10 Veprime të thjeshta për të rritur Qëndrimin Pozitiv
Javën e kaluar, në një trajnim lidhur me Qëndrimin PO!-zitiv, i sugjerova pjesëmarrësve që nëse duan të mësojnë më shumë rreth temës, ndërmjet të tjerave mund të kërkojnë në rreth 170 artikujt që ProspecTime ka publikuar deri tani, ku do të mund të gjenin edhe shumë ide të reja. Sot po i shtojmë kësaj buqete edhe artikullin e Megan Wycklendt, me idetë e saj, për ndërmarrjen e 10 veprimeve të thjeshta, që nëse përvetësohen dhe zbatohen vazhdimisht në praktikë, do të ndikojnë fort në përsosjen e qëndrimit tuaj pozitiv. Me besimin se edhe nëse, në momente të caktuara, zgjidhjet tuaja janë të kufizuara, zgjedhja juaj lidhur me qëndrimin tuaj, nuk është e tillë - Ju gjithmonë do zgjidhni Qëndrimin Pozitiv. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Jeta jonë është një reflektim i qëndrimit tonë. Pa e vënë re, lehtësisht mund të bëhemi negativë dhe cinike ndaj botës, pasi jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj tragjedive dhe padrejtësive në media, dhe sepse, përjetojmë dhimbjen dhe shqetësimin tonë.
Qëndrimi negativ, jo vetëm që ju pengon të shijoni plotësisht jetën tuaj, por ai mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në mjedisin tuaj. Energjia që një person sjell me vete është ngjitëse. Një nga gjërat më të mira që mund t'i ofroni familjes, organizatës ose komunitetit tuaj është qëndrimi juaj pozitiv.
Dikush ka lënë një thënie të mençur, "Nëse doni ta bëni botën një vend më të mirë, shikoni tek vetja dhe bëni një ndryshim". Si krijesa me huqe, duke bërë ndryshime të vogla në jetën dhe mendimet tuaja të përditshme, mund të formoni zakone pozitive, për të bërë më të lumtur veten, dhe të gjithë ata me të cilët bashkëveproni. Këtu është një listë me 10 zakone, që mund të kthejnë një vështrim të zymtë në një qëndrim optimist, pa ndonjë mundim të madh.
1. Mbani një ditar mirënjohje.
Ndonjëherë, një ngjarje e vetme, mund të rrënojë një ditë të tërë dhe një ndërveprim ose përvojë e pakëndshme gjatë natës, mund të errësojë pjesët e këndshme të ditës sonë. Me këtë ndërgjegjësim, se mendja jonë ka tendencë të kapet pas negatives, mund të përqendrohemi qëllimisht në pjesët e mira të ditës sonë, për të kompensuar këtë çekuilibër. Provoni të shkruani çdo ditë 5 gjëra, për të cilat ndiheni mirënjohës dhe do shikoni se si ndryshon qëndrimi juaj. Shkenca ka zbuluar se mirënjohja mund të rrisë ndjeshëm lumturinë tuaj dhe t'ju mbrojë nga stresi, negativiteti, ankthi dhe depresioni.
2. Rimendoni sfidat tuaja.
Nuk ka rrugë pa krye, vetëm drejtime të reja. Edhe pse mund të përpiqemi, ka shumë pak gjëra në jetë, mbi të cilat ne kemi kontroll të plotë. Ne nuk duhet të lejojmë, që ngjarjet e jashtme e të pakontrollueshme, të na ndikojnë në brendësi të vetes tonë. Ajo që ne mund të kontrollojmë janë përpjekjet që ne bëjmë, dhe kur i bëjmë ato plotësisht, nuk ka arsye për keqardhje. Kënaquni me sfidat, trajtojini ato si aventura në vend që të përpiqeni t'i rezistoni një eksperience për rritje. "Ndonjëherë fiton dhe nganjëherë mëson" - thotë Robert Kiyosaki.
3. Merrni më të mirën nga refuzimi.
Refuzimi është një aftësi. Trajtojeni çdo thyerje zemre ose dështimin në intervistat e punës si praktikë, sepse askush nuk mund t'i "rrëshqasë" kësaj jete pa u refuzuar. Mos e mbani mendjen aty dhe mos prisni më të keqen. Nëse prisni që të ndodhin gjëra të këqija, shanset janë se do të ndodhin, ose ju do të ngecni tek e keqja, në mes të shumë gjërave të mira që keni humbur përgjatë rrugës. Kur ka krisje në zemrën tënde, ato e lënë diellin të hyjë.
4. Përdorni fjalë pozitive për të përshkruar jetën tuaj.
Fjalët që përdorim kanë më shumë fuqi sesa mendojmë. Ashtu si flisni për jetën tuaj, ashtu jeta juaj do të jetë. Mendja juaj dëgjon atë që thoni. Nëse e përshkruani jetën tuaj si të mërzitshme, të ngarkuar, të zakonshme, kaotike, kështu do ta kuptoni dhe kështu do t'i ndjeni efektet në trupin dhe mendjen tuaj. Nëse përdorni fjalë të thjeshta, të këndshme, të njohura ose plot jetë, ju do ta shihni jetën tuaj në një këndvështrim krejt tjetër dhe do të gjeni më shumë kënaqësi, në mënyrën që keni zgjedhur për të formësuar jetën tuaj.
Një studim (në SHBA) sugjeron që të kesh një qëndrim pozitiv jo vetëm ka një efekt të drejtpërdrejtë në lumturinë tuaj, por gjithashtu lidhet edhe me të ardhurat tuaja.
5. Zëvendësoni fjalën Duhet me Kam.
A e keni vënë re ndonjëherë se sa herë themi se “duhet” të bëjmë diçka? Duhet të shkoj në punë. Duhet të shkoj të bëj pazarin. Duhet të paguaj qiranë. Tani ndryshoni këtë fjalë të vogël "duhet", me "kam" dhe shikoni se çfarë ndodh. Kam për të shkuar në punë. Kam për të bërë pazarin. Bile edhe, kam për të paguar qiranë. Qëndrimi juaj shpejt ndryshon nga nevoja për të përmbushur detyrimet, tek të qenit mirënjohës për gjërat që jeni mësuar të keni: një punë për të mbështetur ty dhe familjen tënde, ushqimin në tryezë dhe një çati mbi kokën tënde. Mundohuni ta bëni këtë ndryshim, kur mendoni për veten tuaj dhe mund të ndiheni dhe dukeni më të lumtur, dhe, më pak të stresuar.
6. Mos lejoni që të tërhiqeni nga ankesat e njerëzve të tjerë.
Dita juaj ka filluar shumë mirë, ju sapo keni arritur në punë, por kolegët tuaj nuk ndalojnë ankesat për motin e ftohtë. Ju në të vërtetë nuk po e mendonit këtë, përpara se ata ta shtinin atë në mendjen tuaj, dhe tani ju e gjeni veten duke rënë dakord dhe duke u bashkuar në fest-ankesën, se sa keq ndjeheni prej këtij moti të ftohtë. Pas një muaji, ju do të dëgjoni ankesa se pse është shumë ngrohtë. Mos bini në kurth. Një studim i kryer në Shkollën e Psikologjisë Sociale të Varshavës, tregon se ankimi çon në disponim më të ulët dhe në emocione negative, ul kënaqësinë e jetës dhe optimizmin, dhe krijon deficite emocionale dhe motivuese. Gjithashtu, ju do të vini re se kolegët tuaj do të ankohen më pak, nëse dikush tjetër nuk i mbështet ata në të njëjtën ankesë.
7. Merrni frymë.
Frymëmarrja jonë lidhet drejtpërdrejt me emocionet tona. A e keni vënë re, se ne e mbajmë frymën ndonjëherë kur përqendrohemi në diçka? A mund ta ndjeni ndryshimin e frymëmarrjes kur jeni i zemëruar apo i shqetësuar? Frymëmarrja jonë ndryshon në varësi të asaj se si ndihemi. Lajm i mirë është se lidhja shkon edhe në anën tjetër. Mund të ndryshojmë mënyrën se si ndihemi, duke përdorur frymëmarrjen tonë!
8. Vini re të drejtët, në kohën e tragjedive.
Është e vështirë të kesh shpresë dhe të qëndrosh pozitiv, kur urrejtja dhe dhuna janë në të gjithë mediat. Ajo që nuk shohim aq shumë, është se në çdo rast të fatkeqësive natyrore, të luftrave, të përvojave traumatike, do të gjeni njerëz që ngrihen, që arrijnë tek njëri-tjetri dhe tregojnë dhembshuri dhe dashuri të pamasë. Mbështetuni tek tregimet dhe vetëmohimi i heronjve të ditëve të sotme, në momentet e frikës dhe shkatërrimit.
9. Gjeni zgjidhje, kur nxirrni në pah probleme.
Të qenit pozitiv nuk do të thotë që ju duhet të jeni të pavëmendshëm ndaj problemeve. Njerëzit pozitivë kanë kritika konstruktive për të përmirësuar kushtet. Nëse do të nxjerrësh në pah problemet e njerëzve të tjerë ose situatave, bëni po aq shumë përpjekje, për të sugjeruar zgjidhje. Në vend që vetëm të tregoni të gjitha difektet e gjërave, përpiquni që të ofroni edhe mënyrat, për t'i bërë ato më të mira.
10. Bëni dikë tjetër të buzëqeshë.
Për kë mendoni shumicën e kohës? Nëse do përgjigjeni me ndershmëri, shumica prej nesh do të thonin - për veten. Është mirë të jemi përgjegjës, të marrim përgjegjësinë për rolet tona në jetë, higjienën, ushqimin, etj. por vendosni edhe një qëllim tjetër, që çdo ditë ta bëni dikë tjetër të buzëqeshë. Mendoni për lumturinë e dikujt tjetër dhe kjo do na ndihmojë të kuptojmë ndikimin tonë të madh, që qëndrimi dhe shprehja jonë ka tek njerëzit rreth nesh.