Asnjëherë mos i shtyni njerëzit besnikë, deri në atë pikë ku ata nuk duan t'ja dinë më!
Sipas enciklopedisë botërore, Besnikëria - në kuptimin e përgjithshëm, është përkushtim dhe ndershmëri ndaj një kombi, kauze, filozofie, vendi, grupi ose personi. Në një përkufizim tjetër ajo përcaktohet si parimi bazë moral nga i cili mund të rrjedhin të gjitha parimet e tjera. Edhe në punë, punëdhënësit kërkojnë besnikëri nga punonjësit e tyre, që nënkupton kryerjen e detyrave me përkushtim dhe ndershmëri, vendosjen e interesit personal nën interesat e organizatës dhe në përmbushje të interesave të punëdhënësit. Deri këtu besoj jemi dakord, por si do ta përkufizonit besnikërinë e organizatës dhe drejtuesve të saj ndaj punonjësit? A është e nevojshme që organizata dhe drejtuesit e saj të jenë besnikë ndaj punonjësve të tyre? Këto pyetje na ngacmojnë gjithmonë, kur jemi duke ofruar konsulencë organizative pranë bizneseve. Një përgjigje elegante mund ta gjeni në shkrimin më poshtë. Udhëheqësit e mirë e dinë se besnikëria është diçka e ndërsjelltë – duhet të japësh që të marrësh. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Xheku u pushua nga puna pasi ai vazhdonte t'i thoshte shefit të tij atë që ai nuk donte të dëgjonte – TË VËRTETËN.
Rasti i fundit ishte kur një nga bashkëpunëtorët e Xhekut bëri një gabim të kushtueshëm dhe Xheku i sugjeroi shefit të tij të ndryshonte procesin, për të minimizuar gabime të tilla. Ky proces ishte ngritur nga vetë shefi dhe ai nuk donte të merrte ndonjë përgjegjësi.
Xheku ishte një punonjës tipik besnik:
- Ai kujdesej për suksesin - e ekipit, të shefit dhe të tijin.
- Ai i thoshte shefit atë çfarë duhej të dëgjonte shefi.
- Ai kurrë nuk e kundërshtoi shefin e tij në publik, dhe i mbështeti vendimet e drejtuesve të tij publikisht.
- Ai punonte fort dhe ishte i besueshëm.
Në kohën kur kjo ndodhi, punësimi bëhej me vullnet të lirë, pra kontrata e punësimit mund të përfundonte në çdo kohë pa ndonjë arsye, shpjegim ose paralajmërim nga të dyja palët.
Kështu, pushimi nga puna i Xhekut ishte i lehtë.
Ballafaqimi me pasojat do të ishte i vështirë edhe për një udhëheqës të fortë.
Për një udhëheqës të dobët, si shefi i tij, ishte i pamundur. Punonjësit e tjerë besnikë u tronditën dhe u mërzitën shumë me këtë pushim nga puna dhe u larguan brenda pak muajsh. Njohja e sistemeve dhe proceseve të punës ishte e vështirë dhe personeli jo lehtësisht i zëvendësueshëm.
Shefit ju desh të largohej brenda një viti.
. . .
Për të qenë udhëheqës, duhet të kuptojmë këtë:
- Kritikat nga njerëzit besnikë janë një bekim i vërtetë
- Besnikëria është ndërtuar mbi ndershmërinë dhe besimin
- Punonjësit besnikë janë gurë të çmuar, jo vetëm një mjet.
Pra:
Asnjëherë mos i shtyni njerëzit besnikë, deri në atë pikë, ku ata nuk duan t'ja dinë!
Nëse nuk jeni të gatshëm të jeni besnikë ndaj punonjësve tuaj besnikë, atëherë nuk jeni të gatshëm edhe t'i udhëhiqni.
A jeni dakord?