Disa rregulla për vetë-përmirësimin
Përmirësimi i vetvetes, përmirësimi i cilësisë së jetës, i statusit ose i karakterit përmblidhet në një term të vetëm si vetë-përmirësim. Kjo zakonisht fillon me ndërgjegjësimin e më pas me ndërmarrjen e veprimeve dhe përpjekjeve për arritjen e objektivave të caktuara. Sado të kërkoni për mësime dhe modele suksesi, zakonisht mënyra më e shëndetshme për vetë-përmirësimin është ajo që funksionon më mirë për ju. Dhe për ta gjetur atë gjithkujt i është dashur të ndërmarrë veprime e të bëjë prova dhe gabime, nga të cilat kanë fituar eksperiencën e nevojshme e më të përshtatshme për situatën ku janë gjendur. Pavarësisht nga sa më sipër ndonjë mësim është i nevojshëm, kështu që disa rregulla mbi vetë-përmirësimin do t’i gjeni në shkrimin më poshtë, me autor Anthony Iannarino. Sa herë që mendojmë se jemi të mirë, kuptojmë se mund të jemi edhe më të mirë. Gjithmonë ka diçka tek ne, të cilën mund ta përmirësojmë. Vetë potenciali njerëzor është i pafund. Pas një maje fshihet një majë tjetër. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Tregoni kujdes ndaj cilitdo që ju thotë se mund të arrini të keni atë që dëshironi pa bërë punën e nevojshme për ta pasur atë. Nëse çmimi që duhet të paguani nuk përputhet me rezultatin e premtuar, premtimi është një gënjeshtër. Personi që shet gënjeshtrën është një sharlatan. Në vend të kësaj kërkoni atë udhëzues, i cili ju thërret në aventura dhe ju thotë se do të duhet të transformoheni për të pasur atë që dëshironi.
Shmangni këshillat nga cilido që nuk e ka tashmë atë që dëshironi. Ka shumë njerëz, që mund t'ju tregojnë se çfarë të bëni, pa e bërë kurrë vetë atë që po ju këshillojnë të bëni, ndryshe nga modelet e vërtetë.
Injoroni këshillat për të mos e krahasuar veten me të tjerët. Nëse ekziston një hendek midis rezultateve që ju po prodhoni dhe rezultateve që dikush tjetër po prodhon në disa fusha, duke e parë ndryshimin ju mund të siguroni një vizion të asaj që është e mundur për ju. Edhe diçka tjetër, personi që prodhon rezultatin është një model për besimet dhe sjelljet e nevojshme, që duhen për të prodhuar rezultatet që ju dëshironi.
Pothuajse kurrë nuk ia vlen të merrni rrugën e shkurtër. Ju mund të merrni një diplomë pa ndjekur mësimet në kolegj, vetëm duke e paguar atë në internet. Shumë shpejt ju do të keni një copë letër, por kjo nuk do të bëjë që të jeni më të arsimuar, pa bërë punën që nevojitet për të marrë njohuri. Nëse dëshironi një rezultat të caktuar, investimi i kohës, energjisë dhe burimeve tuaja në marrjen e tij është mënyra më e shpejtë për të marrë atë rezultat.
Kërkoni ide që ju trembin ose ju zmbrapsin. Nëse një ide ju frikëson, përgjigja emocionale është një reagim që ju të mësoni diçka rreth asaj ideje, që bie ndesh me atë që ju besoni se është e mirë, e drejtë dhe e vërtetë. Nëse ju zmbraps, atëherë ka prova të konfliktit. Shumica prej nesh beson që gjithkush përfaqëson një të vërtetë të pjesshme dhe ja vlen të përmirësohemi, për zbulimin e pjesëve të tjera të së vërtetës.
Shkenca është e vetmja përpjekje njerëzore që korrigjohet vazhdimisht me kalimin e kohës. Ne i afrohemi më shumë së vërtetës sepse jemi të gatshëm të pranojmë se kemi gabuar dhe të marrim informacione të reja. Nëse nuk i keni ndryshuar bindjet tuaja për gjërat që i konsideroni të vërteta për vite ose dekada, nuk po i afroheni së vërtetës. Nëse nuk keni gabuar ose nëse nuk jeni skeptikë për atë që besoni tani dhe të vini në dyshim bindjet tuaja përpara informacionit të ri, ju nuk po rriteni. Mos kini frikë të bëni gabime.
Orët e humbura çojnë në ditë të humbura. Ditët e humbura çojnë në javë të humbura. Javët e humbura çojnë në muaj të humbur. Muajt e humbur çojnë në vite të humbura. Vitet e humbura çojnë në një jetë të humbur, e cila është e vetmja që do të keni ndonjëherë. Përkushtohuni që të jetoni jetën që dëshironi, tani.