Çelësi për të arritur gjithçka që dëshironi? DISIPLINA
Dikush ka thënë se arsyeja kryesore pse njerëzit nuk janë aty ku duan të jenë, në aspektin financiar, fizik apo emocional, është "dëshira" e tyre për të pranuar justifikimet e veta. E ndërsa mund të jeni duke pyetur veten se pse gjërat nuk po ju ecin si duhet dhe pse nuk jeni aq të suksesshëm sa keni menduar, mendoni rreth asaj që Jim Rohn na parashtron në artikullin më poshtë. A është disiplina juaj në nivelin e duhur? A keni vendosur objektiva dhe qëllime të qarta dhe po punoni me vetëdije për realizimin e tyre? Apo tundoheni për të ndjekur rrugën më të lehtë e më të shkurtër? Një reflektim gjithmonë ka vlerë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Për çdo përpjekje të disiplinuar, ka shpërblime të shumta. Kjo është një nga rregullimet e mëdha të jetës. Nëse mbillni mirë, do të korrni mirë. Jeta është plot me ligje që rregullojnë dhe shpjegojnë sjelljet, por ligji i mbjelljeve dhe korrjeve mund të jetë ligji më i rëndësishëm që duhet të kuptojmë: Për çdo përpjekje të disiplinuar, ka shpërblime të shumta.
Çfarë koncepti! Nëse e bëni shërbimin tuaj të veçantë, atëherë shpërblimi juaj do të shumëfishohet. Nëse jeni të drejtë, të ndershëm dhe të durueshëm me të tjerët, atëherë shpërblimi juaj do të shumëfishohet. Nëse jepni më shumë nga sa prisni të merrni, shpërblimi juaj do të jetë më i madh nga sa prisni. Por mbani mend: Fjala kryesore këtu, siç mund ta imagjinoni, është disiplina.
Çdo gjë që ja vlen kërkon kujdes, vëmendje dhe disiplinë. Mendimet tona kërkojnë disiplinë. Duhet të përcaktojmë vazhdimisht kufijtë e brendshëm dhe kodet tona të sjelljes, ose përndryshe mendimet tona do të jenë konfuze. Dhe nëse mendimet tona janë konfuze, ne do të humbim të pashpresë në labirintin e jetës. Mendimet konfuze prodhojnë rezultate konfuze.
Mbani mend ligjin: Për çdo përpjekje të disiplinuar, ka shpërblime të shumta. Mësoni disiplinën e shkrimit të një mesazhi ose të një letre për një shok. Mësoni disiplinën për të paguar faturat në kohë, ose për të arritur në kohë në takime, ose për të përdorur kohën tuaj, në mënyrë më efikase. Mësoni disiplinën e vëmendjes, pagimin e taksave ose pagimin e vetvetes. Mësoni disiplinën e mbajtjes së takimeve të rregullta me bashkëpunëtorët tuaj, ose bashkëshortin, ose fëmijën, ose prindin tuaj. Mësoni disiplinën e të mësuarit të çdo gjëje që mund të mësoni - për vete dhe ndaj të tjerëve, ose, të leximit të gjithçkaje që mund të lexoni.
Për çdo disiplinë - shpërblime të shumta, për çdo libër - njohuri të reja, për çdo sukses - ambicie të reja, për çdo sfidë - një mënyrë e re të kuptuari, për çdo dështim - një vendosmëri e re. Jeta është kështu. Edhe përvojat e këqija të jetës e japin kontributin e tyre të veçantë. Por këtu edhe një fjalë paralajmëruese, për ata që lënë pas dore nevojën për kujdes dhe vëmendje në disiplinat e jetës: Gjithçka ka çmimin e saj. Një gjë ndikon në diçka tjetër. Neglizhojeni disiplinën, dhe do të keni një çmim për të paguar. Të gjitha gjërat me vlerë mund të merren si të mirëqena me kalimin e kohës.
Kjo është ajo që ne e quajmë Ligji i Familjaritetit. Pa disiplinën, që duhet t'i kushtohet një vëmendjen e përditshme, ne i marrim gjërat si të mirëqena. Por bëhuni seriozë. Jeta nuk është një seancë trajnimi.
Mendoni për jetën tuaj në këtë moment. Cilat fusha kanë nevojë për vëmendjen tuaj tani? Ndoshta keni pasur një mosmarrëveshje me dikë që ju e doni, ose me dikë që ju do, por zemërimi juaj nuk do t'ju lejojë të flisni me atë person. A nuk do të ishte ky momenti ideal për të vlerësuar nevojën tuaj për një disiplinë të re? Ndoshta ju jeni në prag të heqjes dorë nga diçka, ose në kërkim të një fillimi të ri, ose duke filluar diçka të re. Dhe i vetmi element që ju mungon, për suksesin tuaj të pabesueshëm në të ardhmen, është një disiplinë e re dhe e vetëdijshme, që do t'ju bëjë të përpiqeni më shumë dhe të punoni më intensivisht, nga sa keni menduar ndonjëherë.
Forma më e vlefshme e disiplinës është ajo që ju i impononi vetes tuaj. Mos prisni që gjërat të përkeqësohen aq shumë, sa që dikush tjetër duhet të imponojë disiplinën, në jetën tuaj. A nuk do të ishte kjo një gjë tragjike? Si mund ta shpjegonit faktin, se dikush tjetër po mendonte më shumë për ju, sesa ju menduat për veten? Se ai dikush ju detyroi që të ngriheshit herët dhe të dilnit atje ku duhet, ndërkohë që do të kishit qëndruar e të shikonit që suksesi të shkonte tek dikush tjetër, që kujdeset më shumë për veten e tij.
Jeta jote, jeta ime, jeta e secilit prej nesh do të shërbejë si paralajmërim ose shembull. Një paralajmërim për pasojat e neglizhencës, vetë-keqardhjes, mungesës së drejtimit dhe ambicjes... ose një shembull i shfrytëzimit të talentit, të vetë-vendosjes së disiplinës dhe të objektivave, të perceptuara qartë dhe të ndjekura intensivisht.