3 Fraza toksike që nuk duhet t’i dëgjoni nga goja e një drejtuesi
Urojmë që jo, por ndoshta ju keni pasur rastin të punoni me shefa, të cilët vetëm nga mënyra se si komunikojnë me anëtarët e ekipit të tyre, përcaktojnë edhe qëndrimin ndaj vetë shefave, por edhe ndaj punës. Për fat të keq, një pjesë e mirë e tyre gjendet në pozicionin e gabuar, për shkak se vlerësojnë më shumë egon, se sa ndërtimin e një qëndrimi pozitiv të ekipit. Një moment vlerësimi për ta është edhe mënyra se si ata flasin dhe frazat që zgjedhin. Marcel Schwantes, autori i artikullit më poshtë, na sjell 3 frazat më të papërshtatshme, që një drejtues i mirë nuk i përdor kurrë. Nga eksperienca juaj mund të na sillni edhe shumë fraza të tjera, që nuk do të donit t’i dëgjonit nga drejtuesi juaj ose ju si drejtues keni vendosur të mos i përdorni, për të mos dëmtuar kulturën organizative. Të jesh një udhëheqës i mirë sigurisht përfshin fjalët që ju zgjidhni. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Shumë menaxherë janë vendosur gabimisht dhe me nxitim në pozita drejtuese, edhe pse nuk janë të pajisur me aftësinë për të frymëzuar dhe angazhuar punonjësit e tyre.
Një nga aftësitë kryesore të lidershipit sigurisht përfshin fjalët që ju zgjidhni të thoni, pasi ka të bëjë me komunikimin me njerëzit. Ndërsa veprimi flet më shumë se fjalët, të thuash gjëra të gabuara, kjo mund të jetë shkatërruese për një punonjës dhe të mpijë aftësitë e tij për t'i bërë gjërat mirë.
Përdorimi i autoritetit të pozicionit ose statusit tuaj, për të sulmuar, turpëruar ose për të vënë në siklet një qenie tjetër njerëzore në një pozicion më të ulët kontribuon drejtpërdrejt në moralin dhe gjendjen fizike të këtij personi.
Me që ra fjala, këtu janë tre fraza, që ka shumë të ngjarë që nuk do të donit t’i dëgjoni kurrë, nga goja e një lideri të mirë.
1. "Unë nuk kam nevojë për këshillën tuaj"
Shefat toksikë nuk janë lojtarë të mirë ekipi, sepse nuk besojnë sa duhet tek njerëzit e tyre për të deleguar ose për të kërkuar kontributin e tyre në bërjen e gjërave. Kjo ka të bëjë me fuqinë dhe kontrollin dhe ata duhet ta ushtrojnë atë për të ushqyer egon e tyre. Nga ana tjetër, kur përballen me sfida të vështira, udhëheqësit e mirë në radhë të parë i japin vëmendje ekipit, duke kërkuar zgjidhje për të ardhmen nga disa këndvështrime. Ata diskutojnë me njerëz të ndryshëm për të qartësuar situatat dhe për të përcaktuar një kurs veprimi. Ndonjëherë vendimi mund të mos jetë më i përkrahuri, por gjithmonë është i duhuri sepse u dëgjuan shumë zëra nga mendje të shëndosha.
2. " Nuk është përgjegjësia ime"
Shefat toksikë e largojnë përgjegjësinë nga vetja dhe e hedhin fajin diku tjetër, për të mbrojtur veten me çdo kusht. Nga ana tjetër, udhëheqësit e mirë e lënë mënjanë egon e tyre, sepse të pranuarit e të qenit njerëzor dhe që mund të gabosh, në të vërtetë e rrit besimin. Kur drejtuesit zgjedhin që të jenë të vërtetë, atëherë punonjësit ndjehen mjaft të sigurt për të ndërmarrë rreziqe, për të provuar dhe për të bërë edhe gabime dhe pastaj të jenë sa më të hapur për të thënë: "Po shef, është gabimi im".
3. "Nuk ka problem"
Punonjësit nuk janë budallenj. Ata mund ta ndjejnë ritmin e organizatës gjatë periudhave dhe sfidave të vështira dhe do ta kuptojnë një shef, i cili nuk po e tregon të gjithë historinë e vërtetë ose që pretendon se gjithçka është në rregull edhe "kur po i del zjarri në majë". Nga ana tjetër, disa gjëra është e nevojshme që të dihen nga punonjësit dhe për këtë, udhëheqësit e mirë i informojnë ata, për t'i pasur në krah të asaj që po ndodh, veçanërisht kur kjo ndikon në punën e tyre, jetesën e tyre dhe klientët e tyre.