Ndryshimi, midis atyre që vendosin Objektiva, dhe atyre që nuk e bëjnë këtë
Kthim në “bazat elementare” mund të quhet ky artikull i shkurtër, me autor Brian Tracy. Vendosja e objektivave/qëllimeve, gjetja e rrugëve/mënyrave dhe burimeve, hartimi i një plani për realizimin e tij dhe ndërmarrja e veprimeve ditore për zbatimin e planit, deri në realizimin e plotë të tij, është një nga çështjet më të trajtuara nga autorë të ndryshëm, në mbarë botë. Por kthimi tek elementët fillestarë, gjithmonë ka rëndësi, e sidomos për objektivat, pasi pavarësisht se sa shumë e fort punoni, nëse nuk synoni drejtimin e duhur, atëherë të gjitha përpjekjet tuaja mund t'ju çojnë në destinacionin e gabuar, e madje më shpejt nga sa mund ta mendoni. Mënjanoni zhgënjimin. Lexim të këndshëm.
* * * * *
Vendosja e objektivave apo qëllimeve ka qenë një nga gurthemelet kryesore të rrugëtimit tim personal të suksesit.
Aftësia për të vendosur dhe arritur një objektiv, përmes përqendrimit sistematik dhe realizimit, është mënyra më e fuqishme për t'i kthyer ëndrrat dhe vizionet tuaja në realitet.
Siç them gjithmonë, njerëzit me objektiva të qarta, të shkruara, arrijnë shumë më tepër, e në një periudhë më të shkurtër kohore, sa njerëzit pa to, nuk mund ta imagjinonin ndonjëherë.
Gjatë gjithë jetës sime, unë kam hasur në shumë njerëz që nuk arrijnë të bëjnë të tyren idenë e përcaktimit të objektivit. Ata këmbëngulin se thjesht mjafton të kenë një ide në kokën e tyre, se ku ata dëshirojnë të shkojnë, dhe ata do të jenë në gjendje të arrijnë atje, pa ndonjë problem.
Për t'iu drejtuar atyre që dyshojnë në fuqinë e përcaktimit të objektivit, unë do të paraqes një krahasim të dy personave, e që të dy duan të njëjtën gjë. Njëri prej tyre është përcaktues i objektivit, e tjetri jo.
Përcaktuesi i Objektivit krahasuar me Jopërcaktuesin e Objektivit
Imagjinoni këtë skenar. Janë 2 persona, që të dy duan të bëjnë pushime gjatë verës, në destinacionin e tyre të ëndrrave.
Skenari i vendosjes së Objektivit
Përcaktuesi ynë, do ta quajmë Xhon, vendos që do të marrë pushime. Ai ulet dhe shkruan: “Do t’i bëj pushimet në Qershorin e ardhshëm”.
Ai pastaj shkruan 20 mënyra se si mund të ulë shpenzimet, për ta bërë këtë që të ndodhë.
Ai e vret mendjen për zgjidhje të ndryshme, të tilla si: ulja e blerjeve në dyqanet e tij, duke kursyer 50 dollarë në javë dhe duke ulur numrin e rasteve që blen drekë në punë, në vetëm 2 herë në javë.
Nga llogaritjet e tij, Xhon tani e di se do të kursejë 300 dollarë shtesë në muaj. Për të marrë pushimet e tij gjatë verës, Xhonit i duhen afro 1.200 dollarë. Kështu që ai do të duhet ta bëjë këtë për 4 muaj, në mënyrë që të kursejë atë shumë, e cila është e mjaftueshme dhe në momentin e duhur, për udhëtimin e tij në Qershor, në një ishull tropikal.
I kënaqur me rezultatet e tij, Xhoni fillon të ekzekutojë planin e tij.
Skenari pa vendosje Objektivi
Tani le të hedhim një vështrim tek personi tjetër, që nuk vendos objektiva. Do ta quajmë Xhim. Xhimi, ndryshe nga Xhoni, nuk i pëlqen t’i planifikojë gjërat. Ai ka ide të mëdha dhe ëndrra të mëdha, por nuk e ndjen se ka kohën, për të caktuar një plan të saktë se si t'i arrijë ato. Edhe ai dëshiron të bëjë pushime këtë verë.
Xhimi mendon për vendet që dëshiron të vizitojë, bën një shënim në mendjen e tij, për të zvogëluar shpenzimet në fusha të caktuara të jetës së tij, por kryesisht vazhdon të jetojë në të njëjtën mënyrë edhe për muajt e ardhshëm.
Çfarë i ndodh secilit person
Le ta çojmë 4 muaj përpara këtë histori, në të ardhmen. Është fillimi i pranverës dhe Xhoni e Xhimi fillojnë të merren seriozisht me planet e tyre të pushimeve.
Xhoni i hedh një vështrim kursimeve të tij dhe ka mjaftueshëm pará, për një biletë udhëtimi, një qëndrim 3-netë në një vendpushim dhe mjaft pará shtesë për ekskursione dhe ushqime. Xhimi, nga ana tjetër, ka pará mjaftueshëm për një biletë, mbase 1 natë në një hotel, dhe do të duhet të zgjedhë me shumë mençuri midis ngrënies dhe pjesëmarrjes në aktivitete.
Tani, nuk kam pse t'ju them se kush duket se ka planifikuar një pushim më të mirë.
Kjo histori është një shembull shumë i qartë i dallimit midis njerëzve që vendosin objektiva dhe njerëzve që nuk e bëjnë këtë.
Pse është i rëndësishëm përcaktimi i Objektivit / Qëllimit
Ata midis nesh, që përcaktojnë objektiva janë në gjendje të bëjnë një plan të saktë se si të arrijnë nga aty ku janë, në atje ku do të duan të jenë. Ne mund të vizualizojmë situatën tonë ideale dhe të ndërmarrim veprime, se si ta bëjmë atë të ndodhë. Kjo bën që të arrijmë gjërat që duam, më lehtë nga sa e kemi menduar ndonjëherë, që është e mundur.
Pasi të kalojmë kohën fillestare në “shtrydhjen” e trurit dhe të planifikojmë, gjithçka që duhet të bëjmë është të qëndrojmë në atë rrugë, dhe ne, do ta përfundojmë me rezultatin që duam, ose diçka më të mirë.
Fatkeqësisht për ata prej nesh, që nuk kushtojnë kohë për të krijuar dhe vendosur objektiva, planet kurrë nuk materializohen plotësisht dhe rruga drejt suksesit është e errët, konfuze dhe e vështirë për t'u përmirësuar.