Prania Ekzekutive: Çfarë është ajo, pse ju nevojitet dhe si ta keni atë
Në çdo organizatë, drejtuesit përballen shpesh me sfida dhe situata të paparashikuara dhe ajo që pritet prej tyre është përballimi dhe kapërcimi me maturi dhe pjekuri. Natyrisht që kjo kërkon aftësi të larta menaxhuese. Nga kjo nuk janë të përjashtuar edhe menaxherët apo drejtuesit e sapo promovuar. Por a është e mundur kjo, kur disa prej tyre janë në ato pozicione vetëm mbi bazën e rezultateve në pozicionet e mëparshme? A janë ata në gjendje të frymëzojnë ekipet e tyre, të krijojnë besim, ndërkohë që përjetojnë presion të jashtëzakonshëm, së pari së brendshmi? Një element shumë i rëndësishëm për drejtimin efektiv është edhe prania ekzekutive. Besoj ju keni informacion për të, por Gerry Valentine, një ekspert në fushën e menaxhimit sjell një shpjegim shumë të detajuar, në artikullin më poshtë. Projektimi i një toni besimi është thelbësor për kultivimin e pranisë ekzekutive. Lexim të këndshëm!
* * * * *
"Prania ekzekutive!" është një term që shpesh vishet me mister, pëshpëritet sikur të jetë diçka magjike dhe shumë njerëz përpiqen ta kuptojnë atë. Prania ekzekutive është kritike, por nuk ka nevojë të jetë misterioze. Dhe më e rëndësishmja, prania ekzekutive është një aftësi, jo një cilësi – që do të thotë se është diçka që ju mund ta kultivoni dhe ndërtoni.
Këtu keni një ç’mitizim të drejtpërdrejtë të pranisë ekzekutive - çfarë është, pse ju nevojitet dhe si ta keni atë.
Çfarë është prania ekzekutive?
E shpjeguar thjesht, prania ekzekutive ka të bëjë me aftësinë tuaj për të frymëzuar besim – të frymëzoni besim tek vartësit tuaj, që ju jeni udhëheqësi që ata duan të ndjekin, të frymëzoni besim tek kolegët, që jeni i aftë dhe i besueshëm dhe më e rëndësishmja, të frymëzoni besim tek drejtuesit më të lartë që ju keni potencial për arritje të mëdha.
Pse ju duhet Prania Ekzekutive
Prania juaj ekzekutive përcakton nëse ju do të fitoni nga mundësitë. Ka një thënie për udhëheqjen: - "Të gjitha vendimet e rëndësishme për ju do të merren kur nuk do të jeni në dhomë". Është e vërtetë. Pavarësisht nëse është një vendim për një mundësi të rëndësishme, një promovim në një rol kritik ose një detyrë për një projekt me rëndësi të lartë, ju nuk do të jeni në dhomë. Mundësitë për të fituar akses varen nga besimi që keni frymëzuar tek vendimmarrësit. Dhe, sa më e rëndësishme mundësia, aq më e rëndësishme bëhet prania ekzekutive.
Si të krijoni praninë tuaj ekzekutive
Si me çdo aftësi tjetër, disa njerëz janë natyrshëm më të talentuar në praninë ekzekutive sesa të tjerët. Sidoqoftë, të gjithë mund ta përmirësojnë praninë e tyre ekzekutive me fokus dhe praktikë. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, sa më i vjetër të bëheni në një pozicion apo kompani, aq më shumë kërkohet prania ekzekutive, kështu që të gjithë duhet të përqendrohen vazhdimisht në përmirësimin e saj.
Këtu janë shtatë hapa kryesorë për të ndërtuar dhe përmirësuar tuajën:
1. Të keni një vizion dhe ta artikuloni mirë atë. Një nga elementët më të rëndësishëm të frymëzimit të besimit është të keni një vizion bindës - një nocion të mirë-konceptuar për atë që po punoni për të arritur. Ajo duhet të jetë në përputhje me nivelin dhe vjetërsinë tuaj dhe ju duhet të jeni në gjendje ta komunikoni vizionin tuaj në mënyrë të përsosur në çdo rrethanë, qoftë në një tre-minutësh në ashensor me një ekzekutiv të lartë, diku jashtë me ekipin tuaj ose gjatë një darke me aktorë të rëndësishëm biznesi. Një vizion i fortë, i artikuluar mirë, në fund të fundit është mënyra se si ju lini shenjën tuaj, e cila ju veçon dhe është një mjet i fuqishëm për të frymëzuar besimin.
2. Të kuptoni se si ju perceptojnë të tjerët. Njerëzit me prani të shkëlqyer ekzekutive kanë një nuhatje të fortë të asaj se si perceptohen nga të tjerët. Kjo është e rëndësishme, sepse ndërsa ngjiteni në nivele më të larta dhe kontrolli juaj zgjerohet, ju bëheni gjithnjë e më të varur nga të tjerët për efektivitetin tuaj. Dhe, përpara se të keni qasje në mundësi të tjera, vendimmarrësit kanë nevojë të besojnë se ju mund ta menaxhoni mirë veten, në të gjitha drejtimet. Pra, të kuptoni se si ju perceptojnë të tjerët. Konsultohuni me mentorët dhe merrni reagime nga superiorët, kolegët dhe vartësit. Sigurohuni që të përfshini ata njerëz që ju shohin në situate të ndryshme.
3. Ndërtoni aftësitë tuaja të komunikimit. Udhëheqja e mirë në fund të fundit ka të bëjë me komunikimin, dhe njerëzit me prani të madhe ekzekutive janë komunikues të shkëlqyer. Merrni komente për komunikimin tuaj dhe investoni kohë në ndërtimin e aftësive komunikuese. Ju duhet të jeni një komunikues i shkëlqyer në çdo medium - personalisht, në të shkruar ose virtualisht - dhe në çdo situatë.
4. Bëhuni një dëgjues i shkëlqyer. Këtu po flasim për diçka që shumë njerëz e harrojnë: Një nga aftësitë më të rëndësishme të komunikimit është aftësia juaj për të dëgjuar. Njerëzit me prani të madhe ekzekutive janë dëgjues të jashtëzakonshëm. Ata angazhohen me vëmendjen e tyre të plotë, bëjnë pyetje të shkëlqyera dhe e përdorin dëgjimin si një mënyrë për të angazhuar të tjerët dhe për të zbuluar ide të rëndësishme. Dhe ka edhe një përfitim tjetër: Aftësia për të dëgjuar në mënyrë efektive demonstron vetëbesim, një element tjetër kritik i pranisë ekzekutive.
5. Kultivoni rrjetin tuaj dhe zhvilloni zgjuarsinë politike. Njerëzit me prani të jashtëzakonshme ekzekutive e pranojnë që politika organizative është diçka as e mirë e as e keqe. Ata e kuptojnë që kompanitë përbëhen nga marrëdhënie komplekse dhe se ndonjëherë do të ketë një larmi mendimesh dhe axhendash konkurruese. Politika organizative është thjesht dinamika natyrore që lind kur njerëzit punojnë së bashku. Njerëzit me prani të fortë ekzekutive janë të mirë në kultivimin e një rrjeti marrëdhëniesh dhe zhvillimin e zgjuarsisë politike për të ndikuar në situata sfiduese në një drejtim produktiv.
6. Mësoni të veproni në mënyrë efektive nën stres. Si silleni kur pengesat janë të mëdha? A jeni shfaqur ndonjëherë i nxituar, i nxehur apo i mbingarkuar? E humbni durimin, apo keni reputacion për temperament të fortë? Shumë njerëz bëjnë gabim kur besojnë se të shfaqurit si i zënë në punë tregon vlerën e tyre për organizatën. Në fakt, kjo thjesht tregon se ata janë kapluar nga dëshpërimi dhe ndoshta se nuk mund t’u besohet më asnjë përgjegjësi tjetër. Askush nuk dëshiron të shohë një udhëheqës të mbingarkuar. Njerëzit me prani të mirë ekzekutive e paraqesin veten e tyre të qetë, të matur, të përmbajtur, të mir-përgatitur dhe nën kontroll në çdo kohë. Kjo frymëzon besimin se ata janë gati të marrin përsipër edhe më shumë.
7. Sigurohuni që pamja juaj nuk tërheq vëmendje. Mësuesja juaj e kopshtit mund t'ju ketë thënë se rregullsia vlen. Është e vërtetë. Pamja e jashtme nxit përshtypjen e parë, dhe përshtypjet e para, qofshin ato të ndërgjegjshme apo të pa ndërgjegjeshme, janë të fuqishme. Ju dëshironi të siguroni që përshtypja juaj e parë të frymëzojë vetëbesim. Kjo nuk do të thotë se duhet të përpiqeni të dukeni si një top-model/e. Përkundrazi, sigurohuni që pamja juaj të jetë e përshtatshme për mjedisin dhe kulturën e kompanisë dhe se është në përputhje me të tjerët, në nivelin që ju aspironi. Kushtojini vëmendje zgjedhjes së veshjes tuaj, si në model ashtu edhe në pastërti dhe sigurohuni që të mos ketë asgjë në pamjen tuaj që të tërheqë vëmendjen nga përshtypja që dëshironi të lini.