Si pozitiviteti ju bën të shëndetshëm dhe të suksesshëm
Në momente të caktuara, ndodh që ne mendojmë ose perceptojmë se gjërat po bëhen negative. Aq më shumë kjo e lidhur me punën, ku një bisedë e ngarkuar me një klient të zemëruar, një ngarkesë në punë - sado e vogël por jashtë detyrave të zakonshme, një gabim apo një tërheqje vëmendje bëhen shkak për këtë qëndrim negativ. Ndërkohë që natyrshëm tentoni të bini në grackën e negativitetit, është po kaq e mundur që të ridrejtoni mendjen tuaj të përqëndrohet në anët pozitive, për të nxitur shpresë dhe qëndrim pozitiv. Për këtë, po sjellim përsëri një artikull mbi Qëndrimin Pozitiv, këtë herë me autor Dr. Travis Bradberry, i cili ndan me ne njohuri dhe kërkime shkencore që do t'ju bëjnë të shihni pozitivitetin në një dritë krejt të re. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kur përballemi me pengesa dhe sfida, të gjithë kemi marrë këshilla me qëllime të mira, për të "qëndruar pozitivë". Por, sa më e madhe të jetë sfida, aq më shumë kjo idea e "gotës gjysëm plot" mund të duket si jollogjike dhe joreale. Është e vështirë të gjesh motivimin për t'u përqëndruar në pozitiven, kur pozitiviteti nuk duket asgjë më shumë sesa një dëshirë.
Pengesa e vërtetë për pozitivitetin është se truri ynë është i paracaktuar për të kërkuar dhe për tu fokusuar tek kërcënimet. Ky mekanizëm mbijetese i shërbeu shumë mirë njerëzimit kur ishte gjahtar dhe mbledhës ushqimesh, duke jetuar çdo ditë me kërcënimin real të vrasjes nga dikush ose diçka, në mjedisin e afërt rrethues.
Kjo ishte shumë vite më parë. Sot ky mekanizëm lind pesimizëm dhe negativitet përmes tendencës së mendjes për të gjetur një kërcënim. Këto "kërcënime" rrisin gjasat e perceptuara që gjërat po shkojnë dhe/ose do të shkojnë - shumë keq. Kur kërcënimi është real dhe fshihet nëpër shkurre poshtë shtegut, ky mekanizëm ju shërben mirë. Por kur kërcënimi imagjinohet dhe ju kaloni dy muaj, të bindur që projekti për të cilin po punoni do të dështojë, ky mekanizëm krijon një pamje të ftohtë të realitetit dhe dëmton jetën tuaj.
Pozitiviteti dhe Shëndeti juaj
Pesimizmi është problem sepse është i dëmshëm për shëndetin tuaj. Studime të shumta kanë treguar se optimistët janë fizikisht dhe psikologjikisht më të shëndetshëm se pesimistët.
Martin Seligman nga Universiteti i Pensilvanisë, ka kryer një studim të gjerë mbi këtë temë. Ai zbuloi norma shumë më të larta depresioni tek njerëzit pesimistë, që ia atribuojnë dështimet e tyre deficiteve personale. Optimistët e trajtojnë dështimin si një përvojë të të mësuarit dhe besojnë se ata mund t’i bëjnë më mirë gjërat, në të ardhmen.
Për të ekzaminuar shëndetin fizik, ai punoi edhe me studiues të tjerë, që monitoruan persona nga mosha 25 deri në 65 vjeç për të parë se si nivelet e tyre të pesimizmit ose optimizmit ndikonin ose lidheshin me shëndetin e tyre të përgjithshëm. Studiuesit zbuluan se shëndeti i pesimistëve përkeqësohej shumë më shpejt kur plakeshin.
Gjetjet e Seligman janë të ngjashme me kërkime të tjera, ku është zbuluar se optimistët kanë nivele më të ulëta të sëmundjeve kardiovaskulare dhe jetëgjatësi më të madhe. Edhe pse mekanizmi i saktë përmes të cilit pesimizmi ndikon në shëndet nuk është identifikuar ende, studiuesit zbuluan se pesimizmi shoqërohet me një dobësim të imunitetit ndaj tumoreve dhe infeksionit.
Studiuesit kanë shkuar edhe më tej, sa të injektojnë tek optimistët dhe pesimistët një virus, për të matur përgjigjen e tyre imune. Ata zbuluan se optimistët kishin një përgjigje imune shumë më të fortë sesa pesimistët.
Pozitiviteti dhe Performanca
Mbajtja e një qëndrimi pozitiv nuk është e mirë vetëm për shëndetin tuaj. Martin Seligman gjithashtu ka studiuar lidhjen midis pozitivitetit dhe performancës. Në një studim, ai mati shkallën në të cilën shitësit ishin optimistë ose pesimistë në punën e tyre. Shitësit optimistë shisnin 37 përqind më shumë sesa pesimistët, të cilët gjithashtu kishin dy herë më shumë gjasa të largoheshin nga kompania, gjatë vitit të parë të punësimit.
Seligman e ka studiuar pozitivitetin më shumë se kushdo tjetër dhe ai beson që me përpjekje mund të ndryshohen mendimet dhe prirjet pesimiste. Por ai nuk beson vetëm kaq. Hulumtimi i tij tregon se njerëzit mund të shndërrojnë tendencën e të menduarit pesimist në të menduar pozitiv, përmes teknikave të thjeshta që krijojnë ndryshime të qëndrueshme në sjellje, shumë kohë pasi të zbulohen.
Trurit tuaj thjesht i duhet pak ndihmë për të mposhtur zërin e tij negativ të brendshëm. Këtu janë dy hapa të thjeshtë që mund të ndërmerrni dhe që do të ushtrojnë trurin tuaj të përqendrohet në pozitivitet.
1. Veçoni faktet nga trillimet
Hapi i parë për të mësuar si të përqendroheni tek pozitivja kërkon të dini të ndaloni vetë-bisedën negative. Sa më shumë që lundroni në mendime negative, aq më shumë fuqi u jepni atyre. Shumica e mendimeve tona negative janë thjesht vetëm mendime, jo fakte.
Kur e shihni veten duke besuar në gjëra negative dhe pesimiste që po u thotë zëri juaj i brendshëm, është koha të ndaloni dhe t'i shkruani ato. Pra thjesht ndaloni atë që po bëni dhe shkruani atë që po mendoni. Pasi të keni ngadalësuar për një moment vrullin negativ të mendimeve tuaja, do të jeni më racionalë dhe më të qartë në vlerësimin e vërtetësisë së tyre. Vlerësoni këto thënie për të parë nëse janë fakte. Mund të vini bast se deklaratat nuk janë të vërteta, sa herë që shihni fjalë të tilla si kurrë, gjithmonë, më të këqijat, asnjëherë, etj.
A i humbni gjithnjë çelësat tuaj? Sigurisht që jo. Ndoshta i harroni shpesh, por shumicën e rasteve kujtoheni. Kurrë nuk do të gjeni një zgjidhje për problemin tuaj? Nëse vërtet jeni kaq keq, mbase nuk keni kërkuar ndihmë. Ose, nëse vërtet është një problem i pazgjidhshëm, atëherë pse po e humbni kohën duke përplasur kokën pas murit? Nëse deklaratat tuaja ju duken si fakte edhe pasi t’i keni hedhur në letër, diskutoni rreth tyre me një mik apo koleg që të shikoni nëse edhe ata pajtohen me ju. Atëherë e vërteta me siguri do të dalë në shesh.
Kur ndjeni sikur diçka ndodh gjithmonë ose kurrë, kjo është vetëm tendenca e kërcënimit natyror të trurit tuaj, që fryn frekuencën ose ashpërsinë e perceptuar të një ngjarjeje. Identifikimi dhe etiketimi i mendimeve tuaja si mendime duke i ndarë ato nga faktet do t'ju ndihmojë të shpëtoni nga cikli i negativitetit dhe të shkoni drejt një pamje të re pozitive.
2. Identifikoni diçka pozitive
Tani që keni një mjet për mendimet shkatërruese e negative, është koha ta ndihmoni trurin tuaj të mësojë se në çfarë duhet të përqendrohet - pozitiven.
Kjo do të vijë natyrshëm pas disa praktikave, por së pari duhet t'i jepni pak ndihmë trurit tuaj duke zgjedhur me vetëdije diçka pozitive për të menduar. Çdo mendim pozitiv do t'ju ndihmojë të përqendroni vëmendjen e trurit tuaj. Kur gjërat shkojnë mirë dhe disponimi juaj është i mirë, kjo është relativisht e lehtë. Por kur gjërat shkojnë keq dhe mendja juaj është e përmbytur nga mendime negative, kjo mund të jetë një sfidë. Në këto momente, mendoni për ditën tuaj dhe identifikoni një gjë pozitive që ka ndodhur, pa marrë parasysh sa e vogël është. Nëse nuk mund të mendoni për diçka pozitive nga e sotmja, reflektoni në ditën e shkuara. Ose në një ngjarje emocionuese të cilën po e prisni e tek e cila mund të përqendroni vëmendjen tuaj.
Çështja këtu është që ju duhet të keni diçka pozitive tek e cila jeni gati ta zhvendosni vëmendjen tuaj, kur shfaqen mendimet negative. Në hapin e parë, ju mësuat se si t’i shfuqizoni mendimet negative duke ndarë faktin nga trillimi. Hapi i dytë është zëvendësimi i negatives me pozitiven. Pasi të keni identifikuar një mendim pozitiv, përqëndroni vëmendjen tuaj tek ai mendim, sa herë që e gjeni veten duke u ndalur në negativen. Nëse kjo rezulton e vështirë, mund të përsërisni procesin e shkrimit të mendimeve negative për të verifikuar vlefshmërinë e tyre, dhe më pas lejoni që të shijoni lirshëm mendimet pozitive.
E kuptoj që këto dy hapa tingëllojnë tepër themelorë, por ato kanë një fuqi të jashtëzakonshme sepse ata rikualifikojnë trurin tuaj për të pasur një fokus pozitiv. Këto hapa thyejnë zakonet e vjetra, nëse e detyroni veten t'i përdorni ato.
Duke pasur parasysh tendencën natyrale të mendjes për të vrapuar drejt mendimeve negative, të gjithë mund të marrim pak ndihmë për të qëndruar pozitivë. Vendosni këto hapa në përdorim dhe do të korrni përfitimet fizike, mendore dhe të performancës që vijnë me një kornizë mendore pozitive.