Çfarë është Menaxhimi i Performancës?
Sot po fillojmë një cikël të shkurtër artikujsh, me anë të të cilëve, në tërësinë e tyre, do të përpiqemi të japim një informacion të zgjeruar mbi Menaxhimin e Performancës. Në biznese të ndryshme, në rastet e konsulencave, me qëllim përmirësimin e produktivitetit të punonjësve dhe të kompanisë, në fazën e vlerësimit dhe diagnostifikimit, vërejmë se një pjesë e mirë e produktivitetit preket nga performanca e ulët e punonjësve, e lidhur kjo me nivelin e dobët të angazhimit dhe motivimit, mungesën e objektivave dhe pritshmërive, mungesën e planeve të zhvillimit dhe trajnimit të punonjësve, mungesën e planeve për zhvillimin e karrierës, komunikim i dobët ose i pamjaftueshëm, niveli i ulët i delegimit, dhe në fund, mungesa e një plani nxitës kompensimi. Urojmë që të mos jetë ky rasti në organizatën tuaj. Përndryshe, lexoni në vazhdim artikullin e Gregg Greenberg dhe mendoni seriozisht rreth sistemit tuaj të Menaxhimit të Performancës. Shpejt a vonë, kjo është rruga. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Biznesi juaj po rritet me shpejtësi, dhe është koha të mendoni për zbatimin ose rinovimin e procesit tuaj të Menaxhimit të Performancës, që do të krijojë një përvojë të jashtëzakonshme për punonjësit, dhe, do të ndihmojë në ecjen përpara të biznesit tuaj.
Punonjësit tuaj janë aseti juaj më i vlefshëm, për të ndihmuar biznesin tuaj të rritet. Atëherë, çfarë mund të bëni për të angazhuar talentet tuaja më të mirë, t'i ndihmoni ata të punojnë më me zgjuarsi dhe të jenë më produktivë? Si mund të ndihmojë Menaxhimi i Performancës?
Po çfarë është Menaxhimi i Performancës?
Menaxhimi i Performancës është më shumë sesa një përmbledhje vjetore e performancës. Ai është një proces i vazhdueshëm, që zhvillohet gjatë gjithë vitit, kur menaxherët dhe punonjësit tuaj punojnë së bashku për të planifikuar, ndjekur dhe rishikuar objektivat e karrierës së punonjësve, objektivat e punës dhe kontributet e tyre për kompaninë tuaj. Një proces efektiv i menaxhimit të performancës siguron që punonjësit tuaj të marrin trainimin e vazhdueshëm, reagimet dhe zhvillimin që u nevojitet, për të pasur sukses në rolet e tyre dhe për të dhënë rezultatet që juve ju nevojiten, për të rritur biznesin tuaj.
Pse ka rëndësi Menaxhimi i Performancës
Nëse pyesni miqtë, familjen ose bashkëpunëtorët tuaj për menaxhimin e performancës, shanset janë që ata do t'ju tregojnë se sa frikë e kanë ata procesin, ose, se sa i kotë është ai. Nëse ky është rasti juaj, atëherë pse duhet që biznesi juaj të investojë në një proces të menaxhimit të performancës?
Një proces efektiv i menaxhimit të performancës mund t'ju ndihmojë të zhbllokoni potencialin e plotë të talenteve tuaj dhe ta ktheni biznesin tuaj, sado të vogël, në një kërcënim të madh për konkurrentët tuaj më të mëdhenj. Këtu janë 5 arsye, pse menaxhimi i performancës ka rëndësi dhe si mund të përmirësojë rezultatin, në bilancin tuaj:
1. Drejton objektivat strategjike
Një proces i dizajnuar mirë i menaxhimit të performancës, ndihmon punonjësit tuaj të kuptojnë sesi puna e tyre kontribuon në suksesin e përgjithshëm të strategjisë dhe objektivave të kompanisë tuaj. Kjo lidhje siguron që punonjësit tuaj të dinë se çfarë pritet prej tyre, dhe kjo t'i mbajë ata të përqendruar në aktivitetet më me ndikim, e që ofrojnë vlerë reale për biznesin tuaj.
2. Nxit zhvillimin e punonjësve
Menaxhimi i performancës siguron që punonjësit tuaj të zhvillojnë vazhdimisht qëndrimin dhe aftësitë e tyre, dhe të kenë njohuritë dhe përvojën e nevojshme, për të ofruar performancën dhe suksesin më të lartë, për biznesin tuaj, si sot dhe nesër.
3. Angazhon punonjësit tuaj
Zhvillimi i vazhdueshëm i punonjësve fuqizon punonjësit tuaj të marrin pozita drejtuese për performancën e tyre dhe avancimin e karrierës, ndërkohë që kontribuojnë në suksesin e përgjithshëm të biznesit tuaj. Rezultati i biznesit tuaj me punonjës të angazhuar është në një nivel më të lartë e po kështu edhe niveli i kënaqësisë dhe mbajtjes së punonjësve, që do të thotë, se punonjësit tuaj janë më të lumtur, më të motivuar për të punuar më shumë dhe se ka më pak të ngjarë, që ata të largohen nga kompania juaj për të shkuar tek konkurrenca juaj.
4. Inkurajon biseda lidhur me performancën, shkëmbime informacioni dhe njohje
Një proces efektiv i menaxhimit të performancës inkurajon menaxherët dhe punonjësit tuaj që të zhvillojnë biseda të rregullta në vazhdim për objektivat dhe pritshmëritë, arritjet dhe sfidat, si dhe nevojat e zhvillimit. Kjo siguron që punonjësit tuaj të marrin përshtypjet, informacionin dhe njohjen e nevojshme për të vazhduar që të përmirësohen dhe të kenë sukses.
5. Përmirëson rezultatin financiar
Kur ta keni kryer siç duhet, menaxhimi i performancës ju ndihmon të rrisni produktivitetin e punonjësve, të përmirësoni angazhimin e tyre dhe të zvogëloni qarkullimin, gjë që në fund të fundit ul kostot tuaja dhe përmirëson rezultatin tuaj përfundimtar.