Blog

9 Këshilla për të rritur nivelet e përqendrimit

9 Këshilla për të rritur nivelet e përqendrimit

Është mëse e vërtetë! Të arrish të përqëndrohesh në një çështje të caktuar, qoftë kjo në punë apo në jetën e përditshme, sot është më e vështirë se kurrë më parë. Aktiviteti i vrullshëm, zhvillimi teknologjik, moria e mediave dhe kanaleve të informacionit, mundësia e shtuar e mënyrave të komunikimit dhe rrjetet sociale janë disa prej shkaktarëve të humbjes së fokusit. Ndërkohë që nuk mund ta izolojmë plotësisht veten ndaj çfarë ndodh përreth nesh, të përqëndrohemi në atë që bëjmë është e vetmja mundësi të japim më të mirën dhe të jemi të suksesshëm. Për këtë, ashtu si përpiqemi të rrisim njohuritë, ashtu mund ta rrisim shumë edhe aftësinë tonë për t’u përqëndruar. Michael Hyatt - autor i artikullit këtu, na tregon disa prej eksperiencave të tij lidhur me përqëndrimin, duke na ftuar t’i përshtasim ato në kushtet tona. Përmirësimi i fokusit kërkon përpjekje, kohë dhe durim. Urojmë që ju t’i keni. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Në këtë ekonomi shpërqendruese, fokusi është një gjë e rrallë. Ne nuk mund të bëjmë punë të vërteta e kuptimplote nëse nuk ruajmë fokusin. Udhëheqësit e mirë jo vetëm që arrijnë një fokus të shkëlqyer por gjithashtu pajisin me mjete për rritjen e fokusit, edhe anëtarët e ekipit.

Mos lejoni që t’ju kalojë edhe një javë tjetër e shpërqëndruar. Më poshtë, do të gjeni nëntë praktika për të mënjanuar shpërqendrimet në punën tuaj të përditshme. Zgjidhni të paktën një nga këto mënyra, për ta përdorur në punën tuaj, duke filluar nga sot.

1. Programoni kohën tuaj të fokusit

Ajo që programohet, bëhet. Bllokoni kalendarin tuaj për periudhën me performancën më të lartë. Për shembull, unë e bëj punën time më të mirë herët në mëngjes, kështu që programoj në këtë periudhë vetëm kohën për të përfunduar projektet e mia më të rëndësishme. Nëse nuk keni dijeni për kronotipet, merrni në konsideratë leximin e librit “Kur” - nga Daniel Pink. Ju do të identifikoni se kur punoni më mirë, në mënyrë që të mund të caktoni detyrat më të rëndësishme në periudhat tuaja më produktive.

2. Izoloni veten

Fillimisht e kuptova që izolimi ishte i dobishëm kur vura re produktivitetin tim ndërsa isha i ulur në një aeroplan. Unë e bëj punën time më krijuese në 10,000 metra lartësi. Kombinimi i bardhësisë, zhurmës dhe distancës nga komuniteti im më ndihmon të prodhoj më shumë ide.

Përshtateni këtë në tokë, duke mbyllur derën e zyrës tuaj ose duke vendosur kufje, për t’i dhënë sinjal shokëve të ekipit se jeni zhytur thellë në punë. Ju madje mund t’i deklaroni bashkëpunëtorëve ose shefit tuaj se keni nevojë për disa orë pune të pandërprerë. Në kompaninë tonë, ne besojmë aq shumë tek izolimi sa kemi caktuar ditën e mërkurë si ditë pa takime. Izolimi është thelbësor.

3. Dil nga interneti

Çaktivizoni njoftimet ose përdorni një mjet që bllokon përmbajtjen e tyre. Ju nuk e keni forcën mendore për t’i mënjanuar vetë njoftimet. Unë përdor një mjet të tillë në kompjuterin tim. Në telefonin tim, unë fshij aplikacionet jo thelbësore dhe vendos kontrolle të kohës së ekranit për aplikacionet e mediave sociale të kërkuara për punë. Unë nuk e di as kodin për të anashkaluar kufizimet. Gruaja ime e mban kodin, kështu që unë nuk mund të thyej kufizimet që kam vendosur vetë ndaj shpërqendrimit dixhital. Për të fituar luftën e përqëndrimit, duhet të fitoni mbi gjigantët e teknologjisë.

4. Uleni temperaturën e dhomës

Në një studim, i botuar nga Scientific American, pjesëmarrësve iu kërkua të korrigjonin një artikull. Disa punuan në një dhomë në 23°C ndërsa të tjerët punuan në një dhomë të vendosur në 18°C. Ata që ishin në dhomën e freskët gjetën dy herë më shumë gabime sesa homologët e tyre, në dhomën tjetër. Shkenca e provon - dhomat më të freskëta përmirësojnë përqendrimin. Temperatura optimale ndryshon nga personi, kështu që provoni temperatura të ndryshme për të gjetur temperaturën tuaj perfekte.

5. Siguroni komoditetin e duhur

Kur nuk ndiheni mirë, shpërqendroheni. Siguroni një qëndrim të rehatshëm. Kjo nuk do të thotë të shtriheni në shtrat. Mos u bëni aq rehat sa t’u zërë gjumi. Unë ndihem më mirë kur punoj nga pozicioni në këmbë, kështu që shumicën e ditëve i kaloj në këmbë para tryezës time të punës. Gjeni mjetet dhe pozicionin që ju përshtatet.

6. Vendosni muzikë që ndihmon përqendrimin

Studiuesit në Universitetin e Stanfordit studiuan efektin e muzikës në tru dhe zbuluan se ajo aktivizonte disa zona të trurit të dedikuara për vëmendjen, bërjen e parashikimeve dhe përditësimin e kujtesës. Kur shkruaj, dëgjoj disa pjesë muzikore instrumentale dhe epike. Më jep një sens të qëllimit. Ato janë krijuar për të ndikuar në emocione dhe në fakt funksionojnë. Ndihem më i vetëdijshëm për qëllimin tim më të madh në botë. Ju mund ta gjeni këtë lloj muzike duke kërkuar në platforma të ndryshme në internet.

7. Vini re efektin e ushqimit në aftësinë tuaj për t'u përqëndruar

Për disa njerëz, tre filxhanë kafe ndihmojnë në përqendrimin. Disa të tjerë, ndjehen të nervozuar pas marrjes së sasisë më të vogël të kafeinës. Kushtojini vëmendje mënyrës se si trupi juaj reagon ndaj asaj që konsumoni dhe mos i kaloni vaktet pa ngrënë. Ju mund të keni nevojë për diçka që mund ta mbani në sirtarin e tryezës tuaj ose një shishe uji për hidratimin tuaj gjatë ditës. Shtoni në dietën tuaj të rregullt, ushqime të njohura që rrisin funksionimin e trurit.

8. Vendosni mini-objektiva

Mini-objektivat janë projekte që mund t'i realizoni në një periudhë të caktuar kohore. Për shembull, unë kam vendosur një objektiv të vogël për të shkruar një postim me 500 fjalë, në 45 minuta, në disa mëngjese gjatë javës. Unë përdor një orë me zile në tavolinën e punës. Unë e di që mesatarja ime është 75 minuta për postimin, kështu që vendosja e një kohëmatësi 45 minutash më ndihmon të qëndroj i përqendruar në garën time kundër orës. Identifikoni mini-objektivat e mundshme dhe programoni më pak kohë sesa mendoni se ju nevojitet.

9. Vendosni një kohëmatës dhe bëni pushime të shpeshta

Kohëmatësit përforcojnë afatet. Në varësi të llojit të personalitetit tuaj, kjo mund të jetë shumë motivuese. Kohëmatësit gjithashtu ju kujtojnë të bëni pushime. Nëse e shpenzoni energjinë tuaj për një kohë të gjatë në një projekt, do t’ju mbarojnë bateritë.

Pushimet mund të jenë në shumë mënyra. Ju mund të dilni një shëtitje, të meditoni, të shtriheni pak pasdite, ose të pini një filxhan kafe. Çfarëdo që të bëni, pastroni mendjen tuaj për disa minuta dhe do të ndjeni përfitime pothuajse të menjëhershme.

Në një ditë pune tipike, unë bëj një pushim paradite, me një shëtitje të shkurtër. Më vonë, bëj një pushim pasdite. Pushimet rinovojnë energjinë time. Sa herë që kthehem në tryezën time, punoj me sy të freskët dhe motivim të freskët.

Shpërqëndrimet janë kudo. Pa veprime të qëllimshme, ju do të bini pre e tyre gjithmonë e gjithmonë. Fitoni luftën për përqëndrimin duke përdorur strategjitë e ngritjes së fokusit më lart.