzore. Nëse angazhimi ka një ndikim kaq të rëndësishëm në produktivitetin dhe arritjen e rezultateve të dëshiruara të biznesit, ajo duhet të jetë pjesë e strategjisë së përgjithshme të biznesit - jo si një iniciativë mbi shitjet dhe aspektet e tjera të drejtimit të kompanisë.
3. Zgjidhni mjetet dhe metodat e duhura për matjen dhe raportimin e angazhimit. Përsëri, mendoni gjerësisht mbi procesin e hulumtimit dhe përzgjedhjes. Unë do të preferoja një kombinim të anketave bazike zyrtare dhe mjeteve për matjen e vazhdueshme të impulsit dhe ndjenjës.
4. Investoni në programe të zhvillimit të lidershipit të dizajnuara për të përmirësuar aftësinë e angazhimit të ekipit. Nuk do të mund ta theksoj këtë aq sa duhet. Shumë programe kanë një qasje të mangët për përmirësimin e lidershipit dhe nuk i trajtojnë së bashku elementet më të mirë të ndërtimit të besimit, shkëmbimin e informacionit, menaxhimin e kulturës dhe komunikimin e qartë të pritshmërive.
5. Sigurohuni që drejtuesit dhe menaxherët të kenë qasje të vazhdueshme në burimet mbi temën e angazhimit. Kjo i ndihmon që të tregojnë vëmendje dhe siguron të mësuarin dhe përmirësimin e vazhdueshëm.
6. Sigurohuni që drejtuesit dhe menaxherët të veprojnë në bazë të informacioneve dhe të dhënave. Në fakt, është shumë e dëmshme për një organizatë që të realizojë sondazhe e të përdorë mjete për matjen e angazhimit, e më pas të mos reagojë mbi të dhënat. Kjo do të ulë besimin, moralin dhe angazhimin. Nëse nuk doni të ndërmerrni veprime, mos bëni asgjë dhe ngelet vetëm të kënaqeni me angazhimin mediokër.
7. Vendoseni angazhimin në temat për diskutim, në takimet e menaxhmentit. Edhe nëse duhet vetëm një trajtim prej pesë minutash. Përsëri, kjo nxit vëmendjen, si një pjesë të rëndësishme e strategjisë së biznesit. Diskutoni se si funksionojnë programet, çfarë po shkon mirë e çfarë nuk po shkon mirë dhe si të përshtateni sipas nevojës.
8. Vendosni objektiva mbi angazhimin, rrugën për t’u ndjekur dhe Treguesit e Performancës. Mos u bazoni shumë tek informacionet e përmirësuara dhe rezultatet më të mira të studimit. Në fund të fundit, qëllimi është që përmirësimi të arrihet në fushat kryesore siç janë kënaqësia e klientit, mbajtja e punonjësve, bashkëpunimi dhe kultura e organizatës.
9. Masni ndikimin e programeve tuaja dhe përdorni të dhënat për të marrë vendime. Një qasje e drejtuar nga të dhënat është mënyra më e mirë për të përmirësuar shumicën e gjërave. Nëse të dhënat diktojnë një ndryshim në strategji, i përdorni ato.
10. Mbani në fokus menaxhimin dhe përmirësimin e kulturës. Ndonjëherë kjo përfshin teknikat e transformimit të kulturës, që jo gjithmonë janë një përpjekje e lehtë. Kultura kërkon një kohë të gjatë për të ndryshuar dhe zakonisht fillon me një ndryshim në strukturë dhe procese, për t'u bashkuar me rezultatet e dëshiruara të biznesit. Dhe kompanitë që shfaqin nivelet më të larta të angazhimit e bëjnë kulturën një përparësi kryesore.
E gjitha kjo është e thjeshtë, por jo e lehtë. Duhet fokus, disiplinë dhe ndjekje. Kështu që: përkushtohuni!