Si ta përdorni frikën, përpara se ajo t'ju përdorë juve
Ja ku jemi përsëri me Jeffrey Gitomer, me një artikull mbi FRIKËN, ajo lloj frike që të pengon, në rrugën drejt SUKSESIT. Më herët, një trajtim vërtet të plotë e ka bërë Napoleon Hill, prej vitit 1937, me publikimin e librit të tij “Mendo dhe bëhu i pasur”, një prej librave më të lexuar mbi zhvillimin personal, e që ka frymëzuar miliona njerëz. Në kapitullin 15, Hill i nxjerr në pah gjashtë “fantazmat” e frikës, të cilat në momente të caktuara shfaqen tek çdo njeri. Por ajo që është më e rëndësishmja, ai trajton edhe mënyrat se si mund të mposhten ato. Origjinaliteti i Gitomer në këtë artikull, është se ai e shikon frikën si një aleate, që ju mund ta përdorni me kujdes, për arritjen e objektivave tuaja (edhe në shitje). Zbatojini shpesh këshillat e tij dhe ju sigurojmë se nuk do të zhgënjeheni. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Frika nga dështimi, frika nga refuzimi, frika se mos nuk jemi përgatitur mjaftueshëm - frika është diçka aktuale dhe e zakonshme, që përshkon gjithë jetën tonë. Dhe nëse e lejojmë, frika mund të na mbajë të mbyllur në burgun e rehatshëm dhe të parashikueshëm.
Por ekziston edhe një mënyrë, përmes të cilës frika mund të shërbejë për një qëllim të çmuar, duke na ndihmuar të kapërcejmë frustrimin, për të arritur jetën, që vërtet dëshirojmë. Kjo është e vërtetë - nëse e pranoni atë, frika mund të bëhet motivuesi juaj i rëndësishëm.
Në mendjen tuaj, nëse nuk keni zgjidhje tjetër, përveç se të keni sukses - nëse arritja e qëllimit tuaj është një domosdoshmëri absolute - atëherë asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Sakrificat nuk do t'i llogarisni fare. Shfajësimet do t’i flakni nga dritarja. Do të bëni gjithçka që duhet për t'i bërë gjërat të ndodhin. Pikë.
Kjo është mënyra se si disa nga njerëzit më të suksesshëm e përdorin frikën në jetën e tyre. Në vend që t'a lejojnë frikën të ngrejë kokë dhe t’ja u thithë jetën, larg nga ëndrrat e tyre, ata e dinë se frika e vërtetë është çmimi që do të paguajnë, nëse nuk i japin qëllimeve dhe vizioneve të tyre çdo pikë energjie dhe fokusi, që ata kanë. Ata e dinë se frika e vërtetë është të jetosh një jetë ku ata janë rehatuar, duke bërë kompromis me atë që ata, në të vërtetë dëshironin.
Si ju duket ky mendim dhe këndvështrim? Si do e jetoni jetën, kur frika bëhet aleati juaj e jo armiku juaj?
Po ju prezantoj 5 këshilla, për të mos lejuar që frika të kontrollojë lumturinë tuaj dhe të filloni t'a shfrytëzoni frikën në avantazhin tuaj:
1. Përcaktoni nëse qëllimi juaj është “domosdoshmëri”
Pyesni veten se çfarë do t'ju kushtojë nëse nuk e largoni tej frikën tuaj. Kjo do t'ju ndihmojë të zbuloni nëse arritja e një qëllimi specifik është një "domosdoshmëri" dhe jo vetëm se "duhet".
Ju tingëllon pak konfuze? Mundohuni të imagjinoni veten sikur jeni 80 vjeç, afër fundit të jetës tuaj. Jeni ulur në karrigen tuaj lëkundëse, duke reflektuar se si e keni jetuar jetën. Tani, parafytyroni përsëri jetën tuaj, sikur të mos kishit arritur atë qëllim, pas të cilit jeni duke rendur, në këtë moment të jetës tuaj. Si do të kishte ndikuar kjo në rrjedhën e jetës tuaj? Cilat do të ishin ato gjëra për të cilat do t’ju vinte keq? Çfarë do të dëshironit të kishit bërë shumë kohë përpara? Çfarë do të dëshironit të kishit provuar? A ndieni trishtim apo keqardhje? A po thoni me vete, "Po sikur ...?"
2. Pranoni justifikimet
Është e lehtë t'i shtyjmë shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona. Ne nxjerrim justifikime: - Nuk kam kohë mjaftueshëm, - Nuk kam pará ose burime, - Kam familje, - Jam shumë i/e zënë. Dhe fillojmë të fshihemi pas këtyre arsyeve. Sepse ato janë ngushëlluese. Ato janë të sigurta. Por arsyet do t'ju kthejnë pikërisht aty ku filluat. Pra sillni ndërmend këtë, çdo herë që një justifikim do të “lundrojë” në mendjen tuaj. Duke u bërë më të vetëdijshëm për prirjen e trurit për të përdorur justifikime, kështu që ju “nuk jeni përgjegjës”, aq më shumë do të bëni për t'i larguar këto mendime.
3. Përshtasni mentalitetin e rritjes
Njerëzit shpesh heqin dorë nga ajo që duan, sepse besojnë se arritja e qëllimit të tyre është përtej aftësive të tyre. Por njerëzit më të suksesshëm ushqejnë një mentalitet drejt rritjes. Ata nuk i mendojnë aftësitë e tyre si të pandryshueshme, por më tepër që përshtaten sipas rrethanave. Dhe kur përballen me një pengesë, ata përpiqen më shumë. Ata përdorin një strategji të re. Ata vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje.
4. Dhimbja prodhon mprehtësinë
Përvojat më të dhimbshme, mund të ndihmojnë në përmirësimin e asaj që ju dëshironi dhe asaj që nuk dëshironi në jetë. Dështimi, zhgënjimi, shtigjet e mbyllura - të gjitha këto mund të përdoren si një mjet për të reflektuar dhe thënë: - "kjo nuk funksionoi”. Nuk ishte përshtatja e duhur. Pra, çfarë dua unë në të vërtetë? Mos harroni, ne jemi ndërtuar për t'u përshtatur. Pra, përqafoni këtë forcë dhe përdorni çdo përvojë, si një mjet për t'ju ndihmuar të mësoni më shumë për veten dhe për atë që duhet t'a keni në jetë.
5. Pranoni se dështimi është i pashmangshëm
Ju do të dështoni. Është thjeshtë pjesë e procesit. Çdo person i suksesshëm do t'jua thotë këtë. Por dështimi ofron njohuri, dhe në thelb, korrigjon mënyrat e gabuara të qasjes ndaj një problemi. Nuk ka asnjë mësues aq ndikues sa dhimbja nga dështimi. Dhe asnjë mësim për elasticitetin, më të mirë sesa ndjenja e refuzimit. Por nëse i përdorni këto përvoja si informacion unik, dhe përshtasni strategjinë dhe përqasjen, herën tjetër, do të keni një avantazh që askush tjetër nuk e ka.