6 Strategji për përmirësimin e Dinamikës në ekipin tuaj të shitjeve
Ndërtimi i ekipeve të suksesshme nuk kufizohet vetëm në përzgjedhjen e elementëve më të mirë, por edhe në harmonizimin dhe bashkëveprimin e tyre, për të aktivizuar e nxjerrë të gjithë potencialin e secilit anëtar të ekipit në funksion të arritjes së objektivave. Me fjalë të tjera, drejtuesi i ekipit është përgjegjës për krijimin e dinamikave pozitive të ekipit – të cilat përfshijnë ato forca psikologjike që ndikojnë në drejtimin e performancës dhe sjelljen e ekipit tuaj. Dhe dinamika pozitive e ekipit ndodh kur anëtarët e ekipit i besojnë njëri-tjetrit, punojnë së bashku dhe mbështesin njëri-tjetrin. Disa ide nga Drea Douglass, mbi përmirësimin e dinamikës në ekipin tuaj të shitjeve, po i sjellim me artikullin më poshtë. Dinamikat e ekipit janë përcaktuese për suksesin organizativ. Një menaxher efektiv duhet të jetë edhe një udhëheqës efektiv i ekipit që i bashkon punonjësit për të arritur SUKSES. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kulturat e shitjeve me performancë të lartë lindin nga ekipe që funksionojnë si një makinë e vajosur mirë. Nëse dëshironi që ekipi juaj i shitjeve të performojë në nivele të larta, duhet të përqendroheni në përmirësimin e dinamikës së ekipit.
Aq sa mirë funksionon grupi juaj, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sa mirë i përmbush objektivat e saj organizata juaj.
Këtu do të përshkruajmë strategjitë që mund të ndërmerrni, për të forcuar vetëdijen e anëtarëve të ekipit tuaj, për të zgjidhur konfliktet dhe për të përmirësuar kohezionin e ekipit - i cili përfundimisht do të ndihmojë në përmirësimin e performancës së ekipit.
Çfarë e shkakton dinamikën e dobët të ekipit?
Dinamika e dobët e ekipit mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë:
- Konfliktet e personalitetit
- Mungesa e komunikimit
- Kultura e pashëndetshme e organizatës
- Trajnimi apo menaxhimi joefektiv
- Roli i dobët (personi i gabuar në pozicion të gabuar)
Me disa ndërhyrje dhe me një udhëheqje të fortë, dinamika jo e shëndetshme e grupit në një ekip shitje, mund të zgjidhet. Ja se si të filloni:
1. Vlerësoni ekipin tuaj të shitjeve
Edhe pse organizata juaj po punon drejt një qëllimi të përbashkët, duhet të mbani parasysh që secili anëtar i ekipit është një individ me një grup të veçantë pikash të forta dhe të dobëta, si dhe me stile sjellje dhe motivues që i shtyjnë ata të përmbushin rolet dhe përgjegjësitë e tyre.
Gjëja sfiduese për menaxherët e shitjeve është të përcaktojnë saktësisht çfarë po e mban skuadrën e tyre të performojë mirë, si individualisht ashtu edhe si grup. Këtu është momenti ku vlerësimi i anëtarëve të grupit tuaj mund të jetë me të vërtetë i dobishëm.
Punoni për të kuptuar me të vërtetë secilin prej punonjësve tuaj të shitjes, që në nivelin individual dhe vlerësoni se si personalitetet dhe karakteristikat e tyre luajnë rol në dinamikë të grupit.
Ne sugjerojmë të vlerësoni secilin nga anëtarët e ekipit tuaj dhe të nxirrni në pah tendencat kryesore të kompetencave, brenda ekipit tuaj të shitjeve.
Ky vlerësim i ekipit tuaj do t'ju lejojë të:
- Identifikoni dinamikën e ekipit që po parandalon suksesin
- Trajnoni ekipin tuaj për të luajtur në pikat e forta dhe për të kompensuar dobësitë, dhe
- Zbuloni se si të merrni më shumë nga anëtarët e ekipit tuaj ekzistues
2. Vendosni role dhe pritshmëri të qarta
Shumë konflikte në ekip lindin prej gjërave të paqarta.
Është thelbësore për drejtuesit e shitjeve që të krijojnë dhe komunikojnë herët pritshmëritë e tyre me punonjësit e tyre të shitjeve, dhe t'i zbatojnë ato në baza të vazhdueshme.
Së pari, sigurohuni që e dini saktësisht se çfarë kërkohet nga roli për të arritur suksesin, përpara se të punësoni dikë. Pastaj sigurohuni që t’i bëni të qarta pritshmëritë tuaja gjatë procesit të punësimit dhe trajnimit hyrës.
Gjithashtu, është e mundur që të bëni ndryshime në role dhe pritshmëri me anëtarët tuaj aktual të ekipit, nëse kjo është e nevojshme.
Nëse nevojiten ndërhyrje të mëdha, punoni për të fituar mbështetje nga ekipi drejtues i organizatës suaj. Komunikimi i vlerave dhe pritshmërive themelore të kompanisë suaj nga lart poshtë, do të ketë më shumë peshë.
Në nivel individual, punoni me secilin prej punonjësve tuaja gjatë takimeve kokë më kokë, për t’u dakortësuar për rolet dhe përgjegjësitë. Ju mund të zbatoni edhe një plan trajnimi, për t'u siguruar që ndryshimet pozitive janë duke ndodhur.
3. Krijoni kulturën e komunikimit dhe mbështetjes
Ndonjëherë ekipet e shitjeve përfshihen në një konkurrencë jo të shëndetshme dhe fshehje të njohurive. Punoni për të inkurajuar një kulturë bashkëpunimi në ekipin tuaj të shitjeve.
Ju mund ta arrini këtë duke:
I angazhuar në ndarjen e sukseseve – Në takimet me ekipin tuaj të shitjeve rezervoni pak kohë që punonjësit e shitjes të shkëmbejnë këshilla ose strategji, me të cilat ata ishin të suksesshëm. Kujdesuni që të keni punonjës të ndryshëm çdo javë dhe ruajini tregimet e tyre për t’i përdorur në të ardhmen.
Ndani informacionet mbi konkurrencën – Ngarkoni detyra për secilin nga punonjësit tuaj që të kujdesen për aktivitetet e konkurrentëve të ndryshëm apo informacione të tjera të lidhura me ta. Çdo javë ose edhe më shumë, ftoni anëtarët e ekipit që të ndajnë informacionet përkatëse që ata kanë zbuluar.
Krijoni Marrëveshjen e ekipit - Marrëveshja e ekipit është një dokument që zhvillohet në grup, që sqaron drejtimet e punës së ekipit, duke përfshirë edhe ndarjet zonale. Nëse punonjësit tuaj japin kontributin e tyre për këtë, kjo do të ndihmojë që ata të ndihen përgjegjës ndaj marrëveshjes.
4. Inkurajoni lidhjen sociale
Ekipet janë si familje. Kur luajnë së bashku, ata qëndrojnë së bashku.
Inkurajoni mundësitë e lidhjes sociale duke rregulluar aktivitetet vullnetare të ekipit, duke investuar në aktivitete "rastësore" dhe duke organizuar dalje të rregullta që promovojnë ndërtimin e ekipit.
5. Identifikoni dhe adresoni problemet para se të përshkallëzohen
Edhe skuadrat më të mira të dizajnuara dhe të menaxhuara shumë mirë, do të kenë ditë të këqija. Zgjidhja e konflikteve fillon duke identifikuar mundësi për konflikt përpara se ato të përshkallëzohen në një problem organizativ.
Kujdesuni për sjelljet problematike siç janë grumbullimi i informacionit, ngacmimi dhe konkurrenca me frymë jo të shëndetshme dhe adresojini ato përpara se të përshkallëzohen.
Shpërbleni sjelljet bashkëpunuese si shkëmbimi i informacionit, mbështetja dhe nxitja e sukseseve të njëri-tjetrit.
6. Impononi sjelljet e duhura
Në shumicën e rasteve, historikisht edhe punonjësit e vështirë mund të bëhen lojtarë të mirë ekipi, me ndërhyrjen efektive të një drejtuesi të fortë.
Sidoqoftë, nëse keni një punonjës që vazhdimisht shkakton probleme, merreni diku më vete dhe sqaroni sjelljen që prisni prej tyre. Dokumentoni gjithçka dhe tregoni gatishmëri që t'i largoni ata nga ekipi, nëse nuk demonstrojnë dëshirë dhe veprime për t'u rritur dhe përshtatur me kulturën pozitive të ekipit që keni krijuar.
Në përfundim
Duke ndërmarrë këto hapa për të përmirësuar dinamikën e ekipit tuaj të shitjeve, ju mund ta bëni vendin tuaj të punës më argëtues dhe produktiv e duke përmbushur vazhdimisht qëllimet dhe objektivat tuaja.