Një ditë "e keqe" apo një Qëndrim i keq?
"Janë mendimet tuaja, prapa fjalëve që thoni, që krijojnë qëndrimin tuaj!" Këtë thënie të Jeffrey Gitomer mund ta gjeni menjëherë sapo hapni faqen e parë të librit të tij “Libri i vogël i artë mbi Qëndrimin PO”. Të ngacmuar nga jehona e ribotimit këto ditë të këtij libri, i cili po përcillet me shumë interes, po ju sjellim një artikull të tij mbi qëndrimin pozitiv. Si është qëndrimi juaj?
* * * * *
Njerëzit gjithmonë fajësojnë qëndrimin e tyre të keq gjatë ditës.
"Paskam një ditë të keqe sot" është thënia. Në të vërtetë, ajo që thonë është: "Unë po i lejoj njerëzit e tjerë të ndryshojnë qëndrimin tim" ose "Unë po lejoj që rrethanat e tjera të ndikojnë në qëndrimin tim". Kjo nuk është vetëm e pajustifikueshme, por kjo është edhe një shenjë e dobësisë mendore. Nëse ju i thoni vetes që po kaloni një ditë të keqe, unë ju premtoj se vërtet do e keni të tillë, dhe, nëse i thoni vetes që po kaloni një ditë të mrekullueshme, përsëri ju premtoj se vërtet do e keni të tillë. Dita nuk është e keqe nëse nuk e deklaroni si të keqe.
Qëndrimi pozitiv, ose mungesa e tij, është shkak i shumë rrethanave.
Më poshtë janë 5.5 mendime dhe ide të rastësishme lidhur me shkakun, kujdesin dhe përfitimet e qëndrimit pozitiv:
1. Niseni nga fillimi. " Filozofia përcakton qëndrimin, qëndrimi përcakton veprimet, veprimet sjellin rezultate, rezultatet sjellin stilin e jetesës". Kjo është një thënie e filozofit amerikan të biznesit, Jim Rohn.
· Nëse nuk ju pëlqen mënyra juaj e jetesës, shikoni rezultatet tuaja.
· Nëse nuk ju pëlqejnë rezultatet tuaja, shikoni veprimet tuaja.
· Nëse nuk ju pëlqejnë veprimet tuaja, shikoni qëndrimin tuaj.
· Nëse nuk ju pëlqen qëndrimi juaj, shikoni filozofinë tuaj.
Shumica e punonjësve të shitjes bëjnë gabimin fatal të fillimit nga mesi. Ata fillojnë me "veprimet". Nëse nuk keni një filozofi dhe keni një qëndrim jo pozitiv, çfarë lloj veprimi do të ndërmerrni? Dhe nëse ju pyes për filozofinë tuaj tani, përgjigja juaj më e mundshme do të ishte "Ooh edhe ti tani!"
2. Zhvilloni Qëndrimin PO!. Ekziston një dallim i ngushtë ndërmjet një Qëndrimi "Pozitiv" dhe një Qëndrimi "PO". Të dyja janë SHUMË TË MIRA, por Qëndrimi "PO!" është më i fuqishëm, sepse supozon se gjithçka fillon me "PO!", madje edhe kur është "JO". Qëndrimi "PO!" ju ndihmon të formuloni një përgjigje në një mënyrë pozitive. Qëndrimi "PO!" është më deklarativ. Ai ju tregon njerëzve, me një fjalë, se pritshmëria e tyre do të përmbushet dhe se përgjigjet e tua, për çdo gjë që duan ose kanë nevojë, do të jetë PO. Gjithkush dëshiron të dëgjojë "PO", kështu që nëse mendoni për veten si një person "PO", përveç vendosjes së mendjes në një kuadër pozitiv, do të keni edhe pritshmëri pozitive.
3. Qëndrim do të thotë të festosh përpjekjet, jo fitoren. Shumë shpesh punonjësit e shitjes dhe drejtuesit e tyre festojnë vetëm shitjen. Por, përderisa kjo është e rëndësishme, është po aq e rëndësishme për të festuar punën që krijoi mundësinë për të realizuar shitjen. Etika juaj e punës do t'ju çojë në shitje më shumë se çdo element tjetër, në arsenalin tuaj të shitjeve. Nëse dikush thotë, "Kjo është Meri, kjo punon me të vërtetë shumë fort", ky është një kompliment në shkallën më të lartë.
4. Ju e dini se çfarë duhet të bëni, por thjesht nuk e bëni. Punonjësit e shitjes janë njerëzit më të mençur në botë. Ndërsa shkoj nga një audiencë tek tjetra, vë re se të gjithë kanë një gjë të përbashkët: Gjithkush di gjithçka. Problemi është se ata nuk po i bëjnë gjërat që pretendojnë se i dinë. Ka një dallim të madh, në mes të diturit të gjërave dhe të bërit të gjërave, dhe shumica e punonjësve të shitjes nuk e vlerësojnë fuqinë e kësaj hollësie. Pas leximit të një artikulli apo libri, ose ndjekjes së një seminari, në vend që të mendoni "Unë e di këtë," pyesni veten, "Sa i mirë jam unë, për ta bërë këtë?" Kjo pyetje do t'ju çojë në më shumë njohuri. Dhe ju e kuptoni se dija është fuqi.
5. Qëndrimi nënkupton menaxhimin e kohës - ose atë që është e rëndësishme tani. Shumica e mësimeve mbi menaxhimin e kohës janë shumë më tepër se humbje kohe. Ti e di se çfarë duhet të bësh. Ti e di edhe kur duhet ta bësh. Ajo që ju nevojitet është një mësim rreth zvarritjes - shtyrjes për më vonë, ose një mësim rreth ndërtimit të një imazhi më të lartë për veten, ose një mësim rreth frikës së refuzimit, ose një mësim rreth përgatitjes. Këto mësime do t'ju japin atë që ju nevojitet për t'i ekzekutuar gjërat që ju besoni se "nuk keni kohë." E vërteta është: Ju vetëm po i shmangni ato.
5.5 Jini egoist. Mësoni për veten tuaj. Bëjeni atë për veten tuaj. Egoistët fitojnë. Para se të jesh MË I MIRI për të tjerët, duhet të jesh më i miri për veten tënde. Para se të jeni shitësi më i mirë, duhet të jeni personi më i mirë. Para se të jeni babai apo mamaja më e mirë, duhet të jeni personi më i mirë, për veten tënde. Kur të arrini më të mirën për veten tuaj, atëherë dhe vetëm atëherë, do të mund të jeni MË I MIRË edhe për të tjerët. E di që kjo tingëllon si egoiste, por nëse mendoni rreth saj, do të kuptoni se mangësitë tuaja, në të gjitha përpjekjet tuaja, rrjedhin nga fakti që nuk jeni personi më i mirë, për veten tuaj. Në thelb të fjalëve "më i mirë" është Qëndrimi më i mirë.
Qëndrimi pozitiv përkufizohet si "Mënyra se si e dedikoni veten në mënyrën se si mendoni". Por kini kujdes kur e zbatoni këtë përkufizim, sepse e njëjta gjë vlen edhe për qëndrimin negativ.