Blog

Rreziqet e rritjes së shpejtë të biznesit dhe çfarë duhet të bëni për të

Rreziqet e rritjes së shpejtë të biznesit dhe çfarë duhet të bëni  për të

Në historinë e një biznesi, gjithmonë ka momente kur lind nevoja për ndihmën e konsulencës, e sidomos të një konsulenti organizativ. Një nga ato momente, e ndoshta më i spikaturi, vjen kur kompania fiton një rritje të shpejtë dhe e kalon fazën ku mund të mos cilësohet më si një biznes i vogël. Këtu biznesi fillon të përballet me sfidat e rritjes, dhe ndihma e specializuar është vërtet e nevojshme. Rritja sjell punësimin e më shumë njerëzve, e bashkë me të edhe nevojën e menaxhimit të tyre. Pronari i biznesit duhet të fillojë të mendojë si drejtues kryesor i kompanisë, dhe, duhet të konceptojë rolet, të qartësojë detyrat, të përcaktojë mënyrat e kontrollit, raportimit dhe kompensimit, e kjo nënkupton delegimin e një pjesë të rëndësishme të detyrave tek të tjerët, e të sigurohet që ata do t’i kryejnë ato, si ai vetë. Por nuk mbaron këtu. Sfidat janë në disa drejtime. Disa prej tyre janë trajtuar nga Elizabeth Fels, në artikullin më poshtë, prandaj po ju lemë në shoqërinë e tij. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Faza e rritjes dhe zgjerimit është një periudhë emocionuese për çdo biznes të vogël. Qëllimi primar i një biznesi është të ketë klientë, të ofrojë produktin ose shërbimin dhe të arrijë pikën e shpërblimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sipas planeve konvencionale të biznesit, sapo të arrihet pika e shpërblimit, duhet të vijë përfitimi. Por për disa biznese të vogla, një synim tjetër është rritja e shpejtë. Dhe, ky mund të jetë problem. Bizneset shpesh e nënvlerësojnë presionin intensiv që shoqëron rritjen e shpejtë të biznesit.

1.        Biznesi juaj mund të përballet me një problem të rrjedhës së parasë, sepse ka të bëjë me rritjen e kërkesës për produktet ose shërbimet tuaja.

Shpenzimet për drejtimin e një biznesi të ri mund të jenë të vështira për t’u menaxhuar, sidomos kur vjen puna te shpenzimet për ta hapur biznesin. Në këtë pikë, biznesi juaj mund të mbijetojë me kredi, ndërsa përpiqeni të rrisni shitjet dhe të ardhurat. Ndërsa nxisni shitje më të larta, prisni që shpenzimet mujore t'ju rriten dhe ndoshta t'i tejkalojnë të ardhurat tuaja mujore. Nëse arkëtimet tuaja janë në rrugën e duhur, ky nuk është problem i pakapërcyeshëm. Megjithatë, një ose dy cikle arkëtimesh të vonuara, mund t'a lënë biznesin tuaj në atë pozicionin proverbial, midis një shkëmbi dhe një shtegu të vështirë.

Për të mbajtur rrjedhën e parasë, parashikoni krizën e cash-it me një plan realist, që llogarit vonesat në arkëtimin e të arkëtueshmeve. Përgatisni një plan rezervë për mbledhjen e parave nga burimet personale ose nëpërmjet një linje kredie të paracaktuar nga banka juaj. Diversifikoni bazën tuaj të klientëve nëse është e mundur. Nëse vareni nga një klient i madh si burim i të ardhurave, po e lini biznesin tuaj të vogël të prekshëm ndaj tekave të klientit.

2.        Joefikasiteti operacional për shkak të zgjerimit të pakontrolluar do t'i kushtojë kohë, para dhe burime të tjera të kompanisë.

Kur biznesi juaj fillon të rritet shpejt, do të detyroheni të improvizoni për të menaxhuar kërkesën në rritje për produktet ose shërbimet tuaja. Kur ndërtimi i biznesit ndodh shumë shpejt, ju nuk do të jeni në gjendje t'i përmbaheni planit tuaj të përsosur të biznesit, ku proceset tuaja operacionale rrjedhin pa probleme. Ju mund të jeni nën presion, që të punësoni më shumë njerëz, më shpejt se sa e keni parashikuar dhe mund të mos jeni të aftë të zgjidhni njerëzit e duhur, ose, mund të mos keni kohë të ridizenjoni rrjedhën tuaj të punës, për të mirëpritur rritjen e kërkesës. Ndërsa kërkesa më e lartë duhet të çojë në shkallëzimin e ekonomisë, ajo nuk mund të ndodhë nëse rritja e shpejtë rezulton se ka një nga këto probleme:

  • Punonjësit e rinj trajnohen dobët ose nuk trajnohen fare.
  • Nuk mund t’a bëni ose t’a blini inventarin aq shpejt sa duhet, që të mund të plotësoni porositë.
  • Nuk keni përcaktuar me saktësi koston e dërgimit të produkteve tuaja ose të ballafaqimit me klientët.
  • Shërbimi juaj i klientit nuk është i kënaqshëm.

Menaxhoni sistemin e porositjes dhe procesin e përmbushjes së porosisë në mënyrë që të mos përfundoni duke i mbi-premtuar klientëve tuaj. Nëse është e mundur, bisedoni me pronarët e bizneseve të tjera me rritje të shpejtë, për të parë se cilat probleme kanë përjetuar ata, në mënyrë që të dini se çfarë duhet të planifikoni. Pyesni konsulentët për zhvillimin e bizneseve të vogla. Shërbimet e tyre janë të lira dhe mund të jenë në gjendje t'ju ndihmojnë, të jeni të vetëdijshëm për problemet dhe zgjidhjet për llojin e biznesit tuaj. Mos harroni, gjithashtu, është më mirë të refuzoni klientët sesa të rrezikoni që ata të mërziten, nëse ju nuk mund t'i dorëzoni mallrat dhe shërbimet në kohë.

3. Ju filloni të merrni shumë reagime negative për shkak të çështjeve të shërbimit ndaj klientit.

Disa ankesa nga klientët herë pas here janë pjesë e të bërit biznes, por kur reagimet negative fillojnë të grumbullohen, ky është një tregues se nuk po përmbushni pritshmërinë e klientëve. Kjo mund të jetë për shkak të mungesës së personelit për të menaxhuar ndërveprimet me klientët. Mund të vihet në dukje edhe në çështje të tjera, nëse stafi juaj është i përhapur nëshumë aktivitete dhe nxiton të përmbushë kërkesat e klientëve.

Klientët që ofrojnë reagime pozitive janë të detyruar të jenë klientë të përsëritur. Një mori reagimesh negative mund të tregojnë se nuk jeni në gjendje të përballeni me pritshmëritë e tregut për sa i përket ofrimit të shërbimit, sepse ju jeni të mbingarkuar. Sigurohuni që t'a monitoroni rregullisht sistemin tuaj të reagimeve, mbani mediat sociale nën vëzhgim, për të parë sa e përmendin biznesin tuaj dhe kini një plan gati për trajtimin e reagimeve pozitive dhe negative.

4. Punonjësit tuaj janë të mbingarkuar, duke punuar me orë të gjata dhe duke u përgatitur për t’ju braktisur.

Një vend pune me gjallëri i frymëzon punonjësit të punojnë sa më shumë, por kur puna konsumon shumicën e kohës së tyre, rrezikoni të humbisni punonjësit tuaj më të besuar dhe të trajnuar. Mund të zbuloni se biznesi juaj është si një derë rrotulluese për punonjësit pavarsisht kompensimit dhe përfitimeve bujare.

Kushtojini vëmendje kulturës në zhvillim në vendin e punës, ndërsa biznesi juaj rritet. Gjeni kohë për t'i diskutuar çështjet e cilësisë së jetës gjatë takimeve të stafit. Sigurohuni që t'i adresoni çështjet e personelit sipas nevojës, por bëjeni këtë në mënyrë të shpejtë.

5. Aftësia juaj për të udhëhequr dhe menaxhuar venitet, ndërsa proceset tuaja të punës vendosen nën presion, nga kërkesa në rritje.

Ndërsa biznesi rritet, themeluesit përfundimisht kalojnë në një rol drejtuesi, duke deleguar shumicën e vendimeve operative dhe funksioneve te dikush tjetër. Megjithatë, rritja shumë e shpejt mund të bëjë që ju të humbni fokusin tuaj nga funksionet thelbësore dhe të merreni me shumë detyra, duke ofruar rezultate më të ulëta, që çojnë në zhgënjim brenda kompanisë tuaj dhe zhgënjim për klientët tuaj. Problemi përshkallëzohet, kur sistemet dhe procedurat e biznesit të brendshëm keqpërdoren, për shkak se të gjithë janë të mbingarkuar me punë. Kontrolli i pamjaftueshëm mbi buxhetimin, menaxhimin e inventarit, programet e marketingut dhe shitjes mund të prishin suksesin tuaj si biznes.

Transferimi i disa funksioneve është një metodë e besueshme. Delegoni disa funksione administrative jo-thelbësore. Ky rregullim mund të jetë kalimtar ose i përhershëm, në varësi të nevojave tuaja, por është e rëndësishme që t’i shkallëzoni proceset tuaja, që të jenë në të njëjtin nivel me biznesin tuaj në rritje. Askush nuk është ekspert në çdo gjë, kështu që kjo mund të jetë faza që ju të merrni personelin më të mirë që mund të gjeni, për t'ju ndihmuar në drejtimin e kompanisë tuaj gjatë ndryshimeve që kërkohen, për t'u bërë një biznes më i madh dhe më i mirë.

Sipas të dhënave statistikore, rreth gjysma e startup-eve mbijetojnë deri në pesë vitet e para, ndërsa një e treta mbijeton për të paktën 10 vjet. Trendi i mbijetesës nuk ka ndryshuar shumë gjatë viteve, dhe bizneset që janë të përgatitur për të trajtuar zhvillimin dhe zgjerimin e shpejtë të biznesit kanë më shumë gjasa të lulëzojnë.