Blog

Tipari më i rëndësishëm i lidershipit, që duhet të keni

Tipari më i rëndësishëm i lidershipit, që duhet të keni

Edhe në artikujt e tjerë që kemi publikuar mbi lidershipin, del qartë se drejtimi dhe menaxhimi nuk janë e njejta gjë. Edhe pse të dy rolet kanë për qëllim arritjen e objektivit me të gjithë anëtarët e ekipit, roli i një drejtuesi apo lideri, dallohet nga ai i një menaxheri. Nuk ka rëndësi emri i pozicionit, por ai që organizon, frymëzon dhe motivon ekipin e tij, për të arritur objektivat, e që e bën këtë ditë për ditë e vazhdimisht, ai është një udhëheqës. Padyshim, një nga cilësitë kryesore të drejtuesve të suksesshëm, është Integriteti. Për këtë flet edhe artikulli sot, me autor Marcel Schwantes. Suksesi nuk arrihet nga rastësia. Sukses do të thotë - të menaxhoni gjëra dhe të drejtoni njerëz, së pari, me shembull. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Miliarderi Warren Buffett, CEO i Berkshire Hathaway, nuk i kursen këshillat lidhur me tiparet e thjeshta që i veçojnë drejtuesit e suksesshëm nga gjithë të tjerët. 

Ai na ka treguar për rëndësinë e një tipari të panegociueshëm, që duhet të gjeni tek njerëzit: Integritetin. Orakulli i Omaha-s thotë:

“Ne kërkojmë tre gjëra kur punësojmë dikë. Ne kërkojmë Inteligjencë, Iniciativë ose Energji dhe Integritet. Nëse nuk e ka këtë të fundit, dy të parat do t'ju fundosin, sepse nëse do të merrni dikë pa integritet, ju dëshironi që ai/ajo të jetë dembel dhe memec”.

Duke bërë intervista të panumërta me drejtues të suksesshëm, në gjithë këto vite, unë dëshmoj se integriteti është një tipar i mrekullueshëm biznesi, që pasqyron më të mirën prej tyre, dhe mjaft studime e mbështesin këtë. 

Tony Simons në një nga librat e tij, sjell prova për integritetin si tipar mbizotërues, që "prek çdo aspekt të biznesit tuaj"“Kur praktikohet në formën e tij më të mirë” - thotë Simons, - “integriteti rrit vlerën e biznesit dhe sjell përfitueshmëri”.  

Studimet mbi vlerat e organizatave më të mëdha, tregojnë se 55 përqind e tyre e kanë integritetin si vlerën kryesore.

Gjashtë mënyra të sigurta për të rritur integritetin tuaj

Kur nuk kemi aftësi për të shfaqur dhe shprehur integritetit tonë si drejtues, atëherë kjo do të ketë një efekt negativ mbi mënyrën tone të të punuarit. Kjo gjithashtu, do të kufizojë rritjen e bizneseve që ne drejtojmë. Për të shmangur të keqen, provoni t'i vini në zbatim këto praktika, çdo ditë:

1. Komunikoni hapur

Një person me integritet i mban linjat e komunikimit të hapura me të gjithë në organizatë. Ai ose ajo, u jep mundësi të tjerëve të shprehin shqetësime ose të shtrojnë pyetje, që mund të adresohen në kohën e duhur. Ai ose ajo, e di se komunikimi i hapur dhe i sinqertë nuk është vetëm një gjë etike që duhet bërë, por është ajo që ndërton besimin dhe rrit vlerën, kështu që puna do të bëhet me më efikasitet dhe pa pengesa, pa burokraci apo politika. 

2. Bëni atë që thoni

A i vini në jetë premtimet apo angazhimet tuaja? Drejtuesit që e mbajnë fjalën dhe tregojnë integritet, gjithmonë "bëjnë gjënë e duhur" dhe japin një shembull të mirë. Sigurisht, ata pranojnë gabime dhe dështime (edhe ata janë njerëz, në fund të fundit), por ata e konsiderojnë veten përgjegjës në një standard të lartë, pavarësisht nga ndikimet e jashtme. 

3. Qëndroni pozitiv gjatë situatave të vështira

Merrni si shembull një klient të pakënaqur ose një bashkëpuntor të pakënaqur. Integriteti i lartë i një drejtuesi, do të shfaqet duke qëndruar i qetë dhe pozitiv gjatë bisedave të vështira. Ai gjithashtu shfaqet me qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të vendosur kufizime ndaj njerëzve, gjatë mosmarrëveshjeve të vazhdueshme dhe konfliktit jo të shëndetshëm.

4. Mos përdorni maskë (Këtu nuk është fjala për maskën mbrojtëse ndaj COVID-19 :) shënim i ProspecTime)

Si do të ndjeheshit, sikur çdo ditë, të thoni atë që mendoni, t’i qëndroni besnik vetvetes dhe të silleni në përputhje me këtë? Imagjinoni lumturinë dhe vetë-respektin që do të ndjeni. Të jeni i vërtetë me veten tuaj është shumë më pak stresuese, sesa të përpiqeni të jeni dikush tjetër. Duke qenë i vërtetë, ju jo vetëm që keni besim në gjykimet dhe vendimet që merrni, por edhe të tjerët do ju besojnë. Ata do t'ju respektojnë për qëndrimin pranë vlerave dhe besimeve tuaja.

5. Tregoni vendosmëri

Duhet ta pranojmë faktin, se konflikti është i pashmangshëm, kur përfshihen qeniet njerëzore. Në vend që të jenë pasivë-agresivë dhe shmangës ndaj konfliktit, drejtuesit me integritet qëndrojnë me guxim përballë “stuhisë”. Ata janë shumë të vetëdijshëm se zgjidhja e konfliktit me aftësitë e të dëgjuarit aktiv për të kuptuar personin tjetër, është një mënyrë shumë më e shpejtë për zgjidhjen e një çështje, sesa pasojat negative të ikjes nga konflikti.

6. Shprehni ndershmëri emocionale

Udhëheqësit me integritet nuk thonë gjëra në mënyrë sipërfaqësore, por përpiqen shumë për të kënaqur të tjerët, ose që ata të duken mirë para kolegëve të tyre. Ata nuk e tradhtojnë veten ose të tjerët, duke përdorur fjalë ose duke marrë vendime, që nuk përputhen me atë që është në thelb të qenieve të tyre. Këta drejtues flasin qartë, me ndershmëri dhe me integritet, veçanërisht kur gjërat janë serioze. 

Për të qenë më të qartë:

Kur drejtuesit punojnë me integritet, ju shikoni karakterin e tyre të plotë. Ju nuk e vini në dyshim se kush janë ata, ose a i mbajnë parasysh edhe interesat tuaja më të mira (sepse gjithmonë e bëjnë këtë).

Për shkak se veprimet e tyre janë të hapura, që të gjithë mund t’i shohin, ju nuk shqetësoheni nëse fshehin ndonjë gjë nga ju. Për të qenë më të qartë, po citojmë trajnerin e futbollit Tony Dungy, i nderuar në Sallonin e Famës, i cili shkruan: - "Integritet - zgjedhja midis asaj që është e përshtatshme dhe asaj që është e drejtë"