Blog

Egoja është armiku i një udhëheqësi të mirë

Egoja është armiku i një udhëheqësi të mirë

Ego është përcaktuar si një nga përbërësit e personalitetit të njeriut. Ajo përcakton identitetin e personit. Ajo përkufizohet si ndjenja e vetvetes, vetëvlerësimi ose rëndësia e vetvetes. A është egoja një gjë e keqe? Nuk është, përderisa nuk kapërcen disa caqe. Pushteti është një stimulues i egoje të fryrë. Kjo shfaqet nga shefa egoistë. Nuk po ju pyesim nëse keni eksperienca me shefa të tillë, ata që kanë gjithmonë të drejtë e që dinë gjithçka, pasi druhemi se do të na mbysni me shembuj. Dhe kjo jo vetëm në këto anët tona. Sipas një studimi në SHBA, në vitin 2017, për shkak të egos në biznes, 85 përqind e të punësuarve nuk angazhohen ose janë pasivë në punë. Produktiviteti i humbur, si pasojë e kësaj norme globale vlerësohet afërsisht 7 trilion dollarë në vit. Autorët Rasmus Hougaard dhe Jacqueline Carter na vijnë në ndihmë me disa këshilla, për të shmangur egoizmin e për të drejtuar si lidera të vërtetë. Lexim të këndshëm! 

* * * * *

Në ditën e tij të parë si CEO i Carlsberg Group, kompania globale e birrës dhe pijeve, Cees 't Hart mori një kartë çelës nga ndihmësi i tij. Karta çelës i mbyllte të gjitha katet e tjera, kur ai përdorte ashensorin, në mënyrë që të mund të shkonte direkt në zyrën e tij, në katin e 20-të. Zyra e tij ofronte një pamje mahnitëse të Kopenhagen-it. Kjo ishte një nga ato favoret që i jepte pozicioni i tij i ri, kur folën për fuqinë dhe rëndësinë e tij brenda kompanisë.

Cees i kaloi dy muajt e parë duke iu përshtatur përgjegjësive të tij të reja. Por gjatë atyre dy muajve, ai vuri re që shikonte shumë pak njerëz gjatë gjithë ditës. Duke qenë se ashensori nuk ndalonte në katet e tjera dhe vetëm një grup i zgjedhur zyrtarësh të lartë punonin në katin e 20-të, ai rrallë ndërveproi me punonjësit e tjerë të Carlsberg. Cees, mori vendimin të linte zyrën e tij në katit e 20-të, për t’u vendosur në një zyrë të hapur dhe të përbashkët më të tjerët.

Kur e pyetën për ndryshimet, Cees shpjegoi: - "Nëse nuk takohem me njerëzit, nuk do të marr vesh se çfarë mendojnë ata. Dhe nëse nuk kam një gisht në pulsin e organizatës, nuk mund të drejtoj në mënyrë efektive".

Kjo histori është një shembull i mirë, se si një drejtues ka punuar në mënyrë aktive për të shmangur rrezikun e izolimit që vjen nga të qenit në pozicione të larta drejtuese. Dhe ky rrezik është një problem i vërtetë për udhëheqësit e vjetër. Me pak fjalë, sa më lart të qëndrojnë drejtuesit në organizimin e kompanisë, aq më shumë rrezikohen të krijojnë një kompleks superioriteti. Dhe sa më e madhe egoja e tyre, aq më shumë rrezikojnë të përfundojnë të izoluar brenda një flluske, duke humbur kontaktin me kolegët e tyre, kulturën e kompanisë si dhe klientët e tyre. Le ta analizojmë hap pas hapi këtë dinamikë. 

Ndërsa ngrihemi në detyrë, fitojmë më shumë fuqi. Dhe për këtë, njerëzit ka shumë të ngjarë që të duan të na kënaqin duke na dëgjuar me vëmendje, duke rënë gjithnjë e më shumë dakord dhe duke qeshur me shakatë tona. Të gjitha këto e përkëdhelin egon. Dhe kur egoja përkëdhelet, ajo rritet. David Owen, ish-sekretari i jashtëm britanik dhe neurolog në profesion, si dhe Jonathan Davidson, profesor i psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes, në Universitetin Duke, e quajnë këtë "hubris syndrome (Sindroma e Arrogancës)", të cilin ata e përkufizojnë si një "çrregullim i posedimit të pushtetit, veçanërisht nga ai pushtet, i cili shoqërohet me një sukses të jashtëzakonshëm dhe i mbajtur për një periudhë kohe të gjatë".

Një ego e pakontrolluar mund të deformojë të ardhmen tonë ose të shtrembërojë vlerat tona. Këtë tregojnë edhe fjalët e Jennifer Woo, CEO i kompanisë më të madhe të shitjes me pakicë të produkteve të luksit në Azi: - "Menaxhimi i egos sonë për të pasur pasuri, famë dhe ndikim është përgjegjësia kryesore e çdo udhëheqësi". Kur ne jemi të mbërthyer nga dëshira e madhe për ego, për të patur sa më shumë fuqi, ne e humbim atë kontroll. Egoja na manipulon, ngushton fushën tonë të vizionit dhe korrupton sjelljen tonë, shpesh duke na bërë të veprojmë kundër vlerave tona.

Egoja jonë është si një qëllim që ne e mbartim me vete. Dhe si çdo qëllim, sa më i madh të jetë, aq më e prekshme është goditja. Në këtë mënyrë, kompleksi i superioritetit e bën më të lehtë për të tjerët të përfitojnë nga ne. Për shkak se egoja jonë dëshiron vëmendje pozitive, mund të na bëjë të ndjeshëm ndaj manipulimeve. Kjo na bën të parashikueshëm. Kur njerëzit e dinë këtë, ata mund të luajnë me egon tonë. Kur ne jemi viktimë e vetë nevojës sonë për t'u parë si të "shkëlqyeshëm", ne përfundojmë duke marrë vendime, që mund të jenë të dëmshme për veten tonë, njerëzit tanë dhe organizatën tonë.

Kompleksi i superioritetit gjithashtu korrupton sjelljen tonë. Kur besojmë se jemi arkitektët e vetëm të suksesit tonë, ne priremi të jemi të rreptë, më egoistë dhe me shumë gjasa, i ndërpresim të tjerët. Kjo shfaqet më shumë, sidomos përballë pengesave dhe kritikave. Në këtë mënyrë, kompleksi i superioritetit na pengon të mësojmë nga gabimet tona dhe krijon një mur mbrojtës, që e bën të vështirë të vlerësojmë mësimet e vlefshme, që mblidhen nga dështimi.

Dhe në fund, kompleksi i superioritetit e ngushton vizionin tonë. Egoja gjithmonë kërkon informacione që konfirmojnë atë që dëshirojmë të besojmë. Në thelb, kompleksi i superioritetit na bën të kemi një paragjykim të fortë konfirmimi. Për shkak të kësaj, ne humbasim perspektivën dhe përfundojmë në një flluskë udhëheqjeje, ku ne shohim dhe dëgjojmë vetëm atë që duam. Si rezultat, ne humbasim kontaktin me njerëzit që drejtojmë, kulturën në të cilën jemi pjesë dhe në fund të fundit, klientët dhe palët e interesuara.

Të dalësh mbi një ego tepër mbrojtëse ose e fryrë dhe të shmangësh flluskën e udhëheqjes është një detyrë e rëndësishme dhe sfiduese. Kjo kërkon vetëmohim, reflektim dhe guxim.

Këtu janë disa këshilla që do t'ju ndihmojnë:

  • Mbani parasysh favoret dhe privilegjet që ju ofrohen në rolin tuaj. Disa prej tyre ju mundësojnë ta bëni punën tuaj në mënyrë efektive. Kjo është një gjë shumë e mirë. Por disa prej tyre janë thjesht favore për të nxjerrë në pah statusin dhe fuqinë tuaj, dhe në fund të fundit, egon tuaj. Vlerësoni se prej cilave privilegje mund të hiqni dorë. Për shembull, mund të jetë vendi i rezervuar i parkimit, ose, si në rastin e Cees 't Hart, një hyrje e veçantë me ashensor për tek zyra.
  • Mbështesni, zhvilloni dhe punoni me ata njerëz, që nuk e ushqejnë egon tuaj. Punësoni njerëz të zgjuar e me vetëbesim për të folur.
  • Përulësia dhe mirënjohja janë themeli i vetëmohimit. Bëjeni zakon të shpenzoni një moment në fund të çdo dite, për të reflektuar me të gjithë njerëzit që ishin pjesë e të qenit të suksesshëm, në atë ditë. Kjo ju ndihmon të zhvilloni në mënyrë natyrale sensin e përuljes, duke parë se nuk jeni ju, shkaku i vetëm i suksesit tuaj. Dhe përfundoni reflektimin tuaj duke dërguar një mesazh mirënjohje për ata njerëz.

Kompleksi i superioritetit që vjen së bashku me suksesin – si paga më e lartë, një zyrë më e mire, e plot të tjera - shpesh na bën të ndjehemi sikur e kemi gjetur përgjigjen e përjetshme, për të qenë udhëheqës. Por realiteti është se ne, nuk e kemi gjetur këtë përgjigje. Udhëheqja ka të bëjë me njerëzit dhe njerëzit ndryshojnë çdo ditë. Nëse besojmë se kemi gjetur çelësin universal për njerëzit udhëheqës, ne thjesht e kemi humbur atë. Nëse e lëmë egon tonë të përcaktojë se çfarë të shohim, çfarë të dëgjojmë dhe çfarë të besojmë, ne jemi duke e lejuar suksesin tonë të të shkuarës, të na dëmtojë suksesin tonë në të ardhmen.