Blog

Përfitimet e Menaxhimit të Performancës për punonjësit

Përfitimet e Menaxhimit të Performancës për punonjësit

Sot jemi me artikullin e fundit, të kësaj serie artikujsh mbi Menaxhimin e Performancës. Nëse në artikujt e tjerë u trajtua rëndësia e implementimit të Menaxhimit të Performancës në aspektin e biznesit dhe organizatës, autori Pedro Fernandez shpjegon më poshtë atë që menaxhimi i performancës bën për vetë punonjësit. Është e kuptueshme se aplikimit të këtij sistemi, nuk ndikon vetëm në efektivitetit e organizatës, por ai ka një rol motivues dhe zhvillues edhe për punonjësit, sidomos për ata, të cilët kërkojnë të ecin përpara si në aspektin personal edhe atë profesional. Dhe është e qartë se pa njerëz të talentuar dhe të përkushtuar, një biznes është pak më shumë se një ide e shkëlqyer. Që të mos ngelet vetëm një ide, e aq më pak një ide e zbatuar keq, bizneset po përqendrohen gjithnjë e më shumë në menaxhimin e performancës së punonjësve. Urojmë që organizata juaj të jetë mes tyre. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një proces i mirëpërcaktuar i menaxhimit të performancës, i cili bazohet në një shkëmbim informacioni dhe diskutimi të qëndrueshëm e konstruktiv, e ndihmon biznesin tuaj të ruajë dhe zhvillojë talentin e punonjësve të nivelit më të lartë. Së bashku me përcaktimin e qëllimeve dhe objektivave, reagimet e shpeshta i japin mundësi punonjësve që ata e dinë se vlerësohen, gjë që rrit angazhimin dhe performancën e tyre.

Si funksionon menaxhimi i performancës

Menaxhimi i performancës është një mjet i fuqishëm që përmirëson angazhimin e punonjësve përmes komunikimit të vazhdueshëm dhe të hapur. Ai është efektiv, sepse:

  • Identifikon dhe përcakton pritshmëritë
  • Përshtat detyrat e secilit punonjës me objektivat kryesore të biznesit
  • Përcakton qëllimet/objektivat dhe se ku duhet të përqendrohet zhvillimi i aftësive
  • Njeh arritjet dhe njëkohësisht përcakton fushat që kanë nevojë për përmirësim
  • Rishikon rregullisht rezultatet.

Menaxhimi i performancës funksionon shumë mirë sepse është një proces më i gjerë dhe më shterues krahasuar me vlerësimet tradicionale vjetore, të cilat priren të përqendrohen në fushat që duhet të përmirësojë një punonjës. Kur punonjësit dëgjojnë vetëm se ku kanë "dështuar", është e kuptueshme se kjo rezulton në zhgënjim dhe shuarje të entuziazmit.

Përfitimet e menaxhimit të performancës për punonjësit

Korporatat e mëdha si Amazon, Deloitte dhe Google i kanë zëvendësuar të gjitha vlerësimet e tyre vjetore me një qasje të menaxhimit të performancës dhe bizneset e vogla dhe të mesme janë zgjuar për t'u bashkuar në këtë pikë, me ta. Përcaktimi dhe vendosja e synimeve të qarta në menaxhimin e performancës, jo vetëm që kursen kohë dhe pará, por gjithashtu i ndihmon punonjësit, të cilët preferojnë të marrin reagime të dobishme, në kohë reale.

Punonjësit tuaj janë çelësi i suksesit të kompanisë suaj. Kur menaxherët dhe punonjësit komunikojnë rregullisht, me sinqeritet dhe ndershmëri, punonjësit fitojnë qartësi në qëllimet dhe pritshmëritë e menaxhmentit. Kjo ndihmon gjithashtu në tejkalimin e dy sfidave më të mëdha, me të cilat përballen të gjitha kompanitë: nivelet e mbajtjes së punonjësve dhe nivelet e angazhimit të tyre. Përfitimet e menaxhimit të performancës janë edhe të gjëra, kryesisht në drejtime si:

  • Menaxherët kalojnë më pak kohë për të menaxhuar punonjësit
  • Punonjësit gëzojnë një autonomi më të madhe
  • Keqkuptimet zvogëlohen, dhe po kështu, edhe konfuzioni zvogëlohet.

Analogjia sportive

Bota e biznesit shpesh e krahason veten me garat sportive. Shikoni shprehjet: një fushatë "shkatërruese ", "mbrojtje agresive" dhe madje edhe " goditje në momentin e fundit". Çojeni paralelizimin një hap më tej dhe imagjinoni biznesin tuaj si një ekip sportiv. A do t'i lejonit lojtarët tuaj të dilnin në fushë ose të hynin në garë pa ndonjë vlerësim mbi performancën e tyre të fundit? A do të prisnit një vit, për t'i thënë një tenisteje se si ajo ta përmirësojë ritmin e saj, ose një lojtari basketbolli se si ai duhet t’i vejë në funksionim aftësitë e tij në fushë?

Menaxhimi i performancës përqendrohet gjatë gjithë vitit, në komunikimin dhe përcaktimin/realizimin e qëllimeve dhe objektivave, duke e bërë më të lehtë identifikimin e çështjeve të vogla, që mund të korrigjohen, përpara se ato të bëhen probleme të mëdha. Produktiviteti më i lartë dhe administrimi i sa më pak krizave ju lejon të përqendroheni në fushat që ndikojnë në rezultatin tuaj përfundimtar: disiplinën dhe veprimet me pagat, vendimet për mbajtjen ose largimin e punonjësve, si dhe të përcaktoni se çfarë trajnimi është i nevojshëm.

Kur punonjësit e kuptojnë se menaxhimi i performancës ka për qëllim të ndihmojë zhvillimin e tyre në punë dhe t'u japë atyre më shumë kontroll mbi përparimin e tyre në karrierë, ata ndjehen të fuqizuar dhe të angazhuar. Për biznesin tuaj kjo përkthehet në rritjen e performancës dhe një rezultat përfundimtar më të fuqishëm.