5 Disiplinat e panegociueshme të njerëzve të suksesshëm
Njerëz me arritje të larta janë të pranishëm pothuajse në çdo organizatë, dhe, në një mënyrë ose një tjetër, ata dallojnë nga gjithë të tjerët. Ata mund të dallohen nga sjelljet, qëndrimi ndaj organizatës dhe detyrës, komunikimi dhe të menduarit, si dhe cilësi të tjera të spikatura. Por kur flasim për njerëzit e suksesshëm, natyrisht që vetëdisiplina është një prej faktorëve esencialë që i karakterizon pothuajse të gjithë. Kjo gjë është vënë re edhe nga Patrick Allmond, autori i artikullit këtu më poshtë, e ku ai veçon pesë disiplinat kryesore, pa të cilat ndoshta suksesi vihet në diskutim. Duke ditur se ju doni të bëheni versioni më i mirë i vetes tuaj, po e mbyllim parathënien e artikullit me shprehjen e Dennis Prager: - “Lumturia është e varur nga vetëdisiplina. Ne jemi pengesa më e madhe për lumturinë tonë. Është shumë më e lehtë të bësh luftë me shoqërinë dhe të tjerët, sesa të luftojmë me natyrën tonë”. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ndërprerjet, në kryerjen e detyrave të ditës, janë të pashmangshme. Duke vepruar nën frikën e humbjes së diçkaje, ne i lejojmë sinjalet zanore dhe dridhjet e pajisjeve elektronike që të na ndërhyjnë, për të na siguruar që ne jemi të lidhur, dhe me nënkuptim i themi vetes se kjo lidhje e vazhdueshme nuk ka ndikim në sasinë e punëve që mund të realizojmë. Por, në realitet, ne jemi kaq shumë të bombarduar me zhurma nga jashtë, sa bëhet e pamundur që t’i shmangim - dhe ndërkohë, produktiviteti ynë vuan, për shkak të tij.
Duhet një përpjekje e vërtetë, një zgjedhje e ndërgjegjshme, për t'u ndarë nga kjo mënyrë të menduari. Por kur të pranoni dhe praktikoni disiplinat e njerëzve të suksesshëm, ju do të jeni të paisur me aftësinë për të vendosur objektiva dhe për t'i arritur ato, pa humbur fokusin ose drejtimin.
1. Disiplina e Besimit
Shumica prej nesh mendojnë që të bëjnë gjëra të mëdha. Dallimi mes personit mesatar dhe atyre me arritje të larta është angazhimi për të besuar - sepse të pasurit e një besimi të pakufizuar, që jeni në gjendje të bëni diçka, është hapi i parë për ta arritur atë.
Më pëlqen mënyra se si Will Smith e shpreh këtë: "Të bërit e një zgjedhje ka një fuqi shpenguese. Vendosni se çfarë do të jeni, kush do të jeni dhe pastaj se si do ta arrini atë. Prej këtij momenti, universi do të hapë rrugën tuaj".
Kur jeni të bindur, dhe me të vërtetë angazhoheni për një zgjedhje, atëherë çdo gjë tjetër do të shkojë në vendin e duhur, për të bërë që ajo të ndodhë për ju. Vendimet tuaja do të udhëhiqen nga mentaliteti juaj.
2. Disiplina e Mënjanimit të ndërprerjeve
Bota rreth jush është e strukturuar që t'ju ndërpresë. Nëse ju vuani të fokusoheni, ju jeni duke luftuar një betejë të humbur, që nga momenti kur zgjoheni. Nëse normalisht jeni një person i fokusuar, por nuk e kontrolloni mjedisin tuaj, atëherë dita juaj do të jetë një sërë ndërprerjesh. Për të luftuar këtë, ju duhet të fikni gjithçka që mund të tërheqë vëmendjen tuaj. Çdo gjë.
Telefoni im kurrë nuk bën zhurmë dhe shumicën e kohës e mbaj atë me ekranin poshtë, në mënyrë që të mos mund ta shikoj dritën e ekranit, dhe, edhe kur instaloj aplikacione të reja, i ç'aktivizoj njoftimet. Dhe pikërisht kështu e dua. Kam jetuar një jetë të mrekullueshme edhe para mesazheve me tekst, dhe jeta do të vazhdojë edhe nëse do të më mungojnë tani.
Mësoni të jeni të kënaqur me heshtjen dhe fokusin. Cilësia e punës tuaj do të rritet në mënyrë drastike, ju do të jeni më produktiv dhe thellësia e të menduarit tuaj do të rritet, sepse do të keni periudha të gjata për t'ju kushtuar mendimeve tuaja.
3. Disiplina e Menaxhimit të kohës
Disa mund të thonë se menaxhimi i kohës është një mit, sepse nuk mund të keni kontroll mbi kohën - ajo ecën, me ose pa ju. Unë nuk e kundërshtoj këtë. Por ju duhet të konsideroni sasinë e kufizuar të kohës, që ju duhet të bëni diçka. Unë e di se kur jeni ulur në tavolinë, duke punuar mbi një projekt gjatë gjithë ditës, tetë orë mund t'ju duken si 100.
Shumica e njerëzve e ndërtojnë jetën e tyre në atë mënyrë që duan të arrijnë gjithçka tjetër, përpara se të hyjnë në gjërat e këndshme. Unë do të propozoja diçka të çmendur për ju - Filloni me gjërat argëtuese. Planifikojini ato në mënyrë të përsëritur dhe punoni me gjërat e përditshme në intervalet ndërmjet tyre.
Unë i vendos detyrat e mia me prioritet të lartë, si takime të përsëritura javore. "Takimet" nuk janë me askënd, por vetëm me mua, dhe askush nuk do t'ja dijë nëse i humbas. Koha ime e ushtrimeve fizike është planifikuar tri ditë në javë, në orën 6 të mëngjesit. Për shkak se shëndeti është një prioritet për mua, unë i kam vendosur në mendjen time, si gjëra të panegociueshme. Kur ai moment i ditës vjen, unë ndaloj gjithçka, ndërrohem dhe shkoj në palestër. Çdo punë ose detyrë tjetër do të jetë aty kur të kthehem.
Filloni të bëni të njëjtën gjë, në kalendarin tuaj. Mund të jetë diçka si: të shkruarit e një libri, kalimi i disa momenteve me njerëzit e dashur, praktikimi në piano ose mësimi i një gjuhe të re programimi. Askush nuk do t'ju trokasë në derë dhe do t'ju shtyjë ta bëni atë. Kjo duhet të vijë nga ju. Bëhuni koprac me kohën tuaj. Mbrojeni atë.
4. Disiplina e Shëndetit
Nëse trupi juaj nuk është i aftë për të trajtuar qëllimet tuaja, ju do të jeni të lodhur fizikisht dhe mendërisht.
Për të mbajtur veten të shëndetshëm dhe të gatshëm për të arritur qëllimet tuaja, duhet të caktoni një kohë të rregullt dhe të përsëritur në kalendarin tuaj, për t'u kujdesur për trupin tuaj, siç bëj unë, me kohën e palestrës. Idealisht kjo duhet të jetë shumë herë në javë dhe duhet të jetë e panegociueshme. Ushtrimet fizike, të bëra në mënyrë korrekte, ushtrojnë muskujt, zemrën dhe mushkëritë tuaja, për t'i bërë ballë niveleve më të larta të stresit. Pra, nëse trupi juaj është ushtruar ndaj stresit në stërvitjen e rregullt, kjo do ta bëjë më të lehtë menaxhimin e stresit në fusha të tjera të jetës suaj.
Sa më mirë që të jeni në menaxhimin e stresit dhe energjive, aq më mirë do të jeni në arritjen e objektivave, që keni vendosur për veten.
5. Disiplina e Paditurisë
Padituria është mishërim i fokusimit. Ju nuk mund të dini gjithçka, dhe, në fakt, nuk keni nevojë ta bëni këtë. Pasi të jeni të vetëdijshëm të jetoni duke mos ditur gjithçka, gjërat që ju zgjidhni t'i kushtoni vëmendje, do të marrin më shumë vëmendjen tuaj, dhe ju do të prodhoni rezultate më të mira.
Nëse doni të arrini një nivel më të lartë aftësish, në çdo sipërmarrje në jetën tuaj, përdoreni këtë listë, në mënyrë që t'ju ndihmojë për të filluar udhëtimin tuaj, atë të të qenit më i disiplinuar.