Duhet një Qëndrim Pozitiv për të arritur rezultate pozitive
Me këtë artikull nga Mark Victor Hansen, jemi kthyer përsëri në temën e Qëndrimit Pozitiv. Ne e bëjmë këtë pasi edhe pse kjo është një temë shumë e rrahur, përsëri ka nevojë të diskutohet e të trajtohet, në të gjitha këndvështrimet dhe idetë rreth saj. Të gjithë e kuptojnë kur gjërat nuk shkojnë mirë, por nëse kjo do të shoqërohet edhe me një qëndrim negativ, janë marrëdhëniet me ata që i rrethojnë, ato që do ta pësojnë të parat. E kur marrëdhëniet me të tjerët dëmtohen, bashkëpunimi me ta do të fillojë të vuajë. Nëse në familje e shoqëri shkalla e tolerancës mund të jetë më e lartë, në marrëdhëniet e punës, këta persona mund të ndihen të përjashtuar e kështu një qëndrim i keq do t'i bëjë gjërat më të vështira. Duke marrë njohuri mbi qëndrimin, ju mund ta kontrolloni atë dhe të arrini rezultate pozitive. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kuptojeni se JU jeni në kontrollin e mënyrës se si mendoni dhe ndiheni.
Qëndrimi juaj përcakton gjendjen e botës në të cilën jetoni. Është themeli për çdo sukses dhe çdo dështim që keni pasur dhe do të keni. Kjo do t'ju krijojë ose do t'ju shkatërrojë juve.
Qëndrimi juaj e kontrollon jetën tuaj. Por, lajmi i mirë? Ju kontrolloni Qëndrimin tuaj.
Qëndrimi krijon mënyrën se si ndiheni për njerëzit dhe situatat. Veprimet tuaja janë rezultat i qëndrimit tuaj - i cili nga ana tjetër krijon një reagim prej të tjerëve.
Është Qëndrimi juaj ndaj të tjerëve dhe universit, që përcakton rezultatin e qëndrimit ndaj jush. Mbani një Qëndrim pozitiv dhe të gëzueshëm dhe do të keni rezultate pozitive dhe të lumtura. Mbani një qëndrim të keq e negative, dhe keni dështuar përpara se të filloni.
Në thelb, ajo që ju mendoni është ajo që ju do të merrni.
Unë e di se kjo tingëllon si e thjeshtë, por kjo është e vërteta.
Prej nga vijnë qëndrimet negative?
Qëndrimet negative vijnë nga të menduarit e mendimeve negative derisa dalëngadalë, bëhen pjesë e nënndërgjegjes tuaj, pjesë e personalitetit tuaj - pra ato bëhen të përhershme. Ju nuk mund ta kuptoni se keni një qëndrim negativ sepse ai ka qenë me ju për kaq shumë kohë. Njëherë që të keni një qëndrim të keq, ju do të prisni dështime dhe katastrofa. Dhe kjo pritshmëri do t'ju kthejë në një magnet për dështimin dhe katastrofën.
Pastaj bëhet si një cikël vicioz: Ju prisni më të keqen, kështu që do të merrni më të keqen. Besimet tuaja negative përforcohen. Pra, ju prisni më të keqen, dhe ju merrni më të keqen.
Por, si mund t'i ndryshoni mendimet tuaja dhe të krijoni një Qëndrim pozitiv?
Duhet punë, ashtu si krijimi i çdo gjëje me vlerë kërkon punë. Në mënyrë që të keni një qëndrim të ri, ju duhet të ndryshoni mënyrën e mendimin në nënndërgjegje. Si mund ta bëni këtë? Duke analizuar çdo mendim që keni, deri sa të menduarit pozitiv të bëhet zakon. Ju jeni thjesht duke zëvendësuar një zakon të vjetër me një zakon të shëndetshëm, njësoj si zëvendësimi i pirjes së duhanit me stërvitjen.
Ju nuk mund të ndaloni papritur të jeni negativë - ju duhet të zëvendësoni mendimet negative me ato pozitive.
Ndonjëri mund të thotë: "Por situata negative është një realitet. Ata shfaqen papritur në jetën e përditshme".
Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Po - Situatat janë një realitet. Po - ato shfaqen papritur. Por është Qëndrimi juaj, që e bën një situatë pozitive ose negative. Është koha që ju të kuptoni se jeni në kontrollin e mënyrës se si mendoni dhe ndjeni - askush tjetër në tokë nuk e ka këtë fuqi, nëse nuk hiqni dorë prej saj.
Merrni kontrollin e Qëndrimit tuaj, të gjendjes tuaj mendore dhe do të merrni kontrollin e rezultateve tuaja.