Blog

8 Elementë kryesorë, për një marrëdhënie të mirë pune

8 Elementë kryesorë, për një marrëdhënie të mirë pune

Duhet të keni dëgjuar për trajnerin John Wooden, legjendën e basketbollit amerikan, që në 12 vjet si trajner ka fituar në 10 kampionate të kolegjeve. Ai ka qenë edhe një basketbollist i shkëlqyer dhe për meritat e tij ai është personi i parë i pranuar në dy kategori (lojtar dhe trajner) në Sallën e Famës së Basketbollit. Po ai njihet shumë mirë edhe për mesazhet e shkurtra, të thjeshta e frymëzuese për lojtarët e tij, e që ndihmuan ata e shumë të tjerë për t’u bërë të suksesshëm si në basketboll edhe në jetë, e që kanë krijuar një trashëgimi me interes të madh jo vetëm në sport, por edhe në biznes, sukses personal dhe udhëheqje organizative. Disa nga këshillat e tij, për ndërtimin e marrëdhënieve të punës dhe drejtimit të ekipit, do t’i gjeni në vazhdim të këtij shkrimi, të përmbledhura nga Craig Impelman. Lexim të këndshëm! 

* * * * *

Trajneri Wooden themeloi katër komponentë të domosdoshëm, për të qenë një trajner i suksesshëm. Trajneri si Filozof, si Shembull, si Mësues dhe si Udhëheqës. Le të fokusohemi në marrëdhëniet mësues-student (trajner-lojtar) [që mund të shtrihen edhe më tej në marrëdhëniet supervizor-punonjës, lider-ndjekës, etj. - shënim i ProspecTime].

Wooden e përshkroi rolin e trajnerit si Mësues, në këtë mënyrë:

"Trajneri nuk duhet të harrojë kurrë se ai është para së gjithash, Mësues. Ai duhet të vijë (të jetë i pranishëm), të shohë (të diagnostikojë) dhe të zotërojë (të jetë i saktë)”.

Një student ka më shumë mundësi të pranojë korrigjimin e mësuesit të tij, kur ata kanë një marrëdhënie të mirë. Dhe trajneri Wooden përshkroi tetë elementët kryesore të një marrëdhënie të mirë mësues-student:

1. “Ruani një lidhje personale e të ngushtë me lojtarët, duke krijuar respekt ndaj tyre. Tregoni interes për problemet e tyre personale dhe mbështetini ata lehtësisht”.

Ne, nuk mund t’i ftojmë punonjësit për të pirë diçka ose për të darkuar me ta, ku ata kanë probleme, por duhet të kemi interes të sinqertë për problemet e tyre personale. Mund të jetë shumë e dobishme që një orë në ditë, dera e zyrës tuaj të jetë e hapur për anëtarët e ekipit, dhe ata ta dijnë që gjatë asaj kohe, ata mund të vijnë dhe të flasin me ju për ndonjë gjë që mund të kenë nevojë. 

2. “Kërkoni disiplinë, por pa qenë diktatorial. Jini i drejtë dhe udhëhiqni në vend që të imponoheni”.

Trajneri Wooden pëlqente ta thoshte: - "Ju nuk mund të kundërviheni dhe të ndikoni në të njejtën kohë".

3. “Studioni dhe respektoni personalitetin e secilit lojtar dhe punoni me ta, në përputhje me rrethanat. Trajtoni secilin individ ashtu siç meriton të trajtohet”.

Ne duhet të zhvillojmë një stil mësimdhënie-komunikimi që është më efektivi për secilin student. Secili prej tyre ka veçantinë e tij dhe mund të ketë nevojë për një qasje paksa ndryshe.

4. "Mundohuni të zhvilloni kudo sensin e përgjegjësisë".

Siç ka thënë Abraham Lincoln: - "Gjërat më të këqija, që mund të bëni për ata që i doni, janë gjërat që mund dhe duhet t’ja bëni vetes tuaj".

5. "Analizoni veten, si dhe lojtarët tuaj dhe drejtoni siç duhet".

Aftësia për të parë të mirën tek të tjerët dhe të këqijat tek vetja, është vizioni i përsosur.

6. “Miratimi - Përgëzimi është motivues i shkëlqyeshëm. Përdorni rrahjen e shpatullave, sidomos pas kritikave të ashpra”.

Trajneri Wooden thotë: - "Një përgjigje e butë largon zemërimin".

7. “Nëse ju mësoni besnikërinë, ndershmërinë dhe respektin për të drejtat e të tjerëve, do të bëni një hap të madh drejt një ekipi bashkëpunues me frymën e duhur ekipore. Xhelozia, egoizmi, zilia, kritikat dhe acarimi mes njëri-tjetrit mund ta shkatërrojnë këtë”.

T'u mësoni punonjësve që të pastrojnë dhomën e tyre të pushimit ose atletëve që të pastrojnë dhomën e tyre të dollapëve është një mënyrë e mirë për t'ju mësuar respektimin e të drejtave të të tjerëve.

8. "Konsideroni ekipin në fillim, por mos sakrifikoni një anëtar vetëm për të treguar se keni të drejtë".

Sa e rëndësishme është marrëdhënia mësues - student, trajner - lojtar ose supervizor - punonjës? Mendoni rreth kësaj: Sipas Gallup - "Arsyeja numur 1, pse punonjësit largohen nga puna është një marrëdhënie e dobët me supervizorin e tyre të drejtpërdrejtë". 

Këto marrëdhënie mund të jenë të vështira ndonjëherë, por trajneri Wooden do të na kujtonte: - "Le ta mposhtim njeriun e zemëruar me butësi".