Blog

Tre çelësa për një kulturë fituese

Tre çelësa për një kulturë fituese

Nga artikulli i javës së kaluar “KULTURA = PARÁ”, autori John Spence argumentoi qartë rëndësinë e ndërtimit të Kulturës në kompani, por ndërtimi i një kulture fituese nuk është e lehtë. Në takimet me drejtues biznesesh, ne dëgjojmë shpesh se ata punojnë fort për të krijuar kulturën fituese në kompani, por vërejmë veprime, të cilat flasin për diçka ndryshe. Kjo pasi kultura fituese vihet re lehtë dhe po kështu edhe kultura e frikës dhe e dëshpërimit. Më poshtë, nga po i njëjti autor, do të gjeni tre faktorët kryesorë që përcaktojnë kulturën fituese. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një pjesë e madhe e kohës sime është shpenzuar në mësimdhënie, për organizatat në mbarë botën, se si të përmirësojnë kulturën e tyre, pasi shumë organizata (të mëdha dhe të vogla) tani po e kuptojnë se Kultura = Para`! Ata më në fund kanë pranuar se nëse marrja, rritja dhe mbajtja e talenteve më të mirë është një objektiv strategjik (dhe duhet të jetë!!!), atëherë të kesh kulturë superiore është një nga mënyrat kryesore për t'i tërhequr talentet. Pra, për mua, ka dy anë në monedhën e kulturës... së pari, çfarë kërkojnë punonjësit, e cila është një Kulturë Fituese, një vend ku është kënaqësi të punosh, me një atmosferë familjare, ku trajtohen në mënyrë të drejtë, ku kanë lirinë për t'i bërë gjërat pa mikromenaxhim dhe një organizatë që ka krijuar një kulturë të orientimit të njerëzve që t'i bëjnë gjërat drejt! Megjithatë, është edhe ana tjetër e monedhës së kulturës, ajo që kërkon punëdhënësi, e cila është: punonjës shumë të angazhuar e që kanë një Mentalitet Pronësie... pra, ata të tregojnë përkushtim, pasion, kreativitet, proaktivitet, ndjenjë urgjence dhe nivele të larta të përgjegjësisë personale dhe reciproke.

Të gjitha këto janë elementë të rëndësishëm, por ka disa faktorë kryesorë për krijimin e një kulture fituese. Para pak kohësh po flisja me një mikun tim, i cili është një ndër psikologët më të mirë, dhe ai theksoi se një pjesë e madhe e asaj që unë isha duke thënë, për të ishin pikërisht të njëjtat gjëra, që të gjithë kërkojnë në marrëdhëniet më të rëndësishme në jetën e tyre... dhe kur mendoni për këtë, marrëdhënia juaj me punën tuaj dhe njerëzit atje është absolutisht një nga marrëdhëniet më të rëndësishme në jetën tuaj. Sipas mikut tim, këtu janë tre faktorët kyç, që kërkojnë të gjithë në marrëdhëniet kryesore në jetën e tyre:

Siguria: punonjësit duhet të ndjehen fizikisht të sigurt në punën e tyre, se ata nuk do të lëndohen nga makineritë ose, se është e sigurt të dalësh nga parkimi vonë në mbrëmje. Ata gjithashtu duhet të ndihen emocionalisht të sigurt, se askush nuk do t'i bërtasë, nuk do t'i verë në siklet dhe se puna e tyre nuk do të pengohet apo nënvlerësohet pa asnjë arsye. Së fundi, ata duhet të ndihen të sigurt psikologjikisht, që ata të mund të shprehin mendimin e tyre, të ndajnë idetë e tyre apo të mos bien dakort me një epror ... pa frikën e ndëshkimit, ngacmimit apo etiketimit.

Përkatësia: punonjësit duan të ndihen se janë pjesë e ekipit, pjesë e grupit, pjesë e familjes. Ata duan të dinë se njerëzit në punë i pëlqejnë ata, ju pëlqen fakti që të diskutojnë me ta dhe të ndjehen se janë pjesë e rëndësishme e organizatës. Askush nuk dëshiron të ndihet si një i dëbuar ose që askush nuk do t'ja dijë për të.

Vlerësimi: punonjësit duan të dinë se vlerësohen jo vetëm për punën që bëjnë, por edhe për ata që janë si individ, për atë që kontribuojnë në ekip, për idetë dhe për diversitetin që i sjellin organizatës.

Kam besimin e plotë, se nëse e mbushni organizatën tuaj me siguri, përkushtim dhe vlerësim, ju do të ndërtoni strukturën për krijimin e një kulturë të vërtetë fituese. Dhe, krahas shumë faktorëve të tjerë, këto tre janë më së shumti ajo që unë i quaj çështje të atmosferës ... ata nuk kushtojnë para shtesë për t'i zbatuar - është thjesht mënyra se si i trajtoni njerëzit, mënyra si i angazhoni ata dhe respekti që tregoni ndaj gjithë punonjësve tuaj, që i bën ata të ndjehen të sigurt, se ata i përkasin ekipit, dhe që ata janë vërtet të vlerësuar.

Tani, pyetja ime për ju është: Çfarë mund të bëni SOT për të krijuar më shumë SIGURI, PËRKUSHTIM dhe VLERËSIM në organizatën tuaj?