Pse sjelljet e suksesshme rrisin suksesin
Artikulli që po sjellim sot, nga Jim Rohn, një prej autorëve dhe folësve më të mëdhenj motivues, ndihmon të kuptojmë më mirë një prej teorive bazë të motivimit, zbatimi i së cilës ju ndihmon jo vetëm të motivoni veten për arritjen e objektivave personalë por edhe në motivimin e punonjësve dhe ekipeve. Për ata që nuk kanë pasur mundësi të marrin dijeni, theksojmë se teoria e përforcimit ka qenë një nga shkollat kryesore të mendimit në motivimin e punonjësve. Motivimi i përsëritjes së sjelljeve të përshtatshme e që sjellin rezultate, dhe, demotivimi i përsëritjes së sjelljeve të papërshtatshme, që pengojnë arritjen e objektivave, është boshti kryesor i kësaj teorie. Përdoreni atë me kujdes dhe rezultatet nuk do të vonojnë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kur bëni të gjitha përpjekjet e mundshme dhe jeni të suksesshëm në arritjet tuaja, ju vazhdoni t’i bëni ato. Suksesi është një nga format më të mira të motivimit. Psikologët e quajnë këtë përforcimi pozitiv. Ne të gjithë kemi njohuri mbi përforcimin pozitiv. Dhe ne e përdorim atë kur stërvisim qenin apo kur mësojmë fëmijët tanë.
Kur merrni në shtëpi një qenush të ri dhe përpiqeni ta mësoni atë që të mos bëj rrëmujë në shtëpi, çfarë bëni? Ju e shpërbleni atë duke e nxjerrë shëtitje ose duke i dhënë ushqimin e tij të preferuar.
Kur jeni duke u përpjekur ta mësoni vogëlushin tuaj që të heqë pelenat, ju çfarë bëni? Ju e shpërbleni atë me dhurata të veçanta. Ju e bëni atë të ndjehet i veçantë, për të mësuar diçka të re.
Kur dëshironi që fëmijët tuaj më të rritur, të hapin librat dhe të studiojnë, ju çfarë bëni? Ju i përgëzoni apo i shpërbleni ata, kur marrin nota të mira. Ju i mësoni atyre se aftësitë e tyre tani po zhvillohen dhe kjo do të ketë efekte pozitive në jetën e tyre, më vonë. Dhe ju e bëni atë duke i shpërblyer ata tani (në këtë moment).
Ky është përforcimi pozitiv: Duke u bërë të ditur se mund të marrin shpërblime nëse bëjnë diçka të mirë, diçka që vlen, diçka me vlerë. Sa më e madhe të jetë vlera, aq më i madh është shpërblimi. Sa më mirë ta bëni diçka, aq më i lartë është shpërblimi. Një pagesë e madhe, një shtëpi e mirë, liri financiare - është gjithçka që lidhet me një sistem shpërblimi.
Ekzistojnë dy përfitime kryesore të përforcimit pozitiv:
1. Përforcimi pozitiv ndërton zakone të mira.
Nëse veprimet apo sjelljet që po praktikoni po e rrisin suksesin tuaj, vazhdoni t'i bëni ato. Suksesi juaj po riafirmon që këto zakone janë të mira. Suksesi juaj ju tregon se duhet të vazhdoni ta bëni atë që jeni duke bërë. Duke i vlerësuar sjelljet që ju çojnë drejt suksesit, ju i përforconi ato. Ju i jepni atyre fuqinë e qëndrimit.
Kjo është një anë tjetër. Duke rishikuar sjelljet apo veprimet tuaja, ju mund të zbuloni se disa prej tyre po e pengojnë suksesin tuaj. Ju mund të zbuloni se ajo që jeni duke bërë çdo ditë, nuk është diçka e mirë për ju, ose mund të kuptoni që keni ndaluar së praktikuari disa sjellje shumë të mira. Dikush mund të thotë: - "Epo, tani unë nuk e bëj ecjen e përditshme". Dakort, por unë mendoj se do të duhet t'i ktheheni zakonit të mëparshëm të ecjes e të sëmureni më pak. Dikush mund të thotë: - "Po, unë kam lexuar libra gjatë gjithë kohës, por tani nuk po lexoj më". Njëherë që e kuptoni që i jeni larguar një zakoni, ju mund ta ndryshoni atë. Mund t'i ktheheni disiplinës. Nëse e kuptoni se keni ndërprerë një sjellje, thjesht kthehuni tek ajo sjellje. Kjo quhet disiplinë.
2. Përforcimi pozitiv krijon energjinë për të nxitur arritje shtesë.
Ju jep mundësinë për të bërë më shumë, jo vetëm që të vazhdoni ta bëni atë që është e drejta dhe e duhura, por ta përsërisni edhe më shumë atë. Të dini se ajo që jeni duke bërë ja vlen, kjo krijon më shumë energji për të vazhduar më tej.
Si është të ngrihesh në mëngjes, kur e dini që nuk po bëni atë që duhet? Nuk është aspak e lehtë! Ju mund të zgjoheni e të vazhdoni të rrini shtrirë në shtrat, duke menduar: Po rri edhe disa minuta më shumë shtrirë. Në fund të fundit nuk ka ndonjë problem. GABIM! Ka rëndësi. Do të ketë rëndësi. Sa e lehtë është të ngriheni në mëngjes me shqetësimin për të shtyrë përpara ëndrrat tuaja? Kjo është një histori krejt tjetër.
Të pushoni për të rigjeneruar energjitë tuaja është shumë më ndryshe sesa të rrini shtrirë për të shmangur ditën tuaj. Kur jeni të shqetësuar dhe të emocionuar për gjërat që doni të realizoni në jetën tuaj, kur jeni të emocionuar për atë që keni planifikuar të realizoni gjatë ditës, është e mahnitshme, se si ju do të zgjoheni shumë përpara se alarmi të bjerë, dhe kjo gjë do t'ju befasojë.
Sukseset e tua nxisin ambicien tuaj. Sukseset e tua ju japin energji të reja shtesë. Sukseset e tua hapin rrugën për më shumë suksese. Njësoj si efekti i topi të borës që duke u rrokullisur mbi borë, bëhet gjithnjë e më i madh. Kur arrini një sukses, ju jeni të entuziazmuar që të arrini një tjetër… dhe një tjetër… dhe një tjetër. Shumë shpejt, disiplinat që ishin kaq të vështira në fillim - tani janë bërë pjesë e filozofisë suaj. Dhe ato vazhdojnë t’ju çojnë përpara.