Blog

6 Mënyra për ta filluar vitin si duhet

6 Mënyra për ta filluar vitin si duhet

Është fillimi i një Viti të ri, dhe ju jeni tepër entuziastë. Keni punuar fort përgjatë 2020-ës, jeni përballur me situatën e pazakontë të pandemisë COVID-19, por përsëri ja keni arritur të realizoni objektivat tuaja, ndonjëherë edhe me ndryshime të rëndësishme për t’ju përshtatur situatës. Tashmë ju keni vendosur objektivat e reja dhe gara me kohën fillon sot. Ne shpresojmë dhe besojmë se ju keni hartuar dhe planet për arritjen e objektivave dhe ekipet tuaja janë të angazhuar plotësisht për këtë. Por… një pyetje: - A keni menduar të përmirësoni diçka në mënyrën tuaj të të punuarit dhe sjelljes, për ta filluar mbarë vitin e ri? Nëse nuk keni arritur deri këtu, merrni disa ide nga shkrimi në vazhdim, me autore Connie Certusi.  Fillimi i Vitit të ri është momenti më i mirë për të bërë një vlerësim personal dhe për ta kthyer vëmendjen drejt së ardhmes. Besoni tek ndryshimi dhe do ta rrisni biznesin tuaj si kurrë më parë. Asgjë nuk do ju pengojë. GËZUAR E SUKSESE 2021! Lexim të këndshëm!

* * * * *

Viti i ri frymëzon energji të reja dhe ngacmime për atë që mund të ndodhë. Është një fillim i ri dhe koha e përkryer për të reflektuar rreth së kaluarës dhe për të planifikuar të ardhmen - për të vendosur objektiva dhe për të kuptuar se si t'i përmbushni ato.

Tashmë jemi prej disa ditësh në janar, por nuk është vonë për të filluar disa gjëra, që do të ndihmojnë në rritjen e biznesit tuaj. Shikoni këto gjashtë këshilla:

1.    Mësoni nga e kaluara. Shikoni pas, në vitin e kaluar. Vlerësoni se çfarë shkoi mirë dhe çfarë jo, dhe gjeni aty gabimet dhe sukseset. Rishikoni planin tuaj të biznesit dhe bëni ndryshimet e nevojshme. A ka pasur ndryshime të mëdha, që keni dashur t’i bëni gjatë vitit të kaluar, por nuk i keni bërë? A donit të zgjeronit ekipin tuaj? Të hapnit një ambient të dytë? Të zgjeronit hapësirën tuaj të zyrës? Shikoni me vëmendje se si keni qenë, dhe ku keni dashur të arrini, por nuk e keni bërë, kështu që ju të mund të dini më mirë se ku duhet të drejtoni vëmendjen.

“Ne mund të nxjerrim mësime nga e kaluara por nuk mund të jetojmë në të”

2.    Përqendrohuni në të ardhmen. Ndërsa zhvilloni parashikime për vitin e ri, merrni parasysh kushtet më të gjera ekonomike dhe si ato mund të ndikojnë në tregun tuaj. Sigurisht, mbani parasysh, se parashikimet janë vetëm parashikime. Është e pamundur të dini se çfarë do të ndodhë, kështu që i bazoni parashikimet tuaja në sa më shumë të dhëna dhe objektivitet. Njohja e tendencave të fundit të biznesit dhe të njoftimeve ekonomike do t'ju ndihmojnë për të kuptuar dhe vepruar në këtë mjedis, që ndryshon vazhdimisht. Në fund, mbështetuni në përvojën e të tjerëve për t'ju ndihmuar. Shumë njerëz kanë qenë aty ku jeni tani dhe posedojnë një mençuri të madhe. Kërkoni për një ose më shumë mentorë, që të merrni këshilla për rritjen e biznesit tuaj.

“E ardhmja varet nga ajo që ju bëni sot” - Mahatma Gandhi

3.    Përmirësoni komunikimin. Komunikimi efektiv është jetik për suksesin e biznesit. Inkurajoni punonjësit tuaj të ndajnë mendimet e tyre për të kaluarën dhe të ardhmen. Jepni disa shembuj se si ata mund të komunikojnë me ju, nga takimet e rregullta të ekipit në takimet kokë-më-kokë, e deri në një platformë bisede në internet. Ndërtoni një politikë të dyerve të hapura dhe tregohuni të hapur për të marrë reagime dhe ide të sinqerta. Përdorni tonin e përshtatshëm për një komunikim të qëndrueshëm dhe transparent.

“Shumica e njerëzve nuk dëgjojnë me qëllimin për të kuptuar; ata dëgjojnë me qëllimin për t'u përgjigjur” - Stephen R. Covey

4.    Gjeni mënyra të reja për të bërë zhurmë. Me kaq shumë informacion dhe kaq shumë produkte dhe shërbime që përmbytin tregun, mund të jetë shumë e vështirë të diferenconi biznesin tuaj - veçanërisht me një buxhet të arsyeshëm. Kërkoni mënyra të thjeshta, të përballueshme dhe krijuese për tu dalluar nga të tjerët. Mendoni për mënyra për t’u lidhur me klientët tuaj duke përdorur platformat e mediave sociale. Ato janë falas dhe mund të arrijnë në mënyrë efektive klientët tuaj, ndërsa gjenerojnë marketingun gojë më gojë për biznesin, produktet ose shërbimet tuaja. Kur përdoren mirë, mediat sociale mund të promovojnë në masë të madhe ofertat dhe dhurata të veçanta, që mund të shpërndahen ditë për ditë, e që i japin personalitet biznesit tuaj dhe vendosin intimitet me klientin.

"Unë e përkufizoj marketingun si ndarjen e asaj që doni, me njerëzit që duan të dëgjojnë për të" - Joanna Penn

5.    Merrni parasysh buxhetin. Mund të jetë e vështirë të gjurmoni të gjitha shpenzimet, veçanërisht nëse punoni në shumë fusha biznesi, por është thelbësore. Bizneset mund të maksimizojnë paratë në mënyra të ndryshme - nga gjurmimi i shpenzimeve të biznesit, të zbritshme nga taksat, minimizimi i pagesave në kushte afatgjata, e deri te kryerja mujore e pagesave, në vend të pagesave vjetore apo dhënia me qira ose blerja e mobiljeve dhe pajisjeve të përdorura. Dhe, ndërsa kostot e punonjësve janë një shpenzim i madh për biznesin, ju duhet të merrni vendime të mençura këtu; nuk mund të përqendroheni vetëm në uljen e kostove. Praktikat efektive të punësimit do t'ju ndihmojnë të siguroheni se po merrni më të mirët. Merrni parasysh punësimin e personelit të përkohshëm ose praktikantëve gjatë periudhave më të ngarkuara, për t'ju ndihmuar të kurseni në kostot e përgjithshme, gjatë gjithë vitit.

“Kujdes nga shpenzimet e vogla. Një rrjedhje e vogël do të fundosë edhe anijen më të mirë” – Benjamin Franklin

6.    Krijoni një atmosferë pozitive në raportin punë-jetë. Biznesi juaj nuk mund të funksionojë pa punonjësit tuaj. Ndërsa kërkoni fusha për përmirësim këtë vit, merrni parasysh se si mund t'i lejoni punonjësit të punojnë në mënyra që i motivojnë më mirë dhe janë mjaft fleksibël, për t'iu përshtatur rrethanave të ndryshme dhe përgjegjësive personale. Gjithashtu, inkurajoni punonjësit tuaj të marrin pushime dhe jepni shembulli tuaj, duke i marrë vetë pushimet. Unë vë bast se duke gjetur kohë për palestër, për të bërë udhëtime dhe për të ndjekur dëshirat, kjo do ta mbajë ndezur edhe më shumë zjarrin e sipërmarrjes dhe do t’ju bëjë edhe më produktivë.

“Ju nuk mund të bëni një punë të mirë, nëse puna juaj është gjithçka që bëni"